“Vizita e Fyle, e motivuar nga dëshira e mirë e Brukselit për një Shqipërinë pranë BE-së”

Reagimi/Genc Pollo: Shqiptarët e dinë se vonesa e integrimit vjen prej kokëfortësisë së Edi Ramës
Ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo bën përgjegjës kryetarin e PS, Edi Rama për vonesat e shkaktuara në procesin e integrimit evropian. Duke iu referuar vizitës në Tiranë të Komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, Pollo e shikon të motivuar nga dëshira e mirë e BE, dhe shpreson që ajo të ketë një përfundim të suksesshëm dhe një rezultat konkret sa i takon miratimit të 3 ligjeve të statusit nga opozita. “Vizita e Komisionerit Fyle, është motivuar nga dëshira e mirë dhe unë dëshirojë që kjo vizitë të jetë e suksesshme”, u shpreh Pollo. Sipas tij, “në saj të negociatave që Partia Demokratike ka bërë me opozitën, është votuar Kodi Zgjedhor, Ligji për Imunitetet dhe shumë ligje të tjera”. “Të gjitha këto kanë treguar një kulturë kompromisi dhe se është bërë një hap përpara. Heqja e imuniteteve, ishte një kusht paraprak për integrimin, i cili u plotësua por Komuniteti Europian dhe zoti Fyle i vunë Shqipërisë edhe tre kushte që duhen votuar patjetër. Opozita thotë që Shqipëria nuk është e gatshme për të marrë statusin kandidat në Bashkimin Europian, kurse Qeveria e zotit Berisha mendon se jemi më se të gatshëm për ta marrë këtë status. Parlamenti Europian është shprehur me rezolutë se, “nëse Shqipëria i voton tre ligjet, ajo do ta marrë statusin kandidat”.
Në lidhje me deklaratën e djeshme të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama i cili është shprehur se “3 ligjet mund të votohen nëse opozita dëgjohet se pse nuk i voton”, Pollo tha se, “kjo çështje ka tre muaj që diskutohet dhe Rama mund ta kishte thënë sa herë të donte arsyen pse nuk i voton”. “Fieri mund të jetë i rëndësishëm por integrimi është shumë i rëndësishëm. Edi Rama e ka të vështirë të nxjerr mësime nga pësimet që ka pasur. Nuk e di nëse kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama do të ndryshojë mëndje, por nuk do të doja që Partia Demokratike të mbante shpresat tek ndryshimi i humorit të një personi të vetëm. Të gjithë ata që duan një Shqipëri Europiane e kuptojnë që kjo është kokëfortësia e Edi Ramës dhe jo paaftësia e qeverisë”, u shpreh Pollo, duke shtuar se, “reforma e Gjyqësorit dhe lufta kundër krimit të organizuar është një kusht për anëtarësimin në Bashkimin Europian”. “Nga pikëpamja institucionale Shqipëria del në dritë pozitive në lidhje me shumë vende të tjera kandidate për në Bashkimin Europian. Presioni pozitiv për të forcuar shtetin ligjor është në dobi të të gjithëve”- tha më tej ai.