E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqiptarët janë një komb i vetëm, nuk mund të klonohen në 5 shtete”

04-02-2013 / Gazeta 55

Fjala dhe bashkëbisedimi i plotë i Kryeministrit shqiptar në ditën e dytë të punimeve të Konferencës së 49 të Sigurisë në Mynih

“Ne kemi menduar se ne duhet të adaptojmë modelin e BE, të bazuar në pajtimin midis Francës dhe Gjermanisë. Por kjo në rajon nuk po ndodh. Prandaj unë këmbëngul në implementimin e marrëveshjeve dhe refuzimin e çdo ideje, se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen në 5 kombe, sepse nuk do të pranohet nga shqiptarët. Kjo do të ketë për alternativë bashkimin e tyre kombëtar...”

“Duhet të hiqet dorë nga albanofobia dhe përpjekjet për të klonuar 5 kombe shqiptare të veçanta nga një komb, i cili në të vërtetë është një dhe në shekuj e mijëvjeçarë ka qenë vetëm një. Unë shpresoj se perspektiva Europiane do të jetë ajo që do të siguroje një zgjidhje. Kur gjermanët dhe francezët u bashkuan në BE, ata u bashkuan me një frymë të fortë pajtimi, dhe ata u udhëhoqën prej saj dhe frymëzuan kombet e tjera në Europë, por në të vërtet kjo nuk po ndodhe në rajonin tonë...”

“...Ajo që unë konsideroj vendimtare për Rajonin është respektimi i plotë dhe implementimi i marrëveshjeve. Këto marrëveshje, në një farë mënyre më së shumti ishin marrëveshje të imponuara, por shumë të rëndësishme dhe përcaktuese. A janë implementuar të gjitha këto marrëveshje? Ende jo. Duhet të jemi të sinqertë, ende jo.
Ato madje kërcënohen për tu harruar”.

Nga Sali Berisha

Faleminderit zoti President Ahtissari!
Shfrytëzoj rastin për të përshëndetur kontributin tuaj të madh për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ballkani është një prej rajoneve që ka ndryshuar më shumë dhe unë besoj se, në të njëjtën kohë është një nga investimet më frytdhënëse të bëra nga vendet perëndimore për paqen dhe demokracinë. Në asnjë rajon tjetër që përjetoi konflikte nuk ka patur zhvillime kaq pozitive sa në rajonin tonë gjatë këtyre viteve.
Unë jam shumë dakord me presidentin Josipoviç, se rajoni ka nevoje për pajtim.
Çfarë na mëson modeli europian; ai na fton të punojmë të ecim drejt pajtimit.
Mendoj se kjo është vendimtare për ta parë njëri - tjetrin si kombe dhe vende që ndajnë një të ardhme dhe vullnetin për të ndarë të ardhmen. Jam dakord se integrimi është vendimtar, sepse në këtë proces, në një farë mënyre, idealet kombëtare duhet të shkojnë, të vishen me interesat e integrimit europian.
Por, ajo që unë konsideroj vendimtare për Rajonin është respektimi i plotë dhe implementimi i marrëveshjeve. Këto marrëveshje, në një farë mënyre më së shumti ishin marrëveshje të imponuara, por shumë të rëndësishme dhe përcaktuese. A janë implementuar të gjitha këto marrëveshje? Ende jo. Duhet të jemi të sinqertë, ende jo.
Ato madje kërcënohen për tu harruar. Mirëpo kjo nuk ndihmon. Në fund të ditës më e rëndësishme se çdo gjë tjetër është, që qytetarët e këtij rajoni kudo që jetojnë të ndihen si qytetarë të barabartë përpara ligjit.
Zoti President!
Unë e mora fjalën dhe dëshiroj që në këtë audiencë të nderuar  të flas haptas dhe sinqerisht, siç është në traditën më të mirë të kësaj konference. Unë kam bindjen se albanofobia, në të gjitha qëndrimet kundrejt shqiptarëve, është e gjallë dhe në veprim dhe ajo kërcënon seriozisht stabilitetin në Rajon. Nëse ju  shihni hartën e Europës, nuk gjeni vend tjetër të rrethuar nga bashkëkombës dhe deti, siç janë sot shqiptarët të ndarë në 5 shtete. Unë besoj se nëpërmjet procesit të Bashkimit Europian, kufijtë bëhen të pa rëndësishëm, por e rrezikshme është ideja sipas të cilës meqenëse shqiptarët janë të copëtuar në 5 shtete duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme nga njeri- tjetri. Kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo do të prodhonte dhe provokonte reagimin e kundërt. Unë kam mbështetur dhe përshëndes dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Padyshim ai ka arritur disa suksese kyçe. Por mendoj se, qëndrimet e çliruara nga albanofobia dhe ecja drejt pajtimit janë vendimtare. Në rajon situata më delikate është ajo e shqiptarëve. Duhet ta pranojmë se janë i vetmi komb që jeton në 5 shtete. Një komb, i cili padrejtësisht  është i ndarë në 5 shtete, një komb që dëshiron të shikoj drejt një të ardhme të përbashkët. Por, sërish albanofobia është akoma në veprim. Kur flas me miqtë e mi kroat, slloven dhe madje edhe me ndonjë serb, ata më pohojnë me sinqeritet se çfarë “baruti” urrejtje dhe përbuzje është akumuluar gjatë një shekulli për shqiptaret. Kjo është e vërteta. Dhe kjo është e shprehur duke vonuar zbatimin e marrëveshjeve, duke përkujtuar fillimin e fushatave të asgjësimit masiv të shqiptarëve. Ne kemi menduar se ne duhet të adaptojmë modelin e BE, të bazuar në pajtimin midis Francës dhe Gjermanisë. Por kjo në rajon nuk po ndodh. Prandaj unë këmbëngul në implementimin e marrëveshjeve dhe refuzimin e çdo ideje, se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen në 5 kombe, sepse nuk do të pranohet nga shqiptarët. Kjo do të ketë për alternativë bashkimin e tyre kombëtar.
Më pas, Deputeti gjerman Rainer Stinner pyeti, se cili është mesazhi i kryeministrit Berisha për ta?
Kryeministri Berisha: Përgjigja ime për ju është thjesht: Ju lutem përpiquni  të  kuptoni më mirë, më drejt këto që unë paraqita këtu, të njiheni më mirë me realitetin në rajonin tonë. Dua ta ilustroj këtë me një shembull; Në vitin 1992 unë kam qenë këtu në Mynih në të njëjtën Konferencë. Një gazetar italian i “Corriere della Sera” më pyeti se çfarë mendoja unë si zgjidhje për konfliktin në Rajon. Unë ju përgjigja se, zgjidhja qëndronte për mendimin tim në bombardimin e  instalimeve dhe bazave ushtarake në Serbi. Ai të nesërmen hapi gazetën me lajmin: Berisha kërkon që NATO të bombardojë Beogradin. Por kjo nuk ishte e vërtetë. Unë isha shprehur  për bombardimin e bazave ushtarake të Sërbisë dhe kjo 7 vjet më vonë ndodhi. Ndofta do kishte qenë më mirë të mos ishte vonuar. Edhe sot pas 21 viteve, e vetmja gjë që unë serish kërkoj nga ju është një analizë më realiste dhe më të vëmendshme për zhvillimet në Rajonin.
Sepse, në rast se nga njëra anë tjetri flet për perspektiven e marrëdhënieve bilaterale  dhe nga ana tjetër  feston datat e fillimit të fushatave të shfarosjes së kombit shqiptar, imagjinoni vetë se çfarë mesazhi fqinjësie është ky. Prandaj e konsideroj të domosdoshme të zbatohen marrëveshjet, të punohet për klimën e pajtimit. Duhet të hiqet dorë nga albanofobia dhe përpjekjet për të klonuar 5 kombe shqiptare të veçanta nga një komb, i cili në të vërtetë është një dhe në shekuj e mijëvjeçarë ka qenë vetëm një. Unë shpresoj se perspektiva Europiane do të jetë ajo që do të siguroje një zgjidhje. Kur gjermanët dhe francezët u bashkuan në BE, ata u bashkuan me një frymë të fortë pajtimi, dhe ata u udhëhoqën prej saj dhe frymëzuan kombet e tjera në Europë, por në të vërtet kjo nuk po ndodhe në rajonin tonë.

Konferenca në Mynih, Kryeministri takon Presidenten e Kosovës

Berisha-Jahjaga: Keqardhje për fenomenin e albanofobisë

Kryeministri Berisha, gjatë qëndrimit në Mynih, zhvilloi një takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, Ahtifete Jahjaga dhe delegacionin pjesëmarrës së Republikës së Kosovës në konferencë.
Gjatë takimit dhe drekës, Kryeministri Berisha dhe Presidentja Jahjaga vlerësuan faktin se Republika e Kosovës është shndërruar tashmë në një faktor real e të rëndësishëm të paqes e sigurisë e bashkëpunimit në Rajon e më gjerë. Sikundër shprehen keqardhjen e thellë për fenomenin e albanofobisë, i cili është tërësisht i pabazuar dhe i mbështetur në mentalitete të tejkaluara dhe nuk i shërben aspak konsolidimit të paqes dhe bashkëpunimit në Rajon, por edhe projekteve madhore të integrimit europian të Rajonit.
Pjesë e delegacionit të Kosovës ishin Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës z. Enver Hoxhaj, Ministri për Çështjet e Sigurisë, Agim Çeku dhe ambasadorët e të dy vendeve në Republikën Federale të Gjermanisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›