Davosi mirëpret kandidimin e Shqipërisë për në BE

Kryeministri Sali Berisha takoi dje në Davos, zëvendëspresidentin e KE-së Jacque Barrot dhe konfirmoi aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat në BE, gjatë gjashtëmujorit të presidencës çeke. Kryeministri suedez, i pari që shprehet formalisht “pro” aplikimit të Tiranës zyrtare
TIRANE - Komisioni Evropian shprehet në favor të zgjerimit të BE-së me shtete të rinj, kryesisht të Ballkanit Perëndimor, ku edhe është shprehur vullneti politik për anëtarësimin në strukturat evropiane. Këtij qëndrimi të KE-së, në Forumin Ekonomik të Davosit, i është bashkëngjitur edhe Kryeministri i Suedisë, gjatë takimeve të krerëve politikë me Kryeministrin Sali Berisha
Zëvendëspresidenti i KE-së Jacque Barrot
Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian dhe komisioneri për Drejtësinë dhe Sigurinë Jacque Barrot gjatë një takimi të zhvilluar dje në Davos me kryeministrin Sali Berisha, mbështeti angazhimin e qeverisë për të dorëzuar rezolutën në Bruksel për statusin e vendit kandidat në BE.
Gjatë takimit shefi i qeverisë Berisha e njohu Barrot me përpjekjet e qeverisë shqiptare për arritjen e kritereve dhe standardeve për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Në këtë drejtim, kryeministri Berisha theksoi mbarëvajtjen e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftim dhe pasaporta biometrike të standardeve më të mira, dixhitalizimin e regjistrave të gjendjes civile, përpjekjet për një kontroll rigoroz të kufijve, luftën dhe arritjet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ndërkaq, nga ana e tij, Zëvendëspresidenti i KE-së Barrot u shpreh se Komisioni mirëpret progresin e Shqipërisë. Duke vlerësuar arritjet e deritanishme të Shqipërisë në procesin e reformave, Barrot siguroi për mbështetjen e Komisionit Evropian në përpjekjet e qeverisë shqiptare për konsolidimin e këtyre reformave.
Referuar angazhimit të qeverisë dhe faktorëve politikë në vend për rezolutën e statusit të vendit kandidat në BE, Barrot u shpreh në favor të zgjerimit të unionit dhe theksoi se ky proces po merr rrjedhën e duhur.
“Komisioni ka mbajtur një qëndrim të favorshëm ndaj zgjerimit”, tha Barrot.
Ndërsa kryeministri Berisha shtoi se pasi Shqipëria ka realizuar ratifikimin e MSA-së nga 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe me suksese të qarta në reformat të njohura edhe raporti i KE-së, do të aplikojë për statusin kandidat në BE gjatë Presidencës Çeke.
Në muajin mars një grup ekspertësh do të vijnë në Shqipëri për të parë në vend të gjithë përpjekjet e bëra dhe nga muaji maj Komisioni Evropian do të shqyrtojë dosjen e secilit vend për kriteret e vendosura dhe përmbushjen e tyre. Kreu i qeverisë Berisha tha se “unë jam i bindur se po ecet në rrugë të mbarë dhe Zëvendëspresidenti më siguroi për mbështetjen e tij të plotë në këtë proces”.
Në përfundim të takimit, kryeministri Berisha ftoi Barrot, për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga ai.
Kryeministri i Suedisë Fredrik Reinfeldt
Ndërkohë edhe Suedia është shprehur në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE
Në një takim me Kryeministrin Sali Berisha, homologu i tij suedez Fredrik Reinfeldt, u shpreh qartësisht pozitiv për procesin e Shqipërisë si vend kandidat për anëtar i Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit, kryeministri Berisha e njohu homologun suedez me të gjitha rezultatet e arritura në plotësimin e standardeve të kërkuara, në luftën kundër korrupsionit, rezultatet në luftën kundër krimit, në krijimin e një klime të ngrohtë për biznesin e huaj, në reformimin e institucioneve, reforma këto thelbësore për procesin e integrimit.
Nga ana e tij, kryeministri i Suedisë, gjatë këtij takimi, u shpreh qartësisht pozitiv për procesin e Shqipërisë si vend kandidat, ndërsa kryeministri Berisha e informoi atë se Shqipëria do të paraqesë kërkesën për vend kandidat gjatë Presidencës Çeke.
Gjithashtu, biseda u ndal edhe në procesin e liberalizimit të vizave, ku Berisha e njohu kryeministrin suedez me hapat e ndërmarra në këtë drejtim, suksesin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në procesin e pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, modernizimin e kontrollin e kufijve, si dhe e siguroi Kryeministrin suedez se Shqipëria do të nënshkruajë çdo marrëveshje me vendet e BE për riatdhesimin dhe ekstradimin e të dënuarve dhe çdo marrëveshje tjetër që të favorizojë procesin e integrimit të vendit në BE.
Kryeministri i Suedisë i shprehu homologut Berisha vlerësimin e tij pozitiv për këto hapa të bashkërenduara me BE-në, të ndërmarra me vendosmëri nga Shqipëria, veçanërisht kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Më tej, biseda mes dy homologëve, u përqendrua në disa çështje kryesore mbi bashkëpunimin dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Palët biseduan mbi potencialet që Shqipëria ofron për investitorët suedezë në fusha të ndryshme, duke nënvizuar turizmin, shfrytëzimin e pasurive minerale, si dhe shfrytëzimi i burimeve energjetike të vendit.