Kombi shqiptar ndan me kombin mik amerikan hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore
Kryeministri Berisha ngushëllon presidentin Obama për tragjedinë në bazën ushtarake të Teksasit
Kryeministri Sali Berisha, i dërgon presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, një telegram ngushëllimi për tragjedinë e ndodhur në bazën e Fort Hood, Teksas, ku humbën jetën 13 ushtarakë dhe u plagosën 30 të tjerë. Në mesazhin e tij drejtuar presidentit amerikan, kryeministri Berisha shpreh dhimbjen për këtë ngjarje të rëndë dhe ngushëllon të gjitha familjet e viktimave. “Me keqardhje të thellë mësuam për ngjarjen tragjike në bazën ushtarake të Fort Hood, Teksas, ku si pasojë e goditjes së pabesë me armë zjarri humbën jetën 13 dhe u plagosën 30 ushtarakë dhe qytetarë të tjerë të pafajshëm amerikanë, të cilët i ishin përkushtuar një misioni fisnik e shumë të vlerësuar”, thuhet në telegramin ngushëllues të kryeministrit Berisha.
Kreu i qeverisë shqiptare, shpreh më tej se kombi shqiptar ndan me kombin mik amerikan hidhërimin e thellë për humbjen e jetëve njerëzore.
“Më lejoni që, në këtë çast zije kombëtare, të ndaj me Ju, qeverinë dhe kombin mik amerikan, si dhe forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore, si edhe t’Ju përcjell, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, por edhe në emër të të gjithë shqiptarëve, ngushëllimet dhe ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor, për këtë humbje të madhe, për familjet e viktimave dhe kombin tuaj, si edhe t’Ju uroj shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit. Dëshiroj t’Ju siguroj se të gjithë shqiptarët ndajnë me Ju, me familjet e viktimave dhe me kombin mik amerikan, dhimbjen për këtë humbje të rëndë dhe luten që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e amshuar”, i shkruan ndër të tjera kryeministri Berisha presidentit të SHBA-ve, Barak Obama.