Fokus/Opozita, pengesë për marrjen e statusit
Shqipëria pret të marrë statusin e vendit kandidat javën e ardhshme dhe për këtë arritje duhet të realizojë detyrimet e mbetura, por roli i opozitës socialiste është gjithnjë e më shumë drejt fortifikimit të bllokimit të reformave dhe integrimit
Java që sapo nis konsiderohet e rëndësishme për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Më 10 tetor, Komisioni Evropian pritet të bëjë publik progres-raportin për vendin tonë, në të cilin kryefjalë do të jetë vendimi për statusin e vendit kandidat. Vetë Komisioni Evropian i ka dhënë klasës politike shqiptare 12 prioritete, nga të cilat kalon ky status. Deri më tani, janë plotësuar pjesa dërrmuese e tyre, ku qeveria ka pasur peshën dhe detyrën kryesore.
Miratimi i Kodit Zgjedhor, votimi për Avokatin e Popullit, si dhe rekomandime të tjera tashmë janë përmbushur. Por, kanë mbetur ende pa u përmbushur prioritete të tjera, për miratimin e të cilave nevojitet edhe mbështetja e opozitës. Ndër to, kryesori është votimi në Kuvend i ligjit për Gjykatën e Lartë, i cili për të kaluar në Parlament kërkon shumicë të cilësuar të votave. Pavarësisht se opozita ka pranuar rëndësinë thelbësore të kësaj nisme dhe e ka mbështetur atë në parim, ka kushtëzuar votën e saj me një kusht politik. Kryesocialisti Edi Rama, ka deklaruar prerazi se opozita nuk do të votojë nismën ligjore, madje e ka cilësuar si letër pa vlerë, deri në momentin kur të zbatohen vendimet e gjyqësorit për Qarkun e Fierit. Për mazhorancën, ky qëndrim nuk është gjë tjetër veçse preteksti i radhës nga opozita për të bllokuar marrjen e statusit të vendit kandidat. Madje, jo vetëm kaq, por shumica parlamentare e cilëson kushtin e opozitës si tentativa e saj e radhës për pazar politik.
Gjithsesi, çështja nuk lidhet direkt me karrigen e kryetarit të qarkut të një qyteti, edhe pse jo pak i rëndësishëm, por logjikisht e bën tërësisht banal debatin, kur në tryezë janë fatet e vendit. Kësisoj, pas votës “pro” heqjes së imunitetit, PS po bën çmos për të aktivizuar dhe fuqizuar atë që s’bëri dot me kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë.
Ligji për Gjykatën e Lartë është thjesht ‘kurbani’ i radhës për t’i dhënë Shqipërisë “shuplakën” e tretë radhazi, thjesht e vetëm se ka në brendi të saj një opozitë destruktive. Për kancelaritë perëndimore është tërësisht e qartë se, fajin për “regresin” e Shqipërisë në 12 pikat e integrimit, veçanërisht në mosmiratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë e ka opozita dhe lidershipi i saj.
Për këtë s’ka dyshime.
Mazhoranca i ka votat e saj, por njëherazi s’mund të bëjë edhe opozitën.