Komisioneri për Zgjerimin në BE, Fyle, sot në Tiranë për 3 ligjet e statusit

Stefan Fyle do të zhvillojë sot takime me kryeministrin Sali Berisha, presidentin e Republikës, Bujar Nishani dhe kreun e opozitës, Edi Rama
Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle zhvillon sot një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë kësaj vizite, Fyle do të takohet fillimisht me ambasadorët e BE dhe të OSBE në Tiranë, e më pas të do të vijojë takimet me drejtuesit kryesorë të politikës. Është parashikuar që rreth orës 10:45 Fyle të takohet me kryeministrin Sali Berisha, për tu pasur me takimin mes tij dhe liderit të opozitës, Edi Rama, takim që pritet të zhvillohet rreth orës 12:05. Pas përfundimit të këtyre takimeve Fyle pritet të takojë dhe Presidentin Bujar Nishani.
Qëllimi i kësaj vizite është të bindë mazhorancën dhe opozitën të gjejnë kompromisin për votimin e 3 ligjeve në Parlament, në mënyrë që Komisioni Europian t’i drejtohet në prill Këshillit të Ministrave të BE-së, me propozimin konkret për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë.
Pak ditë më parë, në një mesazh në rrjetin social “Twitter”, mbi situatën në Shqipëri, Fyle është shprehur se “Zgjedhjet në Shqipëri janë shumë të rëndësishme, por nuk mund të zgjidhin çështjet kritike që janë kultura e kompromisit dhe mungesa e gjithëpërfshirës”.
Sipas Komisionerit Fyle, Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në Qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tre reformat në mënyrë që komisioni t’i paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare.
Tetorin e kaluar, komisioni i rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil.
Opozita e kushtëzoi një kompromis të mundshëm me zgjidhjen e çështjes së qarkut të Fierit ku ajo pretendon se shumica ka uzurpuar drejtimin e tij. Sipas opozitës një seri vendimesh të të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar i kanë dhënë të drejtë asaj. Por e djathta në pushtet pretendon të kundërtën duke shpjeguar se çështjet gjyqësore nuk kanë përfunduar ende.
Për shkak të kësaj përplasjeje, në Dhjetor vendet anëtare të BE nuk morën dot një vendim për Shqipërinë, duke lënë të hapur mundësinë që të shqyrtojnë kërkesën e saj për anëtarësim sapo të ketë përmbushur detyrimet e përcaktuara nga komisioni.
Vizita në Tiranë e komisionerit Fyle nuk pritet të jetë një mision i lehtë. Nuk dihet nëse ai do t’ju paraqesë palëve një formulë kompromisi apo thjesht do të përpiqet që të ushtrojë trysni në emër të interesit që vendi të përparojë në rrugën e integrimit. Mes palëve politike shqiptare janë në lojë edhe llogaritë elektorale, të cilat e kanë rritur më tej tensionin e brendshëm.