E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e policit të Burgut 313, lirohen dy vëllezërit e dyshuar

Viktima Ymer Hajdari, pas atentatit

TIRANE – Dy vëllezërit nga Burreli e banues në Mamurras, Beqir e Luan Xheçuka, u liruan mëngjesin e djeshëm nga qelia ku u mbajtën për gati 24 orë, në Policinë e Tiranës, si të dyshuar për vrasjen e policit të Burgut 313, Ymer Hajdari. Ata në asnjë moment nuk kanë pranuar të jenë autorë të krimit, duke pretenduar se ditën kur ka ndodhur ngjarja ata ndodheshin në Greqi. Duke qenë se policia nuk kishte asnjë provë për arrestimin e tyre, është vendosur që të lirohen. Vëllezërit u dyshuan si autorë të mundshëm të ngjarjes, për shkak se forcat speciale RENEA, gjatë kontrollit që ushtruan në banesat në Mamurras e Burrel, tri ditë më parë, pas vrasjes së policit Hajdari, të vetmit që nuk ndodheshin në shtëpi ishin Beqir dhe Luan Xheçuka. Pa kaluar as 24 orë nga vrasja e policit të Burgut 313, dyshimet e policisë për ndonjë arratisje të mundshme të tyre bënë që të porositej Policia Kufitare, për ndalimin e tyre, në rast se mund të kërkonin largimin nga Shqipëria. Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, Policia Kufitare ndaloi në Kapshticë, njërin nga vëllezërit, Beqir Xheçuka, 38 vjeç, i cili po tentonte të kalonte kufirin drejt Greqisë. Policia nuk e lejoi që ai të kalonte në anën tjetër të kufirit, duke e shoqëruar atë drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndërsa vetëm disa minuta më vonë, vëllai tjetër, Luan Xheçuka, u ndalua nga Policia e Komisariatit të Rinasit, kur edhe ai gjithashtu po tentonte të udhëtonte në linjë ajrore drejt Greqisë, nga aeroporti Nënë Tereza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›