Kombëtarja shqiptare të hënën në Hungari
Kombëtarja shqiptare do ta nisë me një seri problemesh grumbullimin për ndeshjen me Hungarinë. Disa futbollistë nuk janë aktivizuar rregullisht nëpër klube, ndërsa disa të tjerë kanë pësuar dëmtime. I fundit ishte portieri Iljon Lika, që është zëvendësuar nga kosovari Samir Ujkani.
Kombëtarja shqiptare do të nisë ditën e hënë grumbullimin për dy ndeshjet e radhës, ato me Hungarinë dhe Portugalinë. Ekipi do të grumbullohen në Budapest, që do të jetë rezidenca kuqezi për të paktën një javë. Futbollistët që luajnë në Shqipëri do të udhëtojnë së bashku, ndërsa legjionarët që aktivizohen në Evropë do të fluturojnë direkt për në kryeqytetin hungarez. Ndërkohë, portieri Iljon Lika ka pësuar një dëmtim në ndeshjen që Terek Grozni luajti të dielën në kampionatin rus dhe ka njoftuar se nuk do të jetë në kombëtare. Në vend të tij Han ka thirrur portierin e Palermos në Itali, Samir Ujkani. Shqipëria do të luajë të shtunën në orën 19.45 në stadiumin Ferenc Pushkash të Budapestit. Pas dy ndeshjeve të para kombëtarja kuqezi kryeson grupin A me 4 pikë, por Hungaria duket prova e vërtetë për skuadrën. Janë disa futbollistë që nuk vijnë në formën e tyre optimale në këtë ndeshje, për arsye dëmtimesh, si Klodian Duro, Hamdi Salihi apo Edmond Kapllani. Veç kësaj, shumë lojtarë nuk kanë luajtur rregullisht në klubet e tyre. Sa i përket historisë, ndaj Hungarisë është një sfidë ndaj kundërshtarit me të cilin Shqipëria regjistron humbjen më të thellë. Kuqezinjtë janë mposhtur 12-0 nga Hungaria e Ferenc Pushkashit. Pas Hungarisë, më 15 tetor kuqezinjtë luajnë në Portugali.
(a.s/News24/Balkanweb)