Komision shtetëror për kthimin në Shqipëri të eshtrave të Ahmet Zogut
Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha vlerëson kontributin madhor të mbretit të shqiptarëve
Kryeministri Sali Berisha, përmes një konference për shtyp dje, vlerësoi veprën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Mbretit Zogu i I, në ndërtimin e shtetit shqiptar.
Duke informuar rreth nismës më të re të qeverisë, për ngritjen e një komisioni qeveritar shtetëror, për kthimin në Shqipëri të eshtrave të Mbretit Zogu i I, Berisha tha se, “qeveria shqiptare merr këtë vendim, duke njohur Ahmet Zogun Kryeministër, President dhe më vonë, Mbret i shqiptarëve, si arkitektin e shtetit modern shqiptar, si njërin prej personaliteteve më të mëdha, më të shquara, me kontribut më madhor në historinë e kombit shqiptar”.
Kreu i qeverisë, Berisha, vlerësoi veprimtarinë e Mbretit, i cili, sipas kryeministrit, bëri që Shqipëria, të faktohej si shtet, në morinë e sulmeve grabitqare të shteteve fqinje.
Madhëria e tij Zogu I, me përpjekje të mëdha, krijoi fillimisht Republikën e më pas, Mbretërinë, në të cilën në tërësi liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, liria e pronës, liria e besimit, liria e udhëtimit dhe liritë e tjera, u respektuan dhe u garantuan me ligj.
Gjatë Luftës së II Botërore, Mbreti Zogu i I, u detyrua të largohej në ekzil, por reshti përpjekjet e tij për çlirimin e Shqipërisë, por u desh Kongresi i Përmetit, që në mënyrë anti patriotike dhe me frymë komuniste, e ndaloi Mbretin Zog, të rikthehej në Shqipëri.
Berisha shtoi se vitet e fundit të jetës, Mbreti Zog i kaloi në mërgim, në Francë, i ftuar nga Presidenti i Francës, Gjenerali Charles de Gaulle, për kontributin dhe përpjekjet e tij në Luftën II Botërore për lirinë e kombit të tij.
Mbreti prehet në varrezën e tij, rreth 15-20 km nga kryeqyteti i Francës, ndërkohë që familja mbretërore ka pasur varrezën e vet në kryeqytetin e vendit. Familja Mbretërore, Mbreti dhe Mbretëresha, anëtarë të tjerë të familjes, do të rikthehen të pushojnë për jetë në varrezën e tyre dhe do të nderohen gjithnjë nga shqiptarët.