E Diel, 1 Nëntor 2026

Koment i një ngjarjeje pa koment

Skandali i fundit në Parlament që pati për protagonistë kryeministrin Berisha, kryetaren e Parlamentit, Topallin dhe deputetin socialist Taulant Balla, bën pjesë në ato ngjarje që meritojnë diçiturën pa koment.

Skandali i fundit në Parlament që pati për protagonistë kryeministrin Berisha, kryetaren e Parlamentit, Topallin dhe deputetin socialist Taulant Balla, bën pjesë në ato ngjarje që meritojnë diçiturën “pa koment”. Kuptimi më i drejtpërdrejtë i kësaj diçiture është se ngjarje të tilla flasin vetë, madje nuk kanë nevojë as për kontekstin, ndonëse çdo ngjarje që të interpretohet drejt, ka nevojë për kontekstin e saj. Kjo sepse konteksti tashmë është i njohur, ai e ka sfondin e tij historik dhe kulturor. Skandali u dha edhe nga mediat e huaja, ku besoj se përveç përkthimit, fjalët komentuese edhe atje kanë qenë thuajse të panevojshme. Për ne komenti implicit është “ja se cilët jemi”, kurse për ta “ja se cilët janë”.

Nëse do të duam të përkthejmë konstatimin “ja se cilët jemi”, në rastin në fjalë besoj se na shkon një fytyrë e banalitetit të politikës sonë, që së bashku me irracionalitetin dhe arrogancën, prej kohësh denoncon vetveten edhe me akte të tilla. T’i kthehesh nga pozitat e kryeministrit një deputeti që bën një provokim në kufijtë e të lejueshmes, paçka se banal dhe sipërfaqësor, duke e sharë me nënë e me motër në sytë e të gjithëve, është shenjë alarmante. Por mua edhe më alarmante ma bëri situatën kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, sepse nëse Balla kishte marrë përsipër të provokonte dhe ia arriti, nëse Berisha e futi grepin e Ballës deri në angrrat e barkut dhe nxori prej andej, shumëçka nga ato që i nxjerr vetëm rakia apo tërbimi, kryetarja e Parlamenti ishte e qetë. Jo vetëm, por ajo e ka për detyrë të ruajë gjakftohtësinë e të jetë kryetare e të gjithëve. Kurse ajo mbajti një qëndrim në krahun e palës së vet, krejtësisht të padenjë për një kryetare parlamenti me arbitraritetin e sjelljes deri në përdorimin e fjalës “zhele” për një deputet. Jo vetëm, por skandali i saj u thellua, po të kemi parasysh se edhe më pas, kur kishte kohë të këshillohej e të reflektonte, ajo vendosi për përjashtimin e Ballës, duke e trajtuar Berishën si viktimë të tij, ndërkohë që ky i fundit ishte protagonisti i vërtetë i skandalit.

Komenti i rëndësishëm që meriton ky akt i Topallit dhe i gjithë atyre që i dolën në krah Berishës, me në krye këtë të fundit, është se kjo ngjarje tregoi që këta njerëz i ka korruptuar keq pushteti. Ata treguan në mënyrën më skandaloze se në vendin tonë vazhdojmë të jetojmë në sistemin e pandëshkueshmërisë së të pushtetshmëve, të cilët qenien e tyre në mazhorancë e identifikojnë me të drejtën, por që kanë edhe sigurinë që ua kanë dhënë bashkëkolegët e tyre, sot opozitarë, se edhe kur të dalin në minorancë, nuk do t’u hyjë gjemb në këmbë.

Një koment i dytë jo më pak i rëndësishëm është ai që lidhet me dinamikën që ka shkaktuar kjo ngjarje brenda PD-së dhe mbështetësve të saj. Berisha dhe Topalli nuk duhet të mendojnë se një ngjarje e tillë i lë indiferentë njerëzit. Nuk e kam fjalën për popullin e thjeshtë, se ai edhe mund të jetë indiferent përderisa ia ka futur vizën me kohë kësaj klase politike. E kam fjalën për ata njerëz që, në një mënyrë apo tjetrën, e kanë si të thuash profesion marrjen edhe me punët e politikës, ku do të fusja politikanë, intelektualë gazetarë, njerëz të shoqërisë civile. Një ngjarje e tillë i largon edhe më njerëzit e mençur dhe të ekuilibruar prej këtij takëmi politikanësh. Shumë prej tyre sot mund edhe të heshtin, se kështu ua do interesi, por pa dyshim, pas një ngjarjeje të tillë kredibiliteti i Berishës dhe i Topallit ka rënë edhe disa pikë më poshtë. Pas kësaj ngjarjeje, ata kanë më pak besueshmëri se në momente të vështira, që edhe mund t’u vijnë, do të sillen në emër të së drejtës dhe të interesit të përgjithshëm dhe jo të interesit të tyre personal. Madje, ata nuk japin asnjë garanci se këtë interes nuk mund ta çojnë deri në kufijtë e arrogancës më irracionale. Në një kuptim më politik, kjo do të thotë se Berisha dhe Topalli gjithnjë e më shumë pas ngjarjesh të tilla u mbeten rrotull vetëm besnikët e verbër, që më të shpeshtën janë edhe të dhunshëm, si dhe servilët më pa personalitet. Pra, nëse PD-ja në fushatën elektorale që e solli në pushtet dhe pas saj tregoi një hapje shumë të gjerë ndaj asaj pjese që, si të thuash, ishte e paanshme, madje edhe ndaj një pjese që kishte qenë kundër saj më parë, dora-dorës që ndodhin ngjarje të tilla, ku Gërdeci mbetet gjithsesi pika kulminante, shihet se ajo ngujohet në rrethin e ngushtë të militantëve të verbër. Kjo i bën edhe më agresivë liderët si Berisha e Topalli, pasi mungesa e mbështetjes kështu kompensohet: me agresivitet dhe arrogancë. Është një skenar i njohur dhe i provuar tashmë, ndaj të cilit kemi shumë më tepër imunitet nga ç’kemi pasur, por që gjithsesi është i mbarsur me plot rreziqe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›