Komemoracion për Podrimjen në ASHAK

Nëpërmjet një njoftimi për media, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, ka bërë të ditur të dielën se të hënën (sot) do të organizojë një mbledhje komemorative kushtuar poetit Ali Podrimja, trupi i pajetë i të cilit u gjet të shtunën, katër kilometra larg qytezës franceze Lodève, ku ishte ftuar për pjesëmarrje në festivalin e poezisë “Voix de la Mediteranee” (Zëri i Mesdheut).
“Me rastin e vdekjes së akademikut Ali Podrimja, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të hënën, më 23 korrik 2012, mbahet mbledhje komemorative. Mbledhja komemorative mbahet në orën 12, në mjediset e Akademisë”, thuhet në njoftimin e ASHAK.