Komisionet hetimore, afatet për hetim, vetëm 3 muaj me ligj
Maxhoranca dhe opozita kanë rëndë dakord për hetimin e materialeve zgjedhore, si dhe që ky hetim të kryhet përmes komisionit hetimor parlamentar. Referuar ligjit për funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare, që nga momenti i mbledhjes së ditës së parë të komisionit, deputetët kanë vetëm 3 muaj afat që të mbyllin hetimet. Në këtë afat, deputetët e komisionit duhet të hartojë raportin për ta paraqitur për votim në seancë plenare. Por referuar afateve të Kuvendit, punimet e tij nuk mund të zgjasin përtej muajit korrik, çka bën që komisioni hetimor, edhe në rast se ngrihet, do të duhet të përfundojë veprimtarinë e tij vetëm në muajt e vjeshtës kur Kuvendi të rimblidhet. "Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të janarit, ndërsa sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. Data e mbarimit të sesionit dhe ora e fillimit të sesionit të ri të punimeve të Kuvendit njoftohen nga Kryetari i Kuvendit", thotë pika 1 e nenit 42 të Rregullores së Kuvendit. Nga ana tjetër, nëse deputetëve do t'u duhet më shumë se 3 muaj kohë për hetim, ata do të duhet të bëjnë kërkesë zyrtare për shtim të kohës. Sipas ligjit, kreu i komisionit njofton me një shkresë zyrtare Kryetaren e Kuvendit ku e njofton për afat shtesë, për hetim. Nëse hetimi tejkalon afatet, atëherë komisioni mund të mos miratojë asnjë raport. Gjithsesi ende nuk bëhet e ditur nëse komisioni hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit do të fillojë të mblidhet në këtë sesion parlamentar, apo do të shtyhet për në shtator me fillimin e sesionit të ri.