Kombinat, nis zëvendësimi i rrjetit të amortizuar të energjisë

Pas ndërtimit të nënstacionit të ri, në Kombinat ka nisur puna për zëvendësimin e rrjetit shpërndarës të energjisë si dhe të kabinave ajrore, shkruan ATSH.
Rrjeti aktual 6 kilovolt, për shkak të amortizimit dhe kapacitetit të ulët, do të zëvendësohet me rrjetin e ri 20 kilovolt, i cili do të rrisë ndjeshëm cilësinë e furnizimit për të gjithë abonentët dhe sigurinë energjetike.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punën që po bëhet nga ana e grupeve të OSHEE-së.
Balluku theksoi se ndryshimi i kabinave nga 6 kV në 20 kV erdhi për shkak të amortizimit por edhe pas kërkesës në rritje për furnizim me energji pas Kombinati është një ndër zonat që ka patur një shtim të lartë të numrit të banorëve në 10 vjeçarin e fundit.
Njëkohësisht ministrja Balluku u ndal edhe në situatën e furnizimit me energji në vend gjatë këtyre ditëve të ftohta, ku theksoi se falë punës së grupeve të OSHEE-së u bë e mundur ndërhyrja në kohë reale për riparimin e çdo defekti duke siguruar kështu furnizimin pothuajse pa ndërprerje me energji për konsumatorët.
“Jemi gati me 1500 punonjës në të gjithë territorin dhe 340 mjete për çdo avari e problematikë. Sot vetëm 4 fidera nga 36 që kishin pësuar defekt janë ende jashtë funksionit”, u shpreh ministrja.
Ja kemi dalë, theksoi Balluku, falë investimeve të mirëstudiuara të kryera në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, edhe pse u përballëm me reshje të shumta pothuajse dyfish në sasi.
Kombinati është një nga zonat e bashkisë së Tiranës që ka pësuar dëmtimet më të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ministrja Balluku bëri të ditur se në këtë njësi administrative do të ndërtohet një qyteze e re, ndërsa ka përfunduar procesi i demolimit të pallateve dhe banesave të klasifikuara si të pariparueshme.
OSHEE, tha ajo do t’i përgjigjet me të gjithë infrastrukturën e nevojshme planit të ri që ka Kombinati.