E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurot false, zbulohet baza në afërsi të stadiumit Qemal Stafa

Prokuroria Një lokal në Tiranë përdorej si magazinë për shpërndarjen e kartëmonedhave

Një lokal në afërsi të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë përdorej si baza nga e cila shpërndaheshin në të gjithë Shqipërinë sasia e eurove false që vinin nga Maqedonia, të sekuestruara gjatë operacionit të koduar “Graniti”. Prokuroria e Tiranës ka zbuluar se “pronari” i lokalit, Petrit Marku, i konsideruar si ndërmjetësi midis shqiptarëve, maqedonasve dhe kosovarëve, kryente edhe shpërndarjen e kartëmonedhave te sekserët, duke iu vendosur edhe përqindjet që do të merrnin nga shpërndarja e tyre. Gjithsecili nga arrestuarit përfitonte rreth 15 për qind të fitimit nga shpërndarja e eurove false. Paratë mbaheshin në lokalin ne afërsi te stadiumit “Qemal Stafa” dhe pasi mbërrinin në Shqipëri, Marku i merrte porositë verbalisht. Mësohet se personi i 14-të që u arrestua në qendër të Tiranës së bashku me Ramazan Shatrin, bënin lidhjen midis grupit. Ka të dhëna hetimore se kartëmonedhat që vinin nga Maqedonia kanë një cilësi të lartë falsifikimi, ndërsa eurot që vinin kryesisht nga Kosova dalloheshin lehtë për falsifikim. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se 11 persona ndodhen në masën e arrestit me burg, dy në masën “detyrim paraqitjeje” dhe një në “arrest shtëpie”. Oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje të arrestuarit dhe ka rezultuar se vetëm njëri prej tyre ka pranuar akuzën, duke pohuar se gjithsecili merrte 15 për qind të fitimit për sasinë e eurove false që arrinte të “shiste”. Ndërkohë, dje është zhvilluar edhe masa e sigurisë për personin e 14-të për eurot false. Ai është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, ndërsa cilësohet nga prokuroria si një nga të akuzuarit kryesorë të kësaj çështjeje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›