E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sipas Islamit, PS-ja, si e ndarë, edhe e bashkuar me LSI-në, e humbur ka dalë. Vërtet?!

Nga Eduard Zaloshnja

Në një analizë të publikuar në gazetën Panorama dhe shqiptarja.com, Kastriot Islami analizonte rezultatet elektorale që nga viti 2005 e këtej dhe arrinte në përfundimin se PS-ja, si e ndarë me LSI-në, edhe e bashkuar me të, del e humbur në garat me PD-në. Në fakt, garat elektorale mes PD-së dhe PS-së mund ti shohësh nga këndvështrime të ndryshme, por më të rëndësishmet, pa asnjë diskutim, kanë qenë ato për kryeministrin e Shqipërisë dhe për kryebashkiakun e Tiranës. Dhe në këto gara, qysh prej krijimit të LSI-së, pozicioni i saj (me apo kundra PS-së) ka qenë absolutisht vendimtar. Dikush mund të thotë se vendimtar ka qenë roli i KQZ-së dhe jo i LSI-së, por si do ta shpjegonte ky dikush faktin që koalicioni PS-LSI i dha 22 mijë vota avantazh Edi Ramës në 2007-ën në Tiranë, ndërkohë që KQZ-ja kontrollohej nga Berisha? Ndërsa në 2011, kur LSI-ja ishte kundër Edi Ramës, avantazhi prej 22 mijë votash u kthye në një avantazh prej vetëm 10 votash në Tirane

Në 2005-ën, Berisha u bë kryeministër me më pak se 42% të votës popullore, sepse vota e majtë u nda kryesisht mes PS-së dhe LSI-së. Në qoftë se PS-ja do të kishte qenë në koalicion me LSI-në, Berisha nuk kishte ASNJË shans të bëhej kryeministër. Në të njëjtën mënyrë, Berisha u rizgjodh në 2009-ën si kryeministër me më pak se 47% të votës popullore, sepse vota e majtë u nda kryesisht mes PS-së dhe LSI-së. Në qoftë se PS-ja do të kishte qenë në koalicion me LSI-në, kryeministër do të zgjidhej një i majtë me të paktën 72 vota në Kuvend.

Për kujtesë, Kastriot Islami ishte personi që i sugjeroi Edi Ramës sistemin elektoral në 2008-ën dhe që publikonte atëherë analiza ku konkludonte se koalicioni i PS-së, pa LSI-në, do të fitonte 72-75 mandate parlamentare. Ndërsa tani ka arritur në përfundimin se PS-ja, si e ndarë me LSI-në, edhe e bashkuar me të, del e humbur në garat me PD-në. Përse Islami ka ndërruar opinion në lidhje me rolin e ndarjes së votës së majtë në ardhjen dhe ndëjtjen e Berishës në pushtet, mund ta dijë ai dhe, ndoshta, njerëzit e tij të afërt. Por të bën përshtypje fakti që kjo analizë u publikua pasi qarkulluan zëra për një ndarje të Ilir Metës me Berishën dhe një afrim të tij me PS-në.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›