Kombëtarja s'vjen në Prishtinë
Ëndrra e tifozëve kosovarë, për ta parë Kombëtaren shqiptare duke luajtur në stadiumin e Prishtinës, si duket do të mbetet vetëm ëndërr.
Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) janë duke kërkuar një ‘strehë’ për ekipin kuqezi, për të zhvilluar ndeshjet miqësore dhe zyrtare, derisa të rindërtohet stadiumi kombëtar ‘Qemal Stafa’.
Por, në planet e drejtuesve të futbollit shqiptar nuk bën pjesë stadiumi i Prishtinës, të cilin vitin e kaluar e kishin konsideruar si shtëpi të mundshme për të zhvilluar ndeshje zyrtare dhe miqësore.
Për krerët e FSHF’së tani stadiumi i qytetit të Shkodrës ‘Loro Boriçi’ mund të jetë qendër e ndeshjeve për ekipin kombëtar të Shqipërisë, pasi ai i Prishtinës nuk i plotëson kushtet.
“Stadiumi i Prishtinës është larg standardeve që kërkon FIFA e UEFA për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare. Për këtë arsye ne nuk mund të llogarisim në atë stadium”, ka thënë sekretari i përgjigjëm i FSHF’së, Eduard Prodani, për Express
Në një takim që është zhvilluar mes drejtuesve të FSHF’së dhe atyre të Komunës së Shkodrës, është rënë dakord në parim që stadiumi ‘Loro Boriçi’ të jetë sa më shpejt i gatshëm për të pritur ndeshjet zyrtare e miqësore të kuqezinjve.
Prodani ka njoftuar se në stadiumin e Shkodrës duhet të fillojë rikonstruksioni i tribunës qendrore, e cila është mjaft e amortizuar dhe nuk e plotëson asnjë kusht të vendosur nga UEFA dhe FIFA për zhvillimin e takimeve ndërkombëtare.
“Nëse stadiumi i Shkodrës ‘Loro Boriçi’ do të rregullohet, Kombëtarja do të luajë aty. Por, nëse nuk ndodh një gjë e tillë, ekipi kuqezi nuk do të luajë as aty”, ka theksuar Prodani.
Ekipi kuqezi gjatë këtij muaji do të zhvillojë dy ndeshje miqësore jashtë Shqipërisë. Më 22 maj, kuqezinjtë i pret një ndeshje miqësore me Katarin, e cila do të zhvillohet në Madrid.
Ndërsa pesë ditë më vonë, Shqipëria do të përballet me Iranin në takimin i cili është caktuar të zhvillohet në Stamboll.
Ejupi: Askujt nuk i interesoi për stadiumin
Në anën tjetër, presidenti i klubit Prishtina, Remzi Ejupi, ka kritikuar drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe qeverisë për mosangazhimin e tyre rreth rinovimit të stadiumit të Prishtinës.
“Stadiumi nuk është pronë e imja, por e Kuvendit Komunal. Ne kemi bërë kërkesë në qeveri, te Kryepralamentari dhe Presidentja që të rinovojnë stadiumin, por përkundër premtimeve, nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Me pak para ka mundur të rinovohet dhe të bëhet gati që Shqipëria të luajë aty, e cila do të ishte një marketing i mirë për Kosovën”, deklaroi për Express Ejupi i zhgënjyer.
Shqipëria, e 84-ta në botë
Shqipëria nuk ka lëvizur ndonjë pozitë, në renditjen më të re të FIFA-s, e cila u publikua të mërkurën. Në renditjen e muajit prill, Kuqezinjtë gjenden në pozitën e 84-t, njëjtë si muajin e kaluar. Përpara ekipit të Gianni de Biasit gjendet Guatemala, kurse prapa – Katari.