E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moto GP, fiton Kejsi Stoner la pas Rosin

Nga Altin Latifi
Kejsi Stoner ka arritur të triumfojë në garën e shtëpisë, duke lënë pas tetë herë kampionin e botës Valentino Rosi. Piloti i Dukatit ka hedhur kështu një hap të sigurtë drejt vendit të dytë në Botërorin e Moto Grand Pri. 


Australiani Kejsi Stoner triumfi në Filip Ajlënd, duke e bërë thuajse të sigurtë vendin e dytë në Botërorin e Moto Grand Pri. Piloti i Dukatit mundi të lërë pas kampionin e sapo shpallur të botës Valentino Rosi, i cili ka dhuruar spektakël, pavarësisht se kishte një dëmtim në qafë që nga provat e së shtunës. Për pilotin italian ishte thjeshtë një garë e zhvilluar për kalendar, pasi ai arriti të fitonte titullin e tetë kampion bote në karrierën e tij një javë më parë. Rosi u nis nga vendi i 12-të, por edhe njëherë tregoi se është ai piloti më i shpejtë. I treti në Australi përfundoi amerikani Niki Hejdën, ndërsa rivali i Kejsi Stoner Dani Pedroza pësoi një rrëzim që ia pakëson në minimum shpresat për vendin e dytë. I katërti u rendit Horge Lorenco me Jamahan dhe menjëherë pas tij Shinia Nakano me Hondën. Pas kësaj gare, Valentino Rosi është ngjitur në kuotën e 332 pikëve, ndërsa Kejsi Stoner renditet i dyti me 245. Dani Pedroza vazhdon të qëndrojë në kuotën e 209 pikëve, kur duhen edhe dy gara deri në përfundim.
(a.s/News24/Balkanweb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›