E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioneri Fule, shqetësim për situatën: Zgjidhni krizën

Berisha dorëzon pyetësorin

Brukseli zyrtar ishte i drejtpërdrejtë në deklarimin e djeshëm për sa i takon krizës politike në Shqipëri. Komisioneri për Zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë në KE, Stefan Fyle, takoi kreun e qeverisë shqiptare, Sali Berisha. Në konferencën e përbashkët të mbajtur pas takimit dhe ceremonisë së zhvilluar për dorëzimin e përgjigjeve të pyetësorit të KE-së, Fyle theksoi se është e rëndësishme që marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës të ndërtohen mbi bazën e respektimit të Kushtetutës dhe transparencës. “Shfrytëzoj rastin që të shpreh shqetësimin tim për mungesën e progresit në normalizimin e situatës politike në vend. Puna në Kuvend pa opozitën nuk është në standardet e BE-së. Ne vlerësojmë dy çështje të rëndësishme, respektin për Kushtetutën dhe transparencën”, deklaroi Fyle. Por në fjalën e tij, komisioneri për Zgjerim u shpreh se ai kishte bindjen se ende mes palëve ekzistonte mundësia e gjetjes së një zgjidhjeje për situatën e krijuar. Po kështu, Fyle theksoi se duhet të jenë të dyja palët që të shprehin interes për zgjidhje, sepse të dyja kanë përgjegjësitë e tyre për procesin e integrimit. Në lidhje me këtë çështje, kreu i qeverisë theksoi se mazhoranca ishte e disponueshme për ta zgjidhur situatën, por ishte opozita ajo që kërkonte edhe shkeljen e procedurave ligjore në bërjen e transparencës së zgjedhjeve të shkuara. “Jemi të hapur për të kryer çdo hetim që nuk cenon Kushtetutën e vendit. Opozita të bëjë çfarë amendimi të dojë për zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi të gatshëm t’ia pranojmë. Në lidhje me transparencën, jam i gatshëm për ta bërë atë edhe për çdo fletë votimi, por vetëm sipas procedurës ligjore të vendit tim”, deklaroi Berisha në konferencën me Fylen. Për sa i përket pyetjes nëse paqëndrueshmëria politike në vend do të ndikonte në opinionin e KE-së për statusin e vendit kandidat, Fyle u përgjigj: “Pyetja e vetme që ngrihet për shqiptarët, është nëse ne do t’i referohemi debatit politik, si çështje e pazgjidhur që ka implikacione, apo do t’i referohemi si një çështje që u zgjidh bazuar në principet e ligjit”, theksoi komisioneri për Zgjerim. Në lidhje me pyetësorin e KE-së, Fyle theksoi se ai ishte dokumenti më i rëndësishëm i historisë moderne të Shqipërisë. Komisioneri për Zgjerimin konstatoi gjithashtu se KE nuk do të priste gjatë, por do të niste edhe shqyrtimin e materialit. Në lidhje me kohën se kur do të përgatitet opinioni i KE-së për statusin e vendit kandidat në BE, Fyle theksoi se çdo gjë do të varej nga cilësia e përgjigjeve të kthyera në pyetësor. “Pas punës tuaj, tani është radha jonë dhe na takon ne të punojmë dhe të analizojmë përgjigjet. Misione të ekspertëve të KE-së do të punojnë edhe në Shqipëri për të verifikuar çështje të ndryshme dhe për të kryer analiza mbi përgjigjet e dhëna”, theksoi Fyle. Ai nuk harroi të thotë se opinioni i komisionit për këtë pyetësor do të jetë i drejtë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e cilësoi momentin e dorëzimit të pyetësorit si të jashtëzakonshëm dhe historik për Shqipërinë. “Fyle më tha se pas dorëzimit të këtij dokumenti ka një fillim të ri dhe kështu mendoj dhe unë, pasi për mua momentet më të rëndësishme janë ato të një fillimi të ri”, u shpreh Berisha, duke shtuar se Shqipëria kishte bërë çfarë ishte e mundur për të marrë një vlerësim pozitiv në lidhje me statusin e vendit kandidat në BE. Nga ana tjetër, Fyle theksoi se Shqipëria ka bërë progres për sa i përket ecurisë me plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave, por përpjekjet duhet të vazhdojnë. “Rendi ligjor, krimi i organizuar, korrupsioni është element kyç për demokracinë funksionale. është bërë shumë progres, po ka akoma sfida përpara në vendin tuaj. I mirëprita zhvillimet pozitive për vizat, Shqipëria ka arritur rezultate të mira. Por përpjekjet për këto kushte duhet të vazhdojnë”, theksoi komisioneri për Zgjerim. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria kërkonte të vlerësohej për këtë proces në bazë të meritave të plota të saj. “Unë nuk kam kërkuar kurrë diçka që ne nuk e meritojmë. Do të ketë një vendim të Komisionit Europian dhe më pas nga ana e Parlamentit. Për mua ky proces është dhe transparent”, deklaroi Berisha. Në mënyrë të herëpashershme, Kryeministri Berisha ka kërkuar që Shqipëria të mos gjykohet për procesin e liberalizimit të vizave në bllok me vende të tjera si Bosnjë-Hercegovina.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›