Ciko: Luftëtari, me seriozitetin e duhur ndaj Elbasanit
Në duelin Luftëtari-Elbasani ka jo pak histori. Kështu, kur i dyti në sezonin 2005-2006 shpallej kampion kombëtar për herë të dytë, bashkë me të edhe gjirokastriti Arlind Nora, i pari ngjitej për herë të fundit në superligë, ku luajti vetëm sezonin pasardhës. Në fazën e parë të atij sezoni, në përbërje të Elbasanit ishte edhe Bledar Devolli, pra dy kolosët e fundit gjirokastritë kanë ndikuar për suksesin e tij.
Ndërkaq, nuk mund të mos përmendësh portierin aktual të Elbasanit, Irakli Toçin, i cili më shumë i ka shërbyer Luftëtarit se ekipit mëmë, madje ka qenë në Gjirokastër edhe në sezonin 2006-2007, i fundit në superiore. Po të hulumtosh në thellësi të sezoneve, spikat humbja që i ka shkaktuar Luftëtari Labinotit (Elbasani sot) në sezonin 1983-1984, kur elbasanasit u shpallën për herë të parë kampionë.
Dhe në ndeshjen e fundit në Elbasan, gjirokastritët prishën festën, duke e mundur. Por tani dy fatkeqët kërkojnë kthimin në superligë. Duke qenë se shumicën e fitoreve ekipet në përgjithësi i marrin në fushat e tyre, kuptohet që këtë radhë kjo i takon Luftëtarit. Kristaq Ciko, trajner i dytë i ekipit gjirokastrit, thotë:
Jemi në atë çast kur kemi kaluar me një rezultat të kënaqshëm një ekip me tradita në fushën e tij, siç është Besa. Luftëtari tregoi se dhe në një transfertë të tillë, ndër më të vështirat, është pretendent ambicioz për superligën. Patjetër që edhe kjo ndshje ka të metat e veta, që i analizuam me grupin e futbollistëve dhe gjatë gjithë këtyre ditëve po punojmë për minimizimin e tyre, duke kryer stërvitje serioze.
Kemi punuar me 2 seanca në 4 ditë, po tani do të reduktohen për të përballuar Elbasanin të mërkurën. Për arsye kartonësh nuk do kemi mesfushorët Çaço dhe Mersini, por, nisur nga kontigjenti që ka këtë sezon Luftëtari, mungesa e tyre rezulton e padëmshme, sepse edhe të tjerët që do të luajnë kanë një diferencë jashtëzakonisht të vogël.
Kërkojmë nga gjithë futbollistët e grupit që, këtë seriozitet që manifestojnë në procesin stërvitor, ta mbajnë dhe ta përforcojnë në ndeshjet që na presin, veçanërisht me Elbasanin, që është ndër rivalët kryesorë, pavarësisht nga renditja aktuale. Së fundi, dua të falënderoj grupin e tifozëve gjirokastritë, që erdhen dhe na mbështetën në Kavajë. U bëj thirrje që të mërkurën të vijnë sa më shumë për të na inkurajuar në mënyrë sportive, siç bënë edhe ndaj Besës. Besoj se çdo gjë do të shkojë sipas parashikimeve.
