E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e PS hapin procesverbalet



Erald Kapri

Palët kanë rënë dakord në një pikë, e cila është hetimi i materialeve zgjedhore. Dy liderët politike, kreu i Qeverisë Sali Berisha dhe kreu i opozitës Edi Rama, duke folur në distancë për median, konfirmuan se do të hapen kutitë e materialeve zgjedhore, që përfshin procesverbalet dhe gjithë dokumentacionin e zgjedhjeve. Këto materiale, sipas Kodit Zgjedhor, arkivohen dhe më pas mund të tërhiqen nga Arkivi për t'u parë. "Ligji garanton plotësisht dhe tërësisht shqyrtimin nga secili prej jush, nga secila forcë politike të materialit zgjedhor, të arkivuar sipas rregullave në arkiv dhe çdo të drejtë tjetër , të cilën ligji ia njeh gjithkujt, unë kam provuar tu respektoj liritë dhe të drejtat e çdo njeriu", deklaroi kreu i Qeverisë Berisha. Ndërkaq kreu i PS-së Rama në bashkëbisedimin me gazetarët, tha se do të hapen materialet zgjedhore dhe sipas tij, kjo përbën një fitore pasi kutitë nuk janë më tabu. "Ndërkohë që duhet të jemi të ndershëm dhe të qartë se hapja e kutive dhe vënia në dispozicion për hetim, e gjithë dokumentacionit zgjedhor, jo vetëm nxjerr në dritë mekanizmin famëkeq të Ruzhdies, por edhe mundëson që ç'ka ka ndodhur në të shkuarën të zbulohet dhe të shërbejë si një bazë për të ndërtuar të gjitha garancitë që të mos ndodhi në të ardhmen", deklaroi Rama.
Fletët e votimit
Ndërsa palët kanë arritur një mirëkuptim që materialet zgjedhore do të këqyren për hetim parlamentar, ende nuk është rënë dakord për fletët e votimit. Kodi Zgjedhor parashikon që ato të digjen në momentin që hapen kutitë dhe dokumentacioni zgjedhor shkon në Arkiv të Shtetit. Palët do të duhet të negociojnë gjatë këtë pikë, për të gjetur rrugën e mirëkuptimit se çdo të ndodhë me fletët e votimit. Disa nga variantet e paraqitura, si pritja e një mendimi ligjor nga Komisioni i Venecias etj, mbetet për tu diskutuar në tavolinë. Kreu i maxhorancës Berisha, nuk i përmendi fletët e votimit. Ai u shpreh se ligji lejon këqyrjen e materialeve zgjedhore ndërsa për fletët e votimit, Berisha nuk dha asnjë koment. "Siç e dini, nuk ka vakum ligjor. Gjërat janë qartësisht të përcaktuara. është shumë e rëndësishme që cilido që dëshiron të përfitojë nga hapësirat e mëdha që krijojnë ligjet e vendit, Kushtetuta e vendit, vendime të tjera. Unë kam besim se kjo do të ndodhë. Unë vlerësoj çdo përpjekje të cilitdo që të përfitojë nga ato çka garantojnë ligjet", deklaroi Berisha.
Nga ana e tij, Rama tha në konferencën për shtyp, se fletët e votimit mbeten pika kryesore për tu zgjidhur në tavolinën e bisedimeve. "Përsa i përket fletëve të votimit ka një diskutim për të përcaktuar qasjen ndaj tyre. Por ndërkohë mekanizmi i Ruzhdies është lehtësisht i nxjerrë në dritë, pa fletët e votimit. Për fletët e votimit, nuk kemi pse ta fshehim, ka një debat dhe palët janë ende larg", deklaroi Rama. Duke u ndalur në këtë çështje, Rama tha se "unë dua t'ju rikujtoj edhe njëherë tjetër që deri përpara pak ditësh kutitë ishin tabu. Kjo tabu ka rënë, kutitë do hapen. Ndarja e dokumentacionit zgjedhor nga fletët e votimit është një çështje që nuk e cenon thelbin e problemit që kishte të bënte me domosdoshmërinë, për të nxjerrë në dritë mekanizmin e deformimit të vullnetit të popullit".
Negociatat
Palët pritet që të kryejnë një takim në javën e ardhshme ku tema kryesore mendohet se do të jetë qasja ndaj fletëve të votimit. Lajmin për rimbledhjen e tryezës e konfirmoi dje në konferencë kreu i PS-së Edi Rama. "Për të qenë më të qartë javën e ardhshme do të ketë një zhvillim intensiv negociatash me përfshirjen e drejtpërdrejtë të të dërguarve të komunitetit ndërkombëtar", tha Rama. I pyetur më tej nga media nëse negociatat dështojnë, Rama u shpreh se opozita është e gatshme të mos ndalet me protestat e saj. "Ne nuk ndalemi dhe ne nuk zmbrapsemi. Por ne jemi shumë të vetëdijshëm, se duhet të shfrytëzojmë çdo shans dhe mundësi që jepet për zgjidhjen e krizës. Dhe sigurisht pavarësisht nga një propagandë e shthurur që është bërë në adresën tonë, duke thuajse u lutur pushteti që protesta jonë të degjeneroj në dhunë, ne asnjëherë nuk e kemi menduar zgjidhjen si një moment që do të vijë nëpërmjet rrugës", tha kreu i opozitës Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›