Një axhendë fallco!
Nga Mero Baze
Shqipëria mund t’ia dalë të marrë një gjysmë ftese për tu përfshirë në vendet me statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, duke iu kushtëzuar pjesa e dytë e ftesës pas zgjedhjeve parlamentare të pranverës 2013 dhe standardit të tyre. Do të ishte mirë të ndodhte kjo, jo se e meritojmë ftesën, por se nuk meritojmë hipokrizinë ndaj ftesës të atyre që kanë detyrë të plotësojnë kushtet. Dymbëdhjetë kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian, që përmbajnë një paketë ligjesh të nevojshme për përafrim legjislacioni dhe një reformim real të institucioneve dhe funksionimit të shtetit ligjor, janë keqkatandisur nga politika shqiptare në një debat tërësisht fallco mbi imunitetin dhe në një degradim të përmbajtjes së këtyre kushteve në paragrafë dhe nene teknike.
Marrja e kësaj gjysmë ftese nuk ka ndonjë vlerë reale për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Evropë, pasi ajo është një rrugë e gjatë dhe plot të panjohura, por ka rëndësi që të hiqet nga axhenda elektorale e qeverisë dhe opozitës pasi është një axhendë fallco, e cila po i merr kohë dhe energji debatit real për spiralet e rrezikshme politike dhe financiare ku po hyn vendi. Ne realisht jemi shumë larg plotësimit të kushteve, por dhënia e ftesës edhe kaq është vonuar më shumë se ndaj çdo vendi tjetër ballkanik, të cilët po ashtu e kanë marrë këtë ftesë pa plotësuar ndonjë kusht serioz. Maqedonia e ka marrë atë në mes të luftës civile, Serbia në prag të rikthimit të nacionalistëve të Milosheviçit dhe Mali i Zi në kulmin e mbretërimit të një oligarkie të korruptuar në pushtet. Problemi ynë është se jo vetëm që nuk e meritojmë, por bëjmë sikur po debatojmë dhe po përmbushim kushtet që na kërkon Evropa dhe kjo është një axhendë fallco që duhet hequr nga rendi i ditës..
Kjo axhendë fallco, e cila ka muaj që na ha kohë dhe energji për kushtet teknike, është fallco për shkak të injorimit të asaj çfarë është thelbësore për një vend që kërkon të anëtarësohet në Evropë. Ne jemi një vend nën sundimin e pushtetit absolut tashmë të një Familjeje, e cila ka në dorë gjithë pushtetet, gjithë vendimmarrjen për pasuritë kombëtare dhe gjithë vullnetin për të mos lejuar rrotacion politik në Shqipëri. Para këtij realiteti çdo kusht teknik është qesharak. Kushtet e natyrës politike që kërkojnë vullnet politik dhe shtet ligjor, siç është lufta kundër korrupsionit apo pavarësia e sistemit të drejtësisë, të cilat janë po ashtu shumë të lidhura me njëra- tjetrën, janë kushte të cilat jo vetëm që i kemi përkeqësuar, por i kemi futur në një spirale përkeqësimi të mëtejshëm. Shqipëria nuk ka asnjë zyrtar të lartë të ndëshkuar për korrupsion, edhe pse rastet kanë qenë flagrante. Gjyqësori shqiptar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Sali Berishës ka devijuar procese gjyqësore në procese teknike, ka shpëtuar ministra nga burgu duke sajuar vonesa teknike dhe teka avokatësh, ka shpëtuar zëvendëskryeministra nga burgu duke sajuar ekspertë dhe duke hedhur poshtë ekspertiza perëndimore dhe mbi të gjitha ka degraduar gjyqe të një rëndësie historike për Shqipërinë siç është gjyqi i 21 janarit në një farsë edhe pse dosja e hetimit erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pos të tjerash ky ka qenë një kusht i shqiptuar dhe nga Stefan Fyle për marrjen e ftesës. Tashmë ky shans nuk mund të ringjallet. Gjyqi i 21 janarit është kthyer nga gjyq ndaj vrasësve në një gjyq ndaj të vrarëve. Berisha e shmangu këtë gjyq kur Prokuroria, Presidenca dhe SHISH ishin ende jashtë kontrollit, por nën presionin e tij. Tashmë që edhe këto institucione kanë rënë, të shpresosh që drejtësia do të jetë e pavarur dhe që do të guxojë jo më të dënojë, por as të shfletojë ndonjë dosje ku flitet për pushtetin, është naivitet.
Pra, ne jo vetëm që jemi realisht shumë larg kushteve që duhet të plotësojë një vend për të marrë ftesën për kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, por jemi në krah të kundërt, duke i ikur çdo ditë standardeve dhe modelit të një vendi që mund të ecë kah Perëndimi.
Vetëm disa javë më parë kryeministri i vendit, kundër vullnetit dhe vëmendjes së qeverisë së SHBA, shkarkoi drejtorin e SHISH dhe vendosi me karshillëk pa e konsultuar me aleatët perëndimorë një ushtar të tij vetëm për të pasur nën kontroll çdo mekanizëm që kishte nën kontroll veprimtarinë e tij dhe Familjes së tij në pushtet. Gjeste të tilla dhe spiralja antiperëndimore e shtetit shqiptar, si një shtet gati feudal ku kryeministri ka nën kontroll presidentin, SHISH, prokurorinë, gjykatat dhe gjithë mekanizmat për administrimin korruptiv të pasurive kombëtare, na japin ne fotografinë e një shteti batakçi, biles tashmë dhe të falimentuar, që do të kthehemi në problem jo vetëm për Bashkimin Evropian, por për çdo mik dhe aleat të Shqipërisë në botë.
Në këtë pikë, arritja pa lavdi tek marrja e ftesës vlen vetëm që ky debat fallco dhe i turpshëm për ato që skemi bërë, të marrë fund dhe ne të jemi nën karantinën e Bashkimit Evropian si një shtet i sëmurë që duhet shëruar dhe shpëtuar mes të tjerash nga falimentimi.
Axhenda fallco e integrimit, sidomos e recituar nga Sali Berisha, është një dhimbje koke e tepërt për qytetarët e këtij vendi, të cilët po sodisin se si pasuritë tona kombëtare po i shiten Azerbajxhanit, Rusisë dhe Kinës nga Familja në pushtet, e cila nuk harron të ndyjë gojën dhe duke folur për Bashkimin Evropian. Na shpëtoni nga kjo neveri dhe na e jepni atë ftesë. Ta kemi si stoli për pushtetin antievropian që kemi!
