E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova është gjaku i tij që nuk falet

“Kosova është gjaku im që nuk falet”. Autori i këtij vargu emblematik në letërsinë shqipe, Ali Podrimja, është kujtuar sot nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, në një mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së tij në Paris.

Zëri i Aliut përmes poezisë, ishte krejtësisht origjinal, zë që më se pesë dhjetëvjetësha diti të skaliste qenësinë e qëndresës dhe të mbijetesës së popullit të tij, duke afirmuar kombin shqiptar, kulturën dhe shpirtin e tij edhe në suaza ndërkombëtare. Kështu u tha në mbledhjen komemorative të organizuar nga Akademia e Shkencave.

Me këtë rast, kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Hivzi Islami, duke folur para të pranishmëve, theksoi se Ali Podrimja jetoi dhe punoi për Kosovën dhe lirinë e popullit të saj, për idealet dhe objektivat e tij. Ai tha se ky poet i madh i këndoi Kosovës dhe shqiptarëve, dhembjes, vuajtjeve e sakrificave, por edhe shpresave të tyre dhe në këtë pikë mbeti i pakapërcyeshëm.

“Zëri i Aliut përmes poezisë, ishte krejtësisht origjinal, zë që më se pesë dhjetëvjetësha diti të skaliste qenësinë e qëndresës dhe të mbijetesës së popullit të tij, duke afirmuar kombin shqiptar, kulturën dhe shpirtin e tij edhe në suaza ndërkombëtare. Në misionin e këtij afirmimi e gjeti edhe vdekja jashtë atdheut, por në shërbim të atdheut, të kombit dhe të emancipimit të tij kulturor, duke mos e lënë kurrë anash as angazhimin në mbrojtje dhe afirmimin e vlerave universale”, tha Islami.

Sipas tij, Ali Podrmija do të mbetet një poet i madh, ngase tërë jetën ia kushtoi idealit të tij poetik dhe intelektual.

“Trashëgimia e ndritshme që la pas e bëjnë të pavdekshëm poetin e madh Podrimja, i cili deri në minutat e fundit nuk u ndal në rrugën e idealit të tij poetik dhe intelektual. Prandaj meriton t’i ngrihet një monument në zemrën e Prishtinës dhe të mbaj emrin e tij një institucion me rëndësi për jetën tonë kulturore dhe kombëtare”, ka thënë ai.

Ndërkaq, duke folur për jetën dhe veprën e poetit Ali Podrimja, akademik Rexhep Ismajli tha se është një humbje e madhe për miqtë, kolegët dhe familjarët, me të cilin çdo ditë bisedonin, shkëmbenin ide, prej të cilit dëgjonin, një refleks, merrnim një nxitje, shijonin një varg a një thënie. Sipas tij, kontaktet me poetët e mëdhenj, siç ishte Ali Podrimja, njerëzit i jetojnë përmes librave.

“Ne kishim privilegjin e madh që ta kishim me ne, të dëgjonim në çdo rast, me zërin e tij tek na i thoshte, vargjet e tij të thella, tek na i shpaloste figurat krejt të papritura. Por vetë Aliun se kemi më. Poezitë e Aliut, tregimet dhe shkrimet e tjera të shumta bashkë me shpirtin e tij të mbrojtura në to do t’i kemi pranë nesh, në librat dhe veprat e tij që na bën të ndjehemi krenarë që jetuam në kohën e tij, që e patëm midis nesh”, ka thënë Ismajli.

Trupi i pajetë i shkrimtarit Podrimja, pritet të kthehet të mërkurën në Kosovë. Ndërsa, në ditën e varrimit në ambientet e Akademisë do të bëhen homazhe.

Përndryshe, poeti Ali Podrimja, njihet si një nga poetët më të shquar shqiptar, ndër librat e tij më me zë janë “Lum Lumi”, poezia “Udhëtimi me Ujq”, pastaj “Gjaku im që nuk falet” etj. Për një kohë ka punuar si lektor në Rilindja. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Ai ndërroi jetë javën e kaluar, derisa po merrte pjesë në Festivalin e poezisë “Voix de la Méditerranée” në Paris të Francës. /kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›