U zhvillua sot mbledhja për reformimin e sistemit të ndihmës sociale dhe luftën kundër mjerimit

Kryeministri theksoi se ndihma ekonomike duhet të përfshijë të gjitha detyrimet që familjeve në nevojë u lindin me shtetin dhe të cilave nuk kanë mundësinë t’u përgjigjen, si shkollimi, librat, bursat për fëmijët, energjia dhe të gjitha aspektet e tjera të jetesës së tyre që nuk përballohen dot prej familjeve në nevojë dhe se nuk duhet të ketë më asnjë pengesë ekonomike për familjet e varfra për të shkolluar fëmijët e tyre.
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, pranë Këshillit të Ministrave, u zhvillua një mbledhje për ndihmën ekonomike dhe shërbimet shoqërore si dhe për strategjitë në luftën kundër mjerimit, në kuadër të vendosmërisë dhe prioritetit më të madh që qeveria shqiptare ka në luftën kundër mjerimit në familjet shqiptare.
Në këtë mbledhje merrnin pjesë aktorët kryesorë të angazhuar në reformimin e sistemit të ndihmës sociale, zoti Ridvan Bode, Ministër i Financave, zoti Spiro Ksera, Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, zoti Kastriot Sulka Zv/Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, zonja Evelina Koldashi, Drejtoreshë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore si dhe anëtarë të komisioneve parlamentare, të lidhura me iniciativën e ndërmarrë nga Ministria Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për përmirësime në Ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”.
Diskutimet gjatë kësaj mbledhjeje u përqendruan në fillimin menjëherë nga puna të Grupit të Punës i cili do të merret me reformimin e thellë të nevojshëm të sistemit të ndihmës ekonomike, me qëllim një efikasitet më të lartë në shpërndarjen e fondeve në këtë drejtim dhe luftën kundër përfitimeve të padrejta dhe informalitetin në dy grupe shoqërore në nevojë siç janë përfituesit e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.
Lidhur me këto aspekte u rrahën mendimet e ekspertëve të pranishëm në drejtim të rishikimit tërësisht të skemës dhe programeve të ndihmës ekonomike, rëndësisë së digjitalizimit të listës së personave në ndihmë ekonomike dhe atyre me aftësi të kufizuar, fleksibilitetit më të madh në kriteret përcaktuese të kërkuara për përfitimin e ndihmës ekonomike, shqyrtimit të kuadrit ligjor në bazë të drejtësisë sociale, një rishikim dhe rihartim të programit të punësimit me interes komunitar me fokus tek këto kategori në nevojë si dhe domosdoshmërinë e një kontrollueshmërie më të lartë të skemës së ndihmës sociale ndaj kategorive përfituese.
Kryeministri Berisha u shpreh se janë shumë familje në zonat rurale të cilat nuk sigurojnë dot bukën çfarëdo që të bëjnë dhe që nuk kanë kushte që të prodhojnë produkte të tjera apo të blejnë bukën, ndaj duhet t’u sigurohet atyre gruri mbi bazën e kritereve të caktuara. Kryeministri theksoi se fondet e çliruara nga rishikimi i skemës dhe shpërndarja më e drejtë e tyre duhet t’i shkojnë me përparësi përsëri këtyre zonave rurale me varfëri të thellë por duhet gjetur mënyra apo skema e duhur për këtë.
Kryeministri nënvizoi faktin se kategoria e nënave me shumë fëmijë jetimë në mënyrë absolute ka një trajtim të papranueshëm dhe se duhet rishikuar se në cilat aspekte do i jepet ndihma kësaj kategorie, ndihmë e cila duhet të konsistojë jo vetëm për librat e shkollës por edhe për ilaçet dhe për të gjitha ato aspekte për të cilat këto grupe në nevojë nuk përgjigjen dot, pra ndihma financiare do të shtrihet më gjerësisht si dhe do të reformohen kushtet e kërkuara në këtë drejtim, me qëllimin e vetëm çlirimin e fondeve të cilat do t’i shkojnë komunave dhe zonave më të varfra, si mënyra më efikase për luftën kundër varfërisë dhe mjerimit.
Në këtë aspekt, duke u fokusuar në problemin e rëndë të abuzimeve, shpërdorimeve dhe informalitetit në sistemin e ndihmës sociale, Kryeministri Berisha dhe Ministri i Financave, zoti Bode veçuan faktin se janë gjetur këshilla ku të gjithë këshilltarët janë futur në ndihmë ekonomike duke e ndarë atë mes tyre, dukuri kjo e papranueshme. Kjo dhe të tjera raste abuzimi, sjellin nevojën e kontrollit më të madh të skemës dhe bashkëpunimit të nëpunësve të ministrisë dhe komunitetit në këtë drejtim.
Kryeministri Berisha theksoi se ndihma ekonomike duhet të përfshijë të gjitha detyrimet që familjeve në nevojë u lindin me shtetin dhe të cilave nuk kanë mundësinë t’u përgjigjen, si shkollimi, librat, bursat për fëmijët, energjia dhe të gjitha aspektet e tjera të jetesës së tyre që nuk përballohen dot prej familjeve në nevojë. Nuk duhet të ketë më asnjë pengesë ekonomike për familjet e varfra për të shkolluar fëmijët e tyre, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në këtë mbledhje u diskutua gjerësisht dhe për ndihmën financiare për personat me aftësi të kufizuar dhe për dukurinë e papranueshme të abuzimeve dhe shpërdorimeve në kuadër të fondeve për këtë kategori të shoqërisë.
...