E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja u beson miqësoreve për të ruajtur formën

Nga Julian Kasapi

Naftëtari vjen sot në Roza Haxhiu për një tjetër test, ku stafi teknik do të nxjerrë konkluzionet e duhura

Skuadra e Lushnjës, pas ndeshjes miqësore me Albpetrolin, që u zhvillua të mërkurën në stadiumin Roza Haxhiu dhe përfundoi 2-2, po përgatitet për një tjetër test. Do të jetë përsëri një skuadër e kategorisë që do të vijë në Lushnjë, Naftëtari.

Pavarësisht se skuadrat, me të cilat është rënë dakord të luhen miqësoret, janë të një kategorie më poshtë, ato janë të rëndësishme, sepse shërbejnë për të ruajtur formën e futbollistëve, të cilët kanë treguar vlera në javët e fundit të kampionatit, duke arritur 3 fitore radhazi.

Në këto miqësore verdhejeshilët pritet të nxjerrin mësimet e duhura në kuadër të kampionatit, që bëhet gjithmonë e më i vështirë, por Lushnja ka hyrë në rrugën e duhur dhe pritet të ngjisë shkallët e klasifikimit.

Sot me Naftëtarin Miqësorja e sotme me Naftëtarin, një skuadër me pretendime në kategorinë e dytë, është në vazhdën e përmirësimit të parametrave për gjetjen e një formacioni stabël nga ana e stafit teknik. Nga ana e tij, sekretari i klubit, Judmir Shurdhi, shprehet se skuadra ka në dispozicion infrastrukturën dhe vëmendjen e gjithë stafit për përmirësimin e saj.

Sipas tij, miqësoret janë të nevojshme në këtë moment: Janë ndeshje miqësore, që e mbajnë skuadrën  në tonus, sepse kampionati është ndërprerë. Jemi përpjekur të krijojmë kushtet e duhura, që djemtë të japin gjithçka në fushë për fanellën e Lushnjës.

Në kampionat kemi përpara ndeshje mjaft të rëndësishme, ku duhet të tregojmë se jemi vërtet pretendentët seriozë për tu ngjitur në superligë. Kemi bërë ngritjen e premtuar, falë punës së përkushtuar të skuadrës në radhë të parë dhe stafit teknik me në krye trajnerin Saimir Malkon, – ka thënë sekretari i klubit lushnjar, Judmir Shurdhi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›