E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipërisë i munguan shumë, mbi të gjitha ATA

Nga Bashkim Tufa

Ata munguan mbrëmë Flamuri i madh kuqezi, që ecte nëpër shkallët e tribunës përballë, mungoi Munguan nëpër rrugë, para dhe pas ndeshjes, boritë dhe makinat e stolisura me flamurin tonë kombëtar Tirana u mbështoll nga errësira e natës, e zymtë dhe e trishtë. Jo aq nga humbja e kombëtares në miqësoren ndaj Azerbajxhanit.

Asaj i mungoi diçka më shumë i mungoi mjedisi kuqezi. I munguan ATA, që kuqezinjtë tanë i bënin me krahë, u jepnin oksigjen, forcë dhe energji. Munguan Tifozët Kuq e Zi, Ata që na drithëronin Ata që na rritën krenarinë kombëtare dhe që bashkonin një komb të tërë brenda Qemal Stafës Ata që mësuan edhe fëmijët të thërrisnin: O sa mirë me qenë shqiptar!

Mbrëmë, stadiumi kombëtar Qemal Stafa ishte i shëmtuar, mbretëronte një qetësi mortore. Në fushë dëgjoheshin fjalët e futbollistëve, që i flisnin njeri-tjetrit. Dekori kuqezi mungonte. Mungonin tifozët, shpirti dhe zemra e kombëtares, Ata që ua kthenin Qemal Stafën në makth dhe ferr kundërshtarëve.

Ata munguan në shenjë proteste për një hatërmbetje. Pavarësisht arsyeve, ATA gabojnë. Kombëtarja nuk është as e FSHF-së dhe aq më pak e presidentit Duka. Ajo është e të gjithëve, është simbol i të gjithë kombit shqiptar. Kombëtarja ka nevojë për ATA, por edhe ATA kanë nevojë për kuqezinjtë.

Mbrëmë kombëtarja humbi 0-1 ndaj Azerbajxhanit. Bashkë me ndeshjen humbi edhe ATA, tifozët e saj, të cilët, përherë, si në Tiranë, por edhe jashtë, i janë gjendur pranë. Dashtë Zoti që ky zemërim të mos zgjasë!

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›