E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, në Gjirokastër për kthesën e madhe

Nga Elton Karaj

Sulmuesi Galica dhe mbrojtësi Bella mendojnë se ka ardhur koha që ekipi i tyre të reagojë dhe të tregojë vlerat e vërteta

Elbasanasit janë fokusuar te ndeshja me kryesuesit e kampionatit, e prapambetur nga java e 5-të. Ata pretendojnë të bëjnë diçka pozitive në Gjirokastër, për të rifituar besimin pas humbjeve të njëpasnjëshme në transfertë. Ekipi është plotësuar dhe trajnerët File dhe Dosti synojnë të marrin pikë në fushën e Luftëtarit.

Eshtë koha për të reaguar, dhe në kampin verdheblu janë optimistë se Elbasani nuk do të gabojë këtë radhë. Për ndeshjen e së mërkurës flasin dy nga titullarët e formacionit verdheblu, mbrojtësi Bella dhe sulmuesi Galica, të cilët shprehin besimin për të paktën një pikë në Gjirokastër. Ata pohojnë se të gjithë janë dyfish të motivuar, sepse ekipit të tyre nuk i falet një tjetër hap fals.

Galica “Na pret një ndeshje e vështirë, pasi luajmë ndaj ekipit të vendit të parë dhe në fushën e tij. Luftëtari këtë sezon ka bërë një ekip të fortë, ndaj dhe duhet një mobilizim mjaft i madh, në mënyrë që të arrijmë ta përballojmë me sukses këtë sfidë.

Pozitiv për ne është fakti se Elbasani është i plotë dhe mendoj se kemi shanse për tu kthyer me fitore nga kjo transfertë, ka thënë mes të tjerash Elhan Galica, sulmuesi kryesor i verdhebluve. Ai premton se do të shënojë në portën e Luftëtarit, pasi stadiumi i Gjirokastrës ka qenë gjithmonë me fat për të: Kam shënuar shpesh në Gjirokastër dhe jam i sigurt se do të shënoj edhe të mërkurën një gol të rëndësishëm për Elbasanin, ka shtuar sulmuesi shkodran.

Bella Jam në të njëjtën linjë me Galicën. Ndeshja e së mërkurës është nga më të vështirat, pasi dihet që Luftëtari është një kundërshtar shumë i fortë, që jo rastësisht qëndron në vendin e parë. Ne do të mundohemi ta surprizojmë duke marrë një rezultat pozitiv në fushën e tij, pasi besoj se edhe përbërja jonë nuk është më pak cilësore se e gjirokastritëve. Do të sakrifikojmë për Elbasanin, pasi e ndiejmë për detyrë ta bëjmë këtë gjë, duke synuar rikthimin e ekipit në superiore, ku i  takon të jetë gjithmonë, u shpreh Aldo Bella.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›