Mesazhi i Edi Ramës: “Fyle vjen kot, unë s’i votoj 3 ligjet”

Ndërsa që prej mbrëmjes së kaluar Komsioneri për Zgjerim në BE Stefan Fule është mysafir në Tiranë me një mision të veçantë, Edi Rama kokfortësisht “ia ka vënë kufirin te thana”. E paralajmëruar prej ditësh se qëllimi i kësaj vizite të Stefan Fules është të bindë mazhorancën dhe opozitën të gjejnë kompromisin për votimin e 3 ligjeve në Parlament, në mënyrë që Komisioni Eruopian t’i drejtohet në prill Këshillit të Ministrave të BE-së, me propozimin konkret për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë, Edi Rama i ka paraprirë kësaj vizite me paralajmërimin e tij për refuzimin në mënyrë të përsëritur të dhënies së këtij konsensusi.
Nga rrjeti social “Twitter”, në komunikimin e radhës me ndjekësit e tij virtualë, Edi Rama duke mos lënë asgjë për diskutim, shkoqur e qartë ka bërë të ditur se, “nuk ka integrim në BE pa ndërtuar Shqipërinë Europiane këtu! E kjo s’bëhet vetëm duke miratuar ligje po duke ndërtuar shtet”.
Të artikuluara nga Edi Rama, frazat “Shqipëria Europiane”, apo “ndërtim i shtetit”, më tepër se abuzive dhe pa kuptim, janë tendenca për të justifikuar mungesën e argumenteve për refuzimin e dhënies së kompromisit për votimin e tri ligjeve, si kushte për integrimin në BE… Se sa për punën e “Shqipërisë Europiane”, Edi Rama e di, ndërsa edhe e ka artikuluar me zë e me figurë se “Shqipëri europiane (që) ka qenë pjesë e këtij kontinenti prej shekujsh e shekujsh me radhë...”, ashtu sikurse për punën e “ndërtimit të shtetit”, ai jo vetëm ka tentuar privatizimin e “100 vjetorit të shtetit”, por duke ju referuar “teorisë së krahasimit” e njeh atë (“ndërtimin e shtetit”) kur me zë (të lartë) e me figurë, artikulonte krahasime 100 vjeçare të tipit “kjo është qeveria më e korruptuar në 100 vjet shtet shqiptar”…, apo kur artikulonte se në “100 vjet shtet, Vlora nuk ka një rrugë europiane”, për të arritur në kufijtë e njohjes së shtetit prej edhe atij vetë, deri atje sa ka arritur dhe ka artikuluar se “Shqipëria ka humbur drurë pyjorë në këta shtatë vjet (për shkak të zjarreve po edhe të abuzimeve pafund), aq sa çnuk ka humbur në 100 vjet shtet shqiptar”.
Me gjithë akrobacitë e tipit të “Shqipërisë (disa shekullore) Europiane)”, apo “ka, por nuk ka shtet”, për Edi Ramën kufiri “shtetit shqiptar” me “Shqipërinë Europiane” ndahet te pizhamet e Vangjel Ndrekos. I artikuluar kështu, kaq i veçuar dhe pa lidhje ky emër/mbiemër, vazhdon të mos kujtojë asgjë. Por, duke u rikthyer dy-tre muaj më parë, Vangjel Ndreko pretendenti për “fronin” e kryetarit të Këshillit të Qarkut të Fierit me bekimin e Edi Ramës gjeti zgjidhjen më origjinale për bllokimin e marrjes së statusit të vendit kandidat. Pikërisht, për këtë pengmarrje, në emër të gjykimit të “fatit” të kreut të Këshillit të Qarkut të Fierit, ai (Vangjel Ndreko) “zvarriti” dhe “bojkotoi” seancën gjyqësore, falë raportit mjekësor që nga dhoma e tij e gjumit, ashtu siç ishte me pizhame, gruaja e tij e shpalli “të paaftë” për tu paraqitur në seancë gjyqësore.
Ndaj edhe kufiri i “shtetit shqiptar” me “Shqipërinë Europiane” i Edi Ramës, ka humbur midis pizhameve të Vangjel Ndrekos.
Në pamundësi për të gjetur e rivendosur këtë kufi, Eid Rama, jo më larg se dje rikonfirmoi “kufirin te thana”, këtë herë për Komsionerin për Zgjerim në BE, Stefan Fule, kur nga rrjeti social i “Twitter”it, ai (Edi Rama) na bëri me dije të gjithëve se ai (Stefan Fule), kot vjen në Tiranë, sepse ai sërish nuk do të lejojë votimin e tri ligjeve, ndërsa në ligjëratë të drejtë, as më shumë e as më pak, paralajmëroi se, “S’funksionon me detyrim partneriteti me BE e me Komisionerin! 3 ligjet mund të votohen nëse opozita dëgjohet se pse nuk i voton”...