E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga refugjati në hero

Altin Lala e kaloi fëmijërinë në varfëri, por falë futbollit, ai bëri para. Mesfushori shqiptar ia pa hairin sportit, pasi e shfrytëzoi një udhëtim në Gjermani me Shqipërinë U-16, për të mbetur atje si refugjat ‘në të zezën’. Nga ajo kohë, jeta e tij ndryshoi rrënjësisht dhe 36-vjeçari u bë hero i Hannoverit.

Altin Lala ia ka parë hairin Kombëtares shqiptare. Që në moshën 16-vjeçare, mesfushori shqiptar kishte shkuar në Gjermani, ku me ekipin e të rinjve kuqezi do ta zhvillonte një ndeshje miqësore.

Aty iu ra në sy drejtuesve të Borussia Fuldahut, të cilët nuk vonuan shumë dhe e transferuan. Futbollisti shqiptar po jetonte në një vend të varfër siç ishte Shqipëria, ndërsa Gjermaninë e asaj kohe e konsideron si parajsë. Ai zbulon se kishte planifikuar me disa prej shokëve të skuadrës që të iknin nga kampi i Kombëtares, për të qëndruar në Gjermani.

Për këtë nuk e dinin prindërit e tij, përpos vëllait. “Nuk pata guxim t’u tregoja, sepse do të më pengonin. Vetëm vëllai im i dinte të gjitha dhe më përkrahte. Shqipëria në atë kohë ishte e varfër, shpesh nuk kishte bukë për të ngrënë. Shokët më thoshin: shko dhe mos u kthe”, rrëfen për tabloidin gjerman ‘Bild’, 36-vjeçari, i cili i dha fund eksperiencës së tij 14-vjeçare me Hannoverin, më 5 maj ndaj Kaiserslauternit, ku iu dha një përshëndetje madhështore.

Lala ndër të tjera tregon se e urren padrejtësinë dhe se gjithmonë e ka dhënë maksimumin në fushë. Ai ka kujtuar kohën e vështirë kur me Kombëtaren shqiptare të të rinjve ishte vendosur në një hotel të Gjermanisë, në kohën kur u zbulua talenti i tij nga drejtuesit e Hannoverit. “Babai m’i kishte dhënë vetëm 20 marka dhe 20 franga. Çka do të haja? Bananet kushtonin 4 marka kilogrami”, shton ia.

Plani ishte që të zhvillohej ndeshja (fitonte 8:1 Gjermania), të bënin dush dhe të iknin më pas. Por, trajneri i kishte në pronë pasaportat. “Ishim nervozë, sepse na prisnin në makinë”, vazhdoi ai.

Megjithatë, ai vendosi të ikte, duke u strehuar në Offenbach te një ish-miku i tij shqiptar, i cili kishte emigruar dy vjet më parë. “Nuk më interesonte asgjë, unë vetëm dëshiroja të qëndroja aty. Gjermania ishte parajsa ime”, vijon ish-përfaqësuesi shqiptar.

Si 18 vjeç, ai e fitoi kontratën e parë me Borussia Fuldahun, ku paguhej 1200 marka në muaj, por që punonte edhe punë të tjera, pos futbollit. Në vitin 1998, iu bashkua Hannoverit, ku natyrisht edhe kushtet e tij financiare u përmirësuan. Sot, Lala është hero i këtij klubi, pas karrierës së bujshme që pati.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›