E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri pershendet pjesmarresit e gares Gumball 3000

Me angazhimin e plotë të qeverisë dhe nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Berisha, u prit në Shqipëri, një nga turet më prestigjoze të makinave luksoze dhe rally në botë GUMBALL 3000. Ky tur që niset çdo vit nga Londra për në destinacione të ndryshme të Evropës dhe botës përfshiu këtë vit, për herë të parë edhe Shqipërinë.

Turi i makinave luksoze nisi me hyrjen në pikën kufitare të Qafë Thanës, kalimin në qytetet e Elbasanit, Rrogozhinës, Durrësit, duke u finalizuar në mbrëmjen e djeshme në sheshin "Nënë Tereza", në një atmosfere festive, duke shënuar kështu një eveniment unik për promovimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinise dhe Sporteve Z. Ylli Pango, këngëtari dhe regjisori i njohur Massimo Ranieri dhe personalitete të tjerë të artit dhe kulturës mirëpriti pjesëmarrësit në garë, në sheshin "Nënë Tereza."
Kryeministri u shpreh se gjithë Shqipëria ndihet e nderuar që u zgjodh si itinerar i garës së makinave luksoze. "Shqiptarët kanë shumë kohë që e presin këtë ditë, pasi ata vijnë me mesazhin e madh të paqes, të mirëkuptimit, të dashurisë, të suksesit. Ardhja e tyre për herë të parë në Shqipëri është një rast jashtëzakonisht i lumtur dhe i veçantë. Ky është një nder dhe shqiptarët ndihen shumë krenarë me praninë e tyre sot këtu", - u shpreh Kryeministri. Më pas, Kryeministri provoi vetë emocionet e kësaj gare duke shëtitur përreth sheshit me njërën nga makinat pjesëmarrëse nën brohoritjet festive të mijëra të rinjve, të cilët përshëndetën me ngazëllim ardhjen e garuesve.

Më pas, Kryeministri Berisha mirëpriti në Pallatin e Brigadave pjesëmarrësit në garën e makinave luksoze dhe rally GUMBALL 3000. Kryeministri falënderoi edhe njëherë të pranishmit, duke konfirmuar mbështetjen e plotë të Qeverisë Shqiptare për finalizimin me sukses të këtij evenimenti në Shqipëri.

Garuesit e GUMBALL 3000 dhe organizatorët falënderuan Kryeministrin për mikpritjen e mrekullueshme dhe u shprehën mjaft entuziastë për angazhimin e autoriteteve shqiptare në realizimin e këtij itinerari. Ata e cilësuan Shqipërinë si nga tre vendet më mikpritëse të këtij evenimenti dhe u shprehën të mrekulluar nga natyra dhe mikpritja shqiptare.

Gara u përcoll nga një serë mediash ndërkombëtare përfshi: CNN, Financial Times, Channel 4, Vogue, Rolling Stone, Glamour, Maxim & Vanity Fair, Esquire, GQ dhe pasqyrohet në mijëra ekrane të tjera në botë. Gjithashtu ky eveniment shërbeu si pikënisje për një aktivitet tjetër që do të përshkojë Shqipërinë , Eurobike, gara e klubit ndërkombëtar të motoçiklistëve.

Itinerari i Gumball 3000 nisi me 29 prill në Londër dhe përshkoi Europën me ndalesat në Amsterdam, Frankfurt, Stamboll, Selanik, Athinë, Tiranë.
Nga Shqipëria, Gumball 3000 do të vazhdojë itinerarin në Dubrovnik, Bratislave, Berlin për te përfunduar përsëri ne Londër.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›