E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja vijon me humbjet, tifozët kuqezi edhe më larg

Nga EDUARD ILNICA

Kur pritej një fitore për moral, edhe pse pa trajner të parë, ka ndodhur e kundërta, pavarësisht se kemi dominuar ndaj Azerbajxhanit

SHQIPËRI – AZERBAJXHAN  0 – 1

Shënues: Alijev 22

Shqipëri: Hidi, Lila, Dallku, Teli, Agolli, Cana, Roshi (Kapllani 88), Bakaj (Januzi 72), Hyka, Salihi (Muzaka 78), Bogdani (Vila 46). Trajner: Xh. Mustedanagiç.

Azerbajxhan: Popoviç, Malikov (Allahverdiev 55),  Sadikov, Çertoganov (Amirguliev 79), Subasiç (Mamadov 74), Alijev, Husejnov, Abishov, Nadirov (Hajijev 64), Budak, Levin. Trajner: B. Vogst.

Gjyqtarë: P. Mazoleni, M. Tonolini, E.  Di Liberatore (Itali)

Radiografia

6- Gabon portieri mik Popoviç, Bogdani ndjek aksionin, por nuk përfiton, edhe pse shumë afër portës dhe mund ta dërgonte topin në rrjetë.

22- Në një kundërsulm të skuadrës azere, një nga lojtarët miq pason te Alijev, i cili me qetësi ka gjuajtur dhe ka shënuar, duke përfituar edhe nga një përgjumie e mbrojtësve tanë.

30- Bakaj gjuan nga afro 25 m jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Poapoviç.

33- Bakaj kroson nga e djathta te Bogdani, që gjuan lehtë me kokë.

42- Hyka shmang një lojtar mik, pason bukur te Sali, i cili në pozicion diagonal me portën, gjuan lehtë me të djathtën, edhe pse kishte mundësi të shënonte.

46- Dy raste të arta për tanët, fillimisht Salihi e më pas Hyka, por meritë ka portieri Popoviç, i cili ka neutralizuar një gol të sigurt.

51- Kroson Agolli për te Lila, i cili shumë afër portës ka gjuajtur, por në vijën fatale e ka largura një mbrojtës mik.

62- Sërish një mundësi e mirë e tanëve për të shënuar, këtë herë Bakaj ka krosuar në zonë për te Cana, që ka gjuajtur fort me kokë, por topin në vijë fatale e ndal Levin dhe më pas ndërhyn portieri Popoviç që zgjidh situatën në zonën e vet.

77- Tanët nuk rreshtin së sulmuari portën mike, Salihi ekzekuton bukur një goditje dënimi nga jashtë zone, topi kalon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të Popoviçit.

85- Tenton Hyka me një silurë nga 25 m, sërish ka pritur Popoviç.

87- Januzi e ka radhën për të gjuajtur drejt portës së Popoviçit, por edhe ai tregohet i pasaktë, duke e dërguar sferën mbi traversën e portës mike.

89- Mundësi e artë e tanëve për të kaluar në avantazh: Kapllani gjuan bukur me të djathtën, por shtylla e portës azere ka ndalur golin dhe ka mbetur e paprekur porta e Popoviçit.

Asnjë nuk e quan më turp këtë humbje, sepse është bërë e udhës tashmë që kombëtarja të vijojë me këto rezultate. Nëse dikush do të justifikohej me mungesën e trajnerit të parë, është shumë gabim, kombëtarja shqiptare edhe njëherë vërtetoi se kaq fuqi ka dhe rezultatet edhe në eliminatore nuk janë rastësi. Ishte një miqësore ku shpresohej dalja në pah e disa elementëve që luajnë pak minuta ose që nuk janë aktivizuar.

Pavarësisht dëshirës së mirë dhe rasteve të krijuara, kryesisht në pjesën e dytë, ata mbeten episodikë dhe humbës të shumë rasteve. Një kombëtare miks, që do të thoshte kërkohej edhe rezultati, por që në fund doli sërish me kokën ulur dhe përfundimi: tifozët kuqezi largohen edhe më shumë, duke mos patur besim, që në fakt fillon që nga krerët e FSHF-së, deri te lojtarët në fushë, por edhe ata të stolit apo të ashtquajturit talentë dhe futbollistë të së ardhmes.

Pjesa e parë Miqësisht kanë luajtur në 45 minutat e para të dy ekipet, ashtu siç ishte kjo ndeshje miqësore. Sidomos minutat e para, luhen kryesisht në mesfushë, topi qarkullohet më shumë nga tanët, por mungon iniciativa drejt portës. Bogdani dhe Salihi janë në vijën e parë, por ky i dyti pak duket në zonën azerbajxhanase, duke mos patur ndonjë rast për tu shënuar. Më kalimin e minutave kemi disa raste sporadike për të dy ekipet, por jo të pastra shënimi.

Bogdani nuk përfiton nga një gabim i portierit mik, që mund të kishte shënuar me portën bosh. Atë që nuk e bëjnë tanët, e bëjnë djemtë e Berti Vogstit, që çajnë pikërisht qendrën e mbrojtjes sonë dhe përballë Hidit, Alijev nuk e ka vështirë të gjejë golin. Ata pak tifozë që ndodheshin në Qemal Stafa nisin të vërshëllejnë, madje një pjesë edhe ikin nga stadiumi, kur kujtojmë që në tribunën përballë nuk ishin më shumë se 200 vetë. Pas golit të pësuar duket sikur zgjohen tanët, por Bogdani dhe Salihi marrin shumë pak topa. Ndërkohë që miqtë tentojnë edhe ndonjë kundërsulm, por jo ndonjë gjë për tu shënuar.

Pjesa e dytë Mustedanagiç bën një ndryshim, largon Bogdanin për Vilën. Nuk është vetëm ndryshimi në sulm, por të gjithë lojtarët kuqezinj janë më të vendosur në këtë pjesë dhe për pasojë ngulmojnë për të shënuar. Salihi dhe Hyka humbin për pak sekonda 2 raste shënimi. Tanët mbesin në sulm dhe e gjithë pjesa e dytë është luajtur vetëm në një portë, në atë azerbajxhanase.

Madje edhe mbrojtësit tanë shihen në portën mike. Dhe në një rast Canën vetëm fati e ka dënuar, pasi gjuajtja e tij është ndalur në vijën fatale nga një mbrojtës. Në fushë hyjnë forca të reja në sulm për tanët, teksa janë futur edhe Muzaka, Januzi dhe në fund pak minuta edhe për Kapllanin.

Janë pikërisht këta që, duke përfshirë edhe Hykën, që humbasin njëri pas tjetrit raste, pa gjetur qoftë një gol, që jo vetëm do të ishte ngushëllimi, por do të justifikonte deri diku takimin, sepse një barazim në miqësore nuk do të qahej. Po nuk ndodhi kështu dhe në fund Shqipëria koleksionon humbjen e radhës. Asnjë nuk beson më te kjo kombëtare. Vetëm fitorja në Maqedoni do të ngrohte atmosferën e zymtë që ka kapluar kuqezinjtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›