Komisioneri i BE, Kallas: Shqipëria progres për reformat në fushën e transportit Gjatë takimit në Gjermani të Sim Kallas dhe Sokol Olldashi

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Transportin, Sim Kallas vlerësoi pozitivisht progresin që Shqipëria ka bërë përsa i përket reformave në fushën e transportit. Këto vlerësime ai i bëri gjatë takimit që zhvilloi me ministrin Olldashi në Leipzig, të Gjermanisë, ku ishin të ftuar në Forumin Ndërkombëtar të Transportit. Gjatë takimit, ministri Olldashi kërkoi mbështetjen e Kallas për ngritjen e selisë së Traktatit të Komunitetit të Transportit për Evropën Juglindore, në Tiranë. Një pikë e rëndësishme e takimit/bisedimeve ishte dhe kërkesa që marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit të automjeteve me Italinë, të shtrihej në nivel komunitar, me qëllim eliminimin e bisedimeve bilaterale me secilin shtet për këtë çështje. Komisioneri i Bashkimit Evropian për Transportin u angazhua që të shqyrtonte hapësirat ligjore që ky proces të realizohet. Gjithashtu ai përshëndeti politikën e ndjekur nga qeveria shqiptare në qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, si një nga komponentët kryesor në procesin e integrimit dhe zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë, si dhe vlerësoj rolin pozitiv të Shqipërisë në rajon. Në Forumin Ndërkombëtar të Transportit të mbajtur në Leipzig, të Gjermanisë, ishin të ftuar ministrat e transportit, biznesmen, investitor dhe shkencëtar nga e gjithë bota. Forumi Ndërkombëtar i Transportit është një aktivitet i përvitshëm, tema e trajtuar këtë vit ishte inovacioni dhe gjetja e burimeve alternative të transportit, si pasojë e zvogëlimit të resurseve natyrore. Shumë nga të pranishmit paraqitën alternativa të reja në ketë fushë ndër të cilat avionët më panele diellore etj.