Olldashi: Bashkia e Tiranës gënjen. Rama e pranon vetë që trualli ndërmjet Rr.së Kavajës dhe Durrësit është pronë publike

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi deklaroi sërish sot se prona midis Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit në Tiranë, është shtetërore. "Ndërhyrja e MPPTT-së u bë në një truall publik", deklaroi Olldashi, ndërsa shtoi se "në një shkresë të firmosur nga administratori i përgjithshëm i Bashkisë, Artan Agolli, më datë 1 prill 2009 drejtuar zotit Patriot Çobaj, drejtor i zyrës rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Tiranë, thuhet se nga verifikimi që u krye në hartën treguese të pasurisë dhe librin e ngastrave rezulton se brenda konturit të pronës së këtij subjekti figuron pronë shtetërore publike trotuar, rrugë, lulishte, si dhe Dhoma e Tregtisë". Sipas kreut të MPPTT-së, shkresa mban datën 29 korrik 2009 dhe thuhet se: "Bashkia e Tiranës me shkresën e datës 1 prill drejtuar zyrës rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në lidhje me pronën e subjektit, Osman Kika dhe trashëgimtarëve të tij, ka shprehur vullnetin e saj për mosprecedim për kthim fizik. Sa më sipër në përmbushje të detyrimit ligjor të përcaktuar në ligj autorizojmë ndjekjen e procedurave ligjore nga institucioni juaj, pasi është cënuar prona publike shtetërore". "Bashkia e Tiranës ështe në dijeni të faktit që ajo është një pronë publike, e cila është shkelur në mënyrë të parregullt, por janë interesat më të pista që janë të lidhura me këtë truall dhe që janë afër zyrës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ato që bëjnë të gënjejnë Z.Rama". Në fund të javës që shkoi Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit nisi punën për mbylljen e një territori në qender të Tiranës, konkretisht ndërmjet rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit. Por Bashkia e Tiranës reagoi se po shkel kompetencat e Bashkisë, si dhe po ndërhyn në pronë private.
Fjala e plotë e ministrit Olldashi
Detyrohem të dal prapë përpara jush, për të sqaruar edhe një herë pozicionin e Ministrisë së Punëve Publike, kundrejt problemit të lulishtes në kryqëzimin e rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës. Nga Bashkia e Tiranës po vazhdohet të gënjehet në mënyrë të paskrupullt veçanërisht për pronësinë e truallit dhe për këtë e ndjej të nevojshme që të verifikoj dhe t’ju jap argumente shtesë që përse Ministria e Punëve Publike është në të drejtë, si dhe të përpiqemi së bashku të gjejmë cilat janë motivet që detyrojnë Bashkinë e Tiranës, zyrtarët e saj madje edhe deputetë të Partisë Socialiste të kryeqytetit të gënjejnë në mënyrë të paskrupullt përpara jush.
Kemi thënë që ndërhyrja u bë në një truall publik dhe unë këtë radhë nuk do të përdor më argumentet e Qeverisë Qendrore, por do t’ju vë në dispozicion disa shkresa të vetë Bashkisë së Tiranës. Kjo është një shkresë e firmosur nga Administratori i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Z.Dritan Agolli, me datë 1 prill 2009 drejtuar zotit Patriot Çobaj, drejtor i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Tiranë. Nuk besoj që meqënëse data e shkresës është 1 prilli, zoti Agolli të na ketë gënjyer për hir të festës.
Në këtë shkresë thohet : ” Nga verifikimet që u kryen me Hartat Treguese të Pasurisë dhe Librin e Ngastrave rezulton se brenda konturit të pronës së këtij subjekti , bëhet fjalë për familjen Kika, figuron pronë shtetërore publike trotuar e rrugë me nr. Pas. 2/102, 2/9 3, 2/88 trotuar dhe lulishte me nr. Pas 2/89, 2/90, si dhe Dhoma e Tregtisë me nr.pas 2/95”.
Mbi bazën edhe të kësaj shkrese të Administratorit të Përgjithshëm te bashkise së Tiranes , Avokatura e Shtetit ka kërkuar autorizimin për të ndërhyrë dhe për të rrëzuar një vendim të parregullt të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Dhe për ta bërë këtë është dashur të lëshohej autorizimi i Bashkisë së Tiranës.
Më datë 17 korrik 2009, zyra e Avokaturës së Shtetit, zyra e Tiranës, i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës që të japë autorizimin për të proceduar për goditjen administrative të vendimit të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që njeh si pronar familjen Kika në truall shtetëror.
“Nga analiza që ne i bëjmë këtij vendimi na rezulton se ndaj tij duhet të ushtrojmë ankim, por në zbatim të nenit 5, gërma “e” e ligjit është e nevojshme marrja e autorizimit nga ana juaj, pra nga ana e Bashkisë”.
Por ka qenë Bashkia e Tiranës, e cila në mënyrë korrekte i është përgjigjur kësaj shkrese, por kësaj here me firmën e kryetarit të saj, zotit Rama. Shkresa mban datën 29 korrik 2009 dhe thuhet se:
”Bashkia e Tiranës me shkresën e datës 1 prill drejtuar Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në lidhje me pronën e subjektit, Z.Osman Kika (trashëgimtarëve të tij), ka shprehur vullnetin e saj për mosprecedim me kthim fizik.
Sa më sipër në përmbushje të detyrimit ligjor të përcaktuar në ligj autorizoj ndjekjen e procedurës ligjore nga institucioni juaj, pasi me vendimin e “206” të 26 qershorit 2009, Zyra e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të Qarkut Tiranë është cënuar prona publike shtetërore, pasqyruar në zonat e përcaktuara në hartën treguese bashkëlidhur”.
Të gjitha këto dukumente që ne vëmë në dispozicion, tregojnë vetëm një gjë , që zoti Rama dhe e gjithë Bashkia e Tiranës janë qartësisht në dijeni të faktit që ajo është një pronë publike, e cila është shkelur në mënyrë të parregullt.
Se cilat janë shkaqet që e detyrojnë Edi Ramën, Bashkinë e Tiranës dhe deputetët socialistë të dalin dhe të gënjejnë në mënyrën më të pahijshme, kjo është lehtësisht e marrur me mend.
Nuk ka asnjë gjë tjetër që do ta detyronte një korpus zyrtarësh dhe politikanësh të dilnin dhe të gënjenin publikisht para të gjithëve, përveç se interesave më të pista që janë të lidhura me këtë truall dhe që janë afër zyrës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Unë u tregova shkresat ku dhe vetë Edi Rama pranon që vetë prona është publike, ku administratori i Përgjithshëm i Bashkisë i drejtohet Avokaturës së Shtetit, duke i thënë që kjo pronë është publike. Ndërkaq, ata befas dalin dhe thonë që kjo pronë nuk është më publike dhe se shteti po cënoka pronën private.
Atëherë të gjithëve na lind e drejta që të bëjmë pyetjen se kush fshihet pas gënjeshtrave të zotit Rama, interesat e kujt dhe sa vlejnë këto interesa në para?
...