E Shtunë, 31 Tetor 2026

Podrimja optimist, si një djalosh

Lajmi se njëri nga miqtë e tij më të mirë u nda tragjikisht nga jeta, shumë kilometra larg vendlindjes, e ka prekur thellë shkrimtarin Dritëro Agolli. Herën e fundit kur e pa, Aliu iu duk optimist, si një djalosh. Sot, thotë se do t’i mungojë zëri i tij, që s’do ta dëgjojë më kurrë.

Në takime me të, për intervista të ndryshme në shtëpinë e tij, na rastisi të dëgjonim për bisedat hokatare që kish bërë me Ali Podrimen. Se si poetët bisedonin deri pas mesnate, se si Podrimja vinte e rrinte nga një javë të tërë në shtëpinë e Dritëroit, se si ky i fundit një muaj më parë i kishte thënë se do të jetonte 100 vjet...

Dritëroi e kishte përmendur shpesh dhe kishte folur me vlerësime të larta për poetin dhe njeriun Podrimja, për mikun Ali.

Nuk ishte fort e lehtë ta merrje në telefon as për ngushëllim dhe as që t'i kërkoje ndonjë fjalë nderimi, megjithëse ai vetë e pa të arsyeshme të fliste për Pdorimen; t'ia thoshte dy fjalë mikut, edhe pse ky s'do t’i dëgjonte më kurrë. I rëndë dukej telefoni në çastet kur i shpreh ngushëllime Dritëroit.

Në të qindtën e sekondës, kushedi sa kujtime i parakalojnë në mendje; kushedi sa biseda e të qeshura; kushedi sa net dimri e vere të kaluara në Tiranë - në shtëpinë pranë Teatrit të Operës; kushedi sa plane të lëna në gjysmë kaq dhunshëm; kushedi sa premtime të thyera prej atij që, krejt padashje, u bë "besëthyer" - duke anuluar dhe ardhjen e përvitshme të gushtit në Tomorr.

Por, duket se në kujtimet Dritëroit Podrimja jeton ende si një njeri aktiv, si ai miku që e takonte në Çorovodë e në Berat, si ai njeriu që ishte një zog i lirë që udhëtonte pa fund, e i cili, si një zog, edhe fundin e pati larg folesë. Dritëro Agolli rrëfen si e njohu e si do ta mbajë mend poetin e dhimbjes dhe dashurisë, Ali Podrimjen.

Si e pritët lajmin e vdekjes së Ali Podrimjes?

Lajmi për vdekjen e Ali Podrimjes na ka mërzitur, na ka pikëlluar. Jo vetëm ne që e njihnim, por edhe ata që kanë lexuar poezinë e tij. Ishte një poet nga më të shquarit e shqiptarëve, në të dy anët e Shqipërisë - edhe këtej edhe andej Drinit. Ali Podrimja ishte një njeri aktiv edhe sa i takon problemeve të shoqërisë e jetës së njerëzve, këtu në Shqipërinë zyrtare dhe andej në Shqipërinë tjetër. Më duhet të them se ka qenë një shok i mirë për të gjithë poetët. Nuk ishte ziliqar, e as xheloz. I donte poetët e Shqipërisë e të Kosovës, shkruante për ta dhe i linte mënjanë mëritë, xhelozitë e zilinë. Është humbje e madhe ikja e tij. Është humbje për njerëzit edhe për ne poetët.

E takonit shpesh?

Sa herë që vinte në Tiranë më vizitonte në shtëpi, jo vetëm viteve të fundit, por ka ardhur shpesh edhe para vitit 1990. I takonte të gjithë miqtë e tij, poetë e shkrimtarë. Shpeshherë ka ndodhur që kur vinte, të rrinte edhe një javë edhe 10 ditë këtu me mua, në shtëpinë time. Ka qëlluar që bashkë me të, të vinte edhe Azem Shkreli, poeti tjetër i njohur që po ashtu është ndarë nga jeta. Zakonisht qëndronte gjatë dhe rrinim zgjuar e bisedonim deri vonë pas mesnate. E kam ndjerë në ato biseda dinamizmin e tij, lëvizjet. Donte të ishte gjithnjë në udhëtime. Ishte një zog që fluturonte. I donte aq shumë udhëtimet saqë më ka qëlluar ta takoj edhe në Çorovodë, por shkonte edhe në Tomorr - tek teqeja - çdo muaj gusht.

Po hera e fundit që e keni takuar, kur ka qenë? Si dukej ai?

E kam takuar kur erdhi këtu, mbase, një muaj më parë. Ishte shumë optimist, madje, dukej si djalosh.

Ai ka qenë një moshë me bashkëshorten time, Sadijen, dhe i thashë se do të jetosh deri në 100 vjet. Ai iku, po la pas një emër të madh, dhe kjo ka rëndësi. Emri i tij nënkupton një poet të përmasave të mëdha. Do e mbaj mend si një njeri të dashur, si një njeri të mirë. Humbjen e tij e kemi përjetuar shumë keq, jo që s'do mund t'ia lexoj më poezinë e bukur, por sepse do të më mungojë zëri i tij, të cilin nuk do ta dëgjoj më.

(BW)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›