E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti/E vërteta e dosjeve në Kosovë

Rimarrjen e debatit të zhvilluar në Tiranë për ligjin e dosjeve edhe nga disa në Prishtinë, e pata quajtur tautologji, mashtrim dhe kurth. Duke mos i hequr asgjë atyre që kam shkruar më parë lidhur me këtë çështje, duhet thënë se vazhdojmë të jemi dëshmitarë të thellimit të tautologjisë, të mashtrimit dhe të kurthit. Pse them këtë? E them këtë pasi që në media vazhdojmë të lexojmë shkrime në të cilat ashiqare synohen të arrihet një mashtrim optik i opinionit, sidomos në Tiranë, lidhur me karakterin e vërtetë të çështjes së dosjeve në Kosovë, si dhe me arsyet e vërteta që i shtyjnë këta njerëz, shumica e të cilëve ose janë bij të ish – komunistëve, ose janë bij ideologjikë të atij regjimi për të cilin është miratuar ligji i dosjeve në Tiranë, ose rekrutë të drejtpërdrejt të shërbimeve sekrete kundërshqiptare. Dhe që këtu fillon dallimi ndërmjet çështjes së dosjeve në Tiranë. Derisa në Tiranë kemi një të majtë, e cila historikisht, e një pjesë edhe politikisht ka qenë e lidhur me regjimin e diktaturës, e cila e ka kundërshtuar dhe e kundërshton ligjin e dosjeve, në Prishtinë kemi pikërisht shtresën e njëjtë apo të ngjashme që e shtron me forcë këtë çështje. Derisa në Tiranë është e djathta dhe e djathta e qendrës ajo që e ka propozuar dhe ka miratuar ligjin e dosjeve, në Prishtinë është e majta ajo që kërkon hapjen e dosjeve të regjimit komunist. Në anën tjetër, derisa në Tiranë kryesisht të burgosur të regjimit kanë qenë të djathtët, në Prishtinë kryesisht kanë qenë enveristë ata që janë burgosur, se forcat e organizuara të djathta, Serbia i shkatërroi qysh gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, bile bashkë me Ushtrinë Nacional Çlirimtare të Enver Hoxhës. E djathta shqiptare u shpërnda si mos më keq, pasi që pjesa më e madhe u detyrua të arratisej për në shtetet e tjera, e ajo që kishte mbetur në Kosovë, ose ishte eliminuar fizikisht, ose ishte detyruar të heshtte. Në Prishtinë, pastaj u instalua një lloj nacionalizmi që mbështetej mbi baza ideologjike dhe doktrinare marksist-leniniste, ndaj të cilës u mbajt ai qëndrim që u mbajt. Pra ndërmjet çështjes së dosjeve në Tiranë dhe asaj në Prishtinë kemi një dallim të madh edhe në aspektin ideologjik: në Tiranë është bërë ligj për regjimin, për të cilin në Prishtinë njerëzit kishin rënë në burg. Është e njohur ajo historia e dy shqiptarëve që njëri kishte rënë në burg pse kishte thënë poshtë Enveri, kurse tjetri kishte rënë në burg pse kishte thënë rroftë Enveri. Në anën tjetër, ne në Kosovë nuk e kemi vetëm çështjen e dosjeve të regjimit komunist, por edhe çështjen e dosjeve të regjimit postkomunist në Beograd, pasi që neve nën pushtim na gjeti edhe periudha postkomuniste. Edhe për çështjen e dosjeve të ish-regjimit komunist, edhe për çështjen e dosjeve të regjimit postkomunist, është një aspekt shumë i rëndësishëm: aspekti i atyre njerëzve që nuk kanë qenë kurrë në pushtet gjatë regjimit komunist, por që kanë qenë rekrutë, apo informatorë të shërbimeve sekrete të kohës. Është me rëndësi kjo çështje për faktin se derisa është shumë e qartë se kush kanë qenë drejtuesit e institucioneve politike dhe shtetërore në Kosovë gjatë regjimit komunist, ashtu edhe siç dihet kush kanë qenë drejtuesit e UDB-së/SDB-së në Kosovë, dhe dihet edhe kush ka punuar zyrtarisht në ato institucione, shumë pak është thënë për njerëzit, për shqiptarët e mjerë që kanë spiunuar shqiptarët për llogari të UDB-së/SDB-së. Kjo ka rëndësi për shqiptarët e Kosovës, sepse një pjesë të tyre sot, dhe jo vetëm sot e kemi shumë aktive në jetën politike, ashtu siç e kemi pasur dje edhe në krye të UÇK-së. Dhe këta njerëz kanë sabotuar politikën shqiptare, kanë sabotuar edhe luftën në Kosovë. Janë mbi dhjetë vjet që me shkrimet e mia jam munduar që të hedh dritë mbi këtë çështje, duke dalë përtej sulmeve, kërcënimeve dhe mënyrave të tjera të pengimit, me arsyen e vetme për të zbardhur të vërtetën për luftën dhe për paqen në Kosovë. Thelbi i gjithë problemit në Kosovë nuk ka qenë dhe nuk është kush ka qenë kryetar komune, kryetar krahine, shef UDB-je/SDB-je, pasi që ato janë çështje të njohura, po kush janë këta njerëz që i spiunonin shokët në ato grupet ilegale që i formonin adoleshentët shqiptarë, kush i spiunonin shokët edhe nëpër burgjet e kohës, kush janë këta njerëz që spiunonin shqiptarët për llafet që mund t’i bënin gjatë dasmave dhe për këngët që i këndonin në atë kohë, kush fuste përçarje ndërmjet shokësh dhe kush sabotonte dhe spiunonte veprimet guerile të tresheve dhe të shtatësheve gjatë kohës së regjimit komunist, si dhe sabotonin dhe spiunonin veprimet guerile të grupeve guerile të Drenicës në krye me Adem Jasharin, të grupit Llapit në krye me Zahir Pajazitin, të grupit të Dukagjinit në krye me Sali Çekajn. Dhe këta njerëz që mund të mos kenë punuar as në UDB/SDB, ishin dhe mbeten problemi kryesor në Kosovë, apo shkaktarët e gjithë lëmshit politik që është krijuar në Kosovë. Është kështu, sepse këta njerëz kanë përgjegjësi të drejtpërdrejt për eliminimin e shumë atdhetarëve shqiptarë që nga koha e demonstratave të vitit 1968, e pse jo edhe më herët e këndej, kanë përgjegjësi për burgosjen e shumë të tjerëve, kanë përgjegjësi për komprometimin e konceptit të luftës çlirimtare në Kosovë, kanë përgjegjësi për enklavizimin/kantonizimin e Kosovës, pra kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ka përfunduar Kosova. Dhe kjo është ajo që po i preokupon shqiptarët e Kosovës sot, të cilët janë shembulli më tipik i vetësakrificës për të mos e dëmtuar Kosovën. Ata që kanë rënë për Kosovën, ata që janë plagosur për Kosovën e as familjarët e tyre nuk kanë pritur se edhe pasi do të derdhet gjaku, edhe pasi do të përjetojnë golgota të tmerrshme, edhe pasi do të durojnë edhe për kushtet elementare të jetesës, Kosova do të përfundojë kështu siç ka përfunduar, apo siç do të përfundojë pas pak kohe. Dhe këto nuk janë tirada emocionale patetike. Jo, jo. Ky është realiteti fatkeq i Kosovës, dhe pamja e qartë që ka marrë Kosova që nga koha e luftës e këndej. Dhe dikush mban përgjegjësi për këtë. E këta që kanë përgjegjësi për të gjitha këto janë pikërisht rekrutët e djeshëm dhe të sotëm të shërbimeve sekrete serbe, të cilët janë shumë të fortë, çirren poshtë e lartë dhe thurin tirada të vërteta patetike. Dhe janë këta njerëz që për të mos u zbuluar. qysh gjatë luftës dhe pas saj kanë vrarë ish-drejtues të UDB-së/SDB-së dhe ish-punonjës legalë të saj. Dhe këtë e kanë bërë thjesht nga frika se mos po i zbulojnë. Dhe këta spiunë, jo që nuk kishin pushuar të jenë spiunë, por kishin bërë përpara edhe  në drejtim të karrierës politike dhe ushtarake. Kush janë këta unë e kam thënë që dhjetë vjet e këndej, prandaj nuk kam pse i përsëris, por opinioni i gjerë duhet të jetë i përgatitur që të dëgjojë emrat e ndonjë kryetari partie politike në Prishtinë, të dëgjojë emrat e ndonjë ish-ministri apo ministri, emrat e ndonjë komandanti të UÇK-së, emrat e ndonjë drejtuesi shtabi të UÇK-së, e nëse kthehemi mbrapa, edhe emrat e ndonjë udhëheqësi shpirtëror dhe ideologjik të shqiptarëve. Bile ka shumë edhe nga ata për të cilët nëpër oda apo edhe nëpër sheshe të ndryshme u është kënduar dhe u këndohet këngë. Por jo vetëm kaq: ka qenë dhe ka mbetur i madh edhe numri i atyre që janë inkuadruar nëpër media të ndryshme, duke e bërë edhe komprometimin e tyre, si dhe duke u dhënë mundësinë që të shantazhojnë, të kërcënojnë dhe t’u vënë kurthe shumë njerëzve të tjerë të politikës, të  mediave dhe të jetës publike në përgjithësi. Dhe janë këta njerëz që ose vetë janë vënë në krye të të ashtuquajturit debat për hapjen e dosjeve në Kosovë, ose që i kanë vënë tellallët e tyre gjithandej që të zhgarravitin lloj-lloj teksti nëpër media të ndryshme, vetëm për të prishur thelbin e çështjes së dosjeve në Kosovë, e që është çështja e dosjeve të të gjithë atyre që si kanceri kishin hyrë dhe kanë hyrë në jetën e shqiptarëve, duke ua shkatërruar shumë prej tyre dhe duke e bërë Kosovën shumë më keq se Bosnja, apo se ndonjë vend tjetër me probleme etnike. Dhe janë këta njerëz që duan të mos merret vesh kurrë e vërteta për ta, prandaj duan që të hapen dosjet vetëm të atyre që kanë punuar në institucione të shtetit të regjimit komunist. Dhe janë po këta njerëz, apo edhe shokë të tyre që kanë përgjegjësi edhe për vrasjen e Ali Ukajt, të kolonel Ahmet Krasniqit, të Ilir Konushevcit dhe të shumë të tjerëve në Tiranë, të komandant “Drinit”, të Xhemail Mustafës, të Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut dhe të shumë të tjerëve në Kosovë. Po ashtu, këta njerëz apo shokë të tyre kanë përgjegjësi edhe për spiunimin e Fazli Greiçevcit, Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Ali Ajetit, Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut, por edhe të Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës dhe të Enver Hadrit, por edhe të Ukshin Hotit dhe të Nahit Hasanit, por edhe të Adem e Hamëz Jashari,  dhe të shumë e shumë të tjerëve. Natyrisht, lista e këtyre njerëzve të spiunuar nga shokët e tyre, të tradhtuar apo edhe të vrarë nga shokët e tyre qoftë me vrasës me para, qoftë me vrasës pa para, është shumë më e madhe. Dhe këta njerëz kanë urdhëruar edhe vrasjen e Selim Broshajt në Prishtinë, të Ajet Istogut në Gllogofc dhe të shumë zyrtarëve të UDB-së/SDB-së vetëm pse këta kishin informata të plota për veprimtarinë prej spiuni të këtyre njerëzve që arritën të vihen edhe në krye të luftës dhe të politikës në Kosovë, duke shpresuar se me eliminimin e tyre, do të varroset e vërteta edhe për ta. Dhe kjo është çështja e vërtetë e dosjeve në Kosovë. Dhe është kjo çështja me të cilën do të duhej të merreshin shqiptarët e Kosovës. Dhe janë këta njerëz që realisht nuk është dashur dhe nuk duhet të kenë të drejtë të jenë nëpër institucionet e Kosovës. A munden institucionet e Kosovës ta bëjnë këtë? Natyrisht se jo. Jo, sepse ndikimi i njerëzve për të cilët e kam fjalën është i madh, se pse këta njerëz në fakt janë pushteti real në Kosovë. Përpjekja për të krijuar ndonjë ngjashmëri me çështjen e dosjeve në Tiranë, është vetëm përpjekje e mjerë për të fshehur qëllimin e vërtetë të atyre që mundohen ta bëjnë këtë ngjashmëri. Është kështu pasi që çështja e vërtetë e dosjeve në Kosovë, siç e shtrova më lartë, as që ka lidhje me çështjen e dosjeve në Tiranë, apo e vetmja lidhje është ajo e rolit që ka luajtur ish-Sigurimi i shtetit në indokrinimin e lëvizjes politike në Kosovë, përçarjen dhe sabotimin e saj, si dhe bashkëpunimin që ka pasur me UDB-në e Beogradit në veprimtarinë kundërshqiptare. Dhe duhet thënë se asnjë shqiptar i eliminuar në diasporë nuk është bërë pa bashkëpunimin e ish-Sigurimit të shtetit, traditë që gjatë luftës në Kosovë është shtrirë në përmasa edhe më të mëdha, dhe që do të ketë ndikim vendimtar në fatet e luftës dhe të paqes në Kosovë.

Dimensioni i lirisë dhe fenomeni Obama
Shkruan: Arben Çokaj Ndërsa Obama konkurronte për President, spekulimet filluan të mbulonin mendjet e njerëzve në SHBA dhe jashtë saj. A mundet një afrikano-amerikan me ngjyrë, të marrë postin e Presidentit? A është Amerika e përgatitur për një President me ngjyrë? Heshtje! Konjukturat politike, kriza ekonomike që filloi të mbërthejë perëndimin, skandalet financiare të rastësishme, të shkaktuara nga inercia apo gjysmë të planifikuara, e ndihmuan Obamën të shfaqej si shpëtimtar. Amerika ndodhej në vështirësi, pas një lufte të gjatë në Irak dhe përpjekjeve e shpenzimeve të mëdha për të luftuar terrorizmin botëror. Njerëzit në Amerikë shikuan tek Obama një misionar të ri, kësaj here në politikë. Gjë e rrallë, për të mos thënë fenomenale. Fakti që ai ishte me ngjyrë, afrikano-amerikan, dhe gjendja shpirtërore e ekonomike njerëzve në SHBA, bëri që ata të besonin më shumë tek ndryshimi që Obama mund të sillte. Oratoria e Obamës, fushata e tij për postin e presidentit, dhe kritikat për mungesën e përvojës apo kufizimet e tij, si tek çdo njeri, që merret në analizë të detajuar për të gëzuar postin e njeriut më të pushtetshëm të globit, u përmblodhën në një fushatë të shkëlqyer dhe plot besim për të sjellë në fund fitoren. Obama vetë nuk dëshironte që njerëzit të kishin pritshmëri më të madhe se duhet, pasi kjo më pas sjell zhgënjimin. Ai filloi t’u thoshte njerëzve: “Ne nuk votuam ndryshimin, por mundësinë për të ndryshuar.” Në fakt, për të qenë realistë, në atë që shihet e mund të kuptohet, ndryshimi që pritet të ndodhë në SHBA, edhe nëse punohet me të gjitha energjitë, dhe në drejtimin e duhur, do të marrë një periudhë kohore më të gjatë se një mandat, apo dy mandate të Obamës. Rëndësi ka të punosh siç duhet. E si mund të ndodhë, që në një vend kaq të madh dhe me mundësi të shumta, të kemi një president me ngjyrë, që vite apo dekada më parë mund ta shihnim vetëm në ndonjë film fantastiko – shkencor? Dihet, që mendimi i paraprin veprimeve. Sidomos në vende me demokraci të zhvilluar, ku dimensioni i lirisë ka bërë që njerëzit t’i respektojnë ndryshimet, diversitetin, të qenit ndryshe. Por, ndryshimet në vetvete nuk janë, ose nuk duhet të jenë të dëmshme për njëri-tjetrin, përkundrazi. Ajo që politika e ngurtë shqiptare duhet të marrë mësim në këtë rast është pikërisht zbutja e normës së lartë të arrogancës, falsitetit, gënjeshtrave dhe hajnisë së shfrenuar, korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, protagonizmit të tepruar individualist dhe injorimit të tjetrit, që e ka mbërthyer këtë vend kaq keq, si kancer, dhe nuk po e lë shoqërinë shqiptare të marrë frymë lirshëm, të zhvillohet apo të ecë në rrugën e nisur drejt rritjes së cilësisë së jetës, përmes reformave integruese në shoqëri më të avancuara. Nëse Obama do të ishte në Evropë, nuk do t’i kishte ato mundësi që ia dhanë SHBA-të. Nëse Obama do të ishte shqiptar, do të emigronte diku, për të bërë punë të rëndomta, që të sigurojë të mirat materiale për vete dhe familjen e tij, ose do të detyrohej të merrej me korrupsion e gënjeshtra, që ta shpifin, për të mbijetuar në një ambientin frenetik, të çimentuar, të politikës shqiptare. Të ndalemi për një moment dhe të mendojmë, çfarë jemi duke bërë ne shqiptarët? Çfarë janë duke bërë politikanët tanë drejtues? A mos janë ata disi primitivë dhe jashtë kohës, në botëkuptimin e tyre? A drejtohet politika kështu? A mos duhet politikanët tanë të ndryshojnë diçka në sistemin e tyre të mendimit, në mënyrë që shoqëria dhe ekonomia jonë të jetë më konkurruese dhe më afër realitetit objektiv? Për të sqaruar më mirë stanjacionin, që vjen në Shqipëri nga mentaliteti i vjetër, nga një politikë inkompatibël, që luhet në këto 18 vjet, mund të marrim shembullin e paraardhësve të Obamës në Kenia, të atyre që sot jetojnë në Kenia, dhe të vetë Obamës, se çfarë u bë ai, vetëm nga mundësia që jep njeriut një shoqëri e lirë. I njëjti njeri, me të njëjtin kapacitet, mund të jetë një pastrues pjatash në një restorant, një kryetar bashkie në Shkodër, apo një President në SHBA. Varet se ku ndodhesh. Karen Blixen (Bliksen) (1885 - 1962), një baroneshë dhe shkrimtare daneze, e njohur me emrin e artit si Isak Dinesen, pati një famë jo të vogël në kohën e saj, në Danimarkë dhe jashtë saj. Ajo kaloi një pjesë të konsiderueshme të jetës në Afrikën e Veriut (tani Kenia), vendlindja e babait të Barak Obamës, ku u vendos dhe investoi në një plantacion kaféje. Në veprën e saj “Jashtë Afrikës” (1937), që u kthye në një film të mrekullueshëm të Hollivudit (në rolet kryesore Meryl Streep dhe Robert Redford), ajo përshkruan përpjekjet për të shkolluar fëmijët afrikanë të komunitetit ku jetonte. Vendosi të hapte një shkollë dhe për këtë i duhej të pyeste autoritetin e vendit, që në atë kohë, në atë tribu afrikane, ishte kryetari i fisit. (I ngjashëm me kryetarin e sotëm të Bashkisë në Shkodër, me ndonjë deputet, me folësen e kuvendit apo me kryeministrin shqiptar). Kryetari i fisit, që nuk dinte anglisht, (këta tanët e dinë ndonjë gjuhë të huaj) kap sëpatën, dhe godet me forcë një nga shtyllat, që mbante në këmbë ndërtesën e shkollës. Lartësia e goditjes ishte pak më shumë se një metër. “Deri këtu e ka limitin dija!” – thotë ai në gjuhën e tij afrikane. Përkthyesi sqaron baroneshën se, fëmijët duhet të shkojnë në shkollë derisa të arrijnë lartësinë e shenjës së bërë nga sëpata e kryetarit të fisit, jo më shumë! Problemi i vetëm ishte se mos fëmijët (qoftë larg) mund të bëheshin më të zgjuar se kryetari dhe kjo nuk lejohej. A nuk sillen një pjesë e mirë e politikanëve tanë kështu, që e kapin për fyti lirinë dhe demokracinë e vendit; e harxhojnë kohën me intriga e poshtërsi dhe zgërdhihen në injorancën e tyre, me plancin e fryrë mbi fatkeqësinë e këtij kombi?! Karen Blixen tregon se në përpjekjen e saj për të sjellë dritën e dijes në këtë vend afrikan, asaj iu dogj edhe shtëpia dhe gjithë magazina e kafésë. Falimentoi dhe më pas u kthye në atdhe, në Danimarkë. Kenia vazhdon të jetë një vend i prapambetur, i ndarë në fise, pasi dituria, demokracia dhe dimensioni i lirisë në atë vend, e ka të vështirë të depërtojë në mendjet e varfëra të shoqërisë, të kapur peng prej pushtetarësh të paaftë dhe fanatikë në injorancën e tyre. Ndërsa vendi i saj Danimarka është i zhvilluar, dhe në SHBA, një njeri me ngjyrë, që trashëgon gjenin kenian, u bë President. Ky është ndryshimi në konceptin apo dimensionin e lirisë dhe shoqëria shqiptare ka të mësojë shumë nga shembulli i Obamës, fenomeni i një njeriu me ngjyrë, i anatemuar tradicionalisht nga konfliktet racore , fetare dhe mentaliteti primitiv, i cili gjeti rrezen e shpresës në një vend të madh, e të mundësive të mëdha, për t’i treguar mbarë njerëzimit: “Po, ne mundemi!” Po ne shqiptarët a mundemi ndryshe?! A mundemi ne ta shporrim agresivitetin dhe arrogancën, primitivizmin dhe pëllitjen, tensionin e brendshëm dhe frikën, që vjen në shoqërinë shqiptare nga drejtues të kapur nga e shkuara, si Berisha, Topalli etj., të cilët jetojnë ditët e tyre të fundit, të një kohe të perënduar? Apo mos jemi pajtuar me realitetin e plogësht, somnambul, që ata mbjellin, me format e tyre të përndjekjes dhe konkurrencës banale a ‘la komuniste, me mentalitetin orientalo-bizantin, dhe nuk dimë ndryshe?! Duhet thënë PO, ne mundemi! Duhet ta bëjmë realitet, me përpjekje, mundësinë tonë. Në radhë të parë, duke ndryshuar veten, duke mos qenë shëmbëlltyrë e shëmtuar e cungimit të lirisë, që vjen prej drejtuesve të paaftë e të vjetruar! Duhet thënë PO ndryshimit, për të mirën tonë të përbashkët!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›