Lëvizja Studentore dhe 100-vjetori i Pavarësisë
Në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë nuk ka se si të mos kujtohet dhe lëvizja me e madhe e shekullit që kaluam ajo që u quajt lëvizja për pluralizëm politik, lëvizja studentore. Memorja e shtetit shqiptar është dhe duhet të jetë gjithnjë e kthyer në ato ditë të lavdishme të një prej lëvizjeve më të qarta demokratike dhe me domethënës të fundviteve ‘90. Po afrohet dhjetori dhe 22 vitet e pluralizmit politik që do kremtohen në gjithë Shqipërinë, do japë dhe mesazhin e madh të konsolidimit të dy prej sloganeve të atyre ditëve të zjarrta “E duam Shqipërinë si gjithë Europa “ dhe “ Liri- Demokraci”. Këto dy thirrje të brendshme dhe entuziaste të atyre mijëra studentëve të qytetit “Studenti” dhe pjesës intelektuale të vendit dhanë frytet e saj duke qenë sot një vend i lirë e demokratik dhe për këtë një meritë i takon atyre studentëve të Universitetit të Tiranës që në 8 dhjetor 1990 së bashku me idhullin e tyre Azem Hajdarin ndërmorën hapin e madh të kërkesave dhe zhvillimeve të lëvizjes studentore me bazë pluralizmin politik. Mos të harrojmë që në këtë lëvizje nuk mund të thuhet që ka pasur vetëm student, protagonist të rreshtit të parë studentë që ishin në qytetin “Studenti” apo periferitë gjatë lëvizjes studentore, por gjithsecili prej tyre ka dhënë një kontribut në momentin e veçantë të atyre ditëve të mëdha për kombin shqiptar dhe Shqipërinë. Lëvizja lindi në qytet ”Studenti” dhe u përkrahë nga gjithë qytetarët e Shqipërisë të të gjitha bindjeve duke lënë në minorancë atë të keqe të madhe që kishte pllakosur vendin ajo që quhej kolera e kuqe e cila dhe ato ditë të ftohta mendonte dhe kërkonte me çdo kusht të mbante me thonjtë e përgjakur atë qeveri të kalbur, duke bërë presion ndaj qytetareve dhe intelektualeve të një vendi që kishte parë vetëm vuajtje, vuajtje dhe vetëm vuajtje. Viti i ndryshimeve të mëdha dhe fill pas pavarësisë së shteti shqiptar në 1912, krijimit dhe vendosjes të monarkisë të viteve 30 mendoj që është lëvizja më e qartë në kërkesa dhe në rrotacionin e ndryshimit të sistemit dhe qeverisjes nga një shtet monopartiak në një shtet pluralist politik demokratik duke e vendosur Shqipërinë në vendin e saj të munguar gjatë 46 viteve në zemër të Evropës. Sot 22 vjet me vonë këta studentë marrin përshëndetjet e mijëra qytetarëve të cilët nuk mund të harrojnë idealizmin e këtyre të rinjve që me përkushtimin dhe me lëvizjen e tyre vunë jetën e tyre në rrezik për të siguruar një jetë më të mirë, për ato dhe për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Po në këtë përvjetor të 100-të të shtetit shqiptar, të gjitha ata që kontribuuan për pluralizmin kanë vendin e merituar fal kontributit të dhënë dhe kujtohen se si kjo lëvizje dha për ndërrimin e sistemit dhe vendosjen e pluralizmit politik si dhe do të jetë një kujtesë për brezat e ardhshëm si një nga ngjarjet me te paharruara për te gjithë shqiptaret dhe Shqipërinë.
...