Mitropoliti i “ushtrisë së vdekur”
Në fakt, konsiderohet si një nga klerikët e ekstremit ultra-nacionalist serb. I aftë për të mbledhur turma e për t’i nxitur ata drejt revoltave, mitropoliti i kishës ortodokse në Mal të Zi, Anfilohije Radoviç, është një personazh që nuk ka se si të mos jetë në vëmendjen e secilit nga ata që ndjekin hap pas hapi zhvillimet në pjesëzat e fundit të asaj çfarë ka mbetur nga ish-Jugosllavia. Ky klerik 70-vjeçar, i cili është pretendenti kryesor për të qenë pasues i patriarkut të kishës serbe, Pavel, në fakt më shumë njihet si zë i fortë i utopisë së Serbisë së madhe, përfshi dhe Kosovën e Metohinë, sesa një bari i mirë shpirtëror i fesë ortodokse, dominuese në Mal të Zi. Për këdo është e qartë se kemi të bëjmë me një kundërshtar të vendosur të pavarësisë së Kosovës dhe kjo është normale, por pakkush e di se plakushi mjekërthinjur është një nga antishqiptarët më të vendosur, mik i ish-diktatorit Millosheviç dhe kasapit të Ballkanit, Radovan Karaxhiç. Madje, me këtë të fundit, edhe i afërm i familjes. “Ne nuk duhet të njohim asnjëherë shtetet e kriminelëve shqiptarë”, - kjo deklaratë e klerikut revoltë-nxitës është bërë vetëm 3 javë më parë në Podgoricë, deklaratë që shkaktoi përplasjen e turmave të nacionalistëve pro-serbë me policinë, deri në dhunë ndaj institucioneve. Një javë më vonë, i pyetur nga “Rojters”, ai është kthyer në një lajmëtar të vdekjes teksa ka parashikuar një luftë të re në Ballkan nëse nuk do të zgjidhet çështja e trojeve të pakicave serbe në Kosovë. Është ky klerik, i cili edhe me bekimin e shtetit malazez po tjetërson prej vitesh objektet shqiptare të kultit në krahinat autoktone katolike në Mal të Zi. Me diabolizmin tipik të akademive serbe, ai ka organizuar vendosjen e kryqeve e simboleve të tjera ortodokse në një numër të madh kishash katolike, “kambanë” që do të dëgjohet shumë mirë vite më vonë. Në të vërtetë, askush nuk do të kujtohej të rikthente në vëmendje matufëritë e plakushit me rasë, nëse në një ditë të bukur me diell ai nuk do ia behte në mes të Shkodrës, në kërkim të eshtrave të ushtarëve serbë të rënë gjatë luftërave ballkanike. Megjithëse është treguar shumë i kujdesshëm si në lëvizje, ashtu edhe në deklarata, Amfilohije nuk ka harruar të “këshillojë” përkujdesjen që duhet të tregohet ndaj eshtrave të ushtarëve serbë, bëmat e të cilëve janë përcjellë brez pas brezi në veri të Shqipërisë, si pushtuesit më të përgjakshëm, koleksionues veshësh dhe hundësh të malësorëve shqiptarë, si dhunues të grave e masakrues të fëmijëve. Këto bëma për fat të keq janë përcjellë brez pas brezi edhe në pinjollët e këtyre pushtuesve, të cilët bënë me Kosovën e pragshekullit të ri, pikë për pikë atë që bënë stërgjyshërit eshtrahumbur. Me gjithë këtë CV të “shkëlqyer” antishqiptare, ky prift i “ushtrisë së vdekur” është pritur si një mik i veçantë nga “gjeneralët” e pakicës malazeze në Shkodër, të cilët e kanë konsideruar Amfilohijen si një njeri të madh, që madje na bën nder me vizitën e tij. Ka kryer një guidë të plotë në gjithë rrethinat e Shkodrës, i shoqëruar nga ai grusht njerëzish që në këtë qytet, në këtë vend, kanë gjetur vetëm mirësi e respekt, gjest të cilin këta të fundit thjesht e kanë përdhosur.