Berisha komenton mbledhjen e Edi Ramës në Vlorë: Slogani bajat leninist “Pushteti i popullit, ne detyrat”
“Qytetarët të jenë gati, Rama do ju prishë shtëpitë”
Kryeministri Sali Berisha ka komentuar sërish dje mbledhjet dy ditore të qeverisë ‘Rama’ në Vlorë. Berisha vlerësoi në rrjetin social Facebook se mbledhja e qeverisë së majtë u karakterizua nga slogane dhe vendime leniniste. “Nga parodia e Ujit të ftohtë:- Slogani bajat leninist: Pushteti popullit, ne detyrat! - Ftohet 100 ditëshi, kthehet në 300 ditësh! - Nuk do pyesim për ligje, do prishim ndërtesat me leje (të atyre që nuk janë të popullit). Të dashur miq, “pushteti popullit, ne detyrat”. Ky slogan leninist nuk doli nga varri i diktatorit Hoxha, por nga Piktori dështak pas parodisë së Ujit të Ftohtë. Siç vijon më tej Berisha, një vendim i radhës ishte ai për realizimet në 300 ditë dhe jo 100 ditë siç ndodh normalisht. “Qytetarët me të drejtë, si në çdo vend të lirë, prisnin të dëgjonin për vendimet dhe realizimet konkrete të 100 ditëve të para të qeverisë së re, shpallur me të madhe gjatë fushatës. Por nga parodia doli se ata u morën me 300 ditëshin dhe se nuk do të ketë 100 ditësh, mbasi atë na e mori Berisha”. Por sipas kryeministrit në detyrë, vendimi më i rrezikshëm i qeverisë së re që po troket është ai për prishjen e ndërtimeve pa leje. Berisha theksoi se parandjen rrezik për qytetarët pasi siç tha ai, socialistët nuk njohin ligj dhe se radha për prishje do jetë e shtëpive me leje të qytetarëve. “Vendimi i tretë i parodisë ishte prishja (jo vetëm e ndërtimeve pa leje çka është detyrim ligjor) e ndërtimeve me leje. Pra me veprime antiligjore do të shembin ligjin. Qytetare dhe qytetarë, Rama beson, njëlloj si etërit e tij, se ai është votuar për të dalë mbi ligjin, gjykatat, Kushtetutën, për të qenë vet Blloku! Ky është revansh, rrezik real për ju, shtëpitë dhe pronat tuaja të ligjshme. Ne duhet të jemi gati!! Sb”, tha Berisha në Facebook. Një ditë më parë, Berisha po në rrjetin social Facebook akuzoi mbledhjet e qeverisë së re se janë antikushtetuese dhe si të tilla nuk njihen ligjërisht.