E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të hënën PS në Kuvend e komisione



Aristir Lumezi

Të hënën Parlamenti do të mblidhet në orën 18:00 në seancë plenare. Deputetët e PD-së janë lajmëruar për këtë seancë, ndërsa PS ende nuk ka një vendim zyrtar për të. Pritet që grupi parlamentar socialist të mblidhet të hënën paradite për të marrë vendimin e pritur prej shumë kohësh, rikthimin në jetën normale parlamentare. Njoftimi i deputetëve demokratë për seancën e së hënës, është bërë që të premten, kur ende liderët e të dy kampeve, Berisha dhe Rama nuk ishin kthyer nga Strasburgu. Burime nga takimi pohuan se nga të dyja palët, por veçanërisht nga kreu socialist Edi Rama, është marrë angazhimi në takimin e lartë me evropianët në Strasburg për të kthyer deputetët e PS-së në Parlament dhe nisjen e një jete normale parlamentare. Rikthimi në Parlament i opozitës ka qenë një kërkesë permanente e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa opozita e kishte kushtëzuar atë me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Vendimi pritet të merret në mbledhjen e grupit parlamentar socialist të së hënës, ku priten të përcaktohen dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare që drejtohen nga opozita, nga të cilat ajo drejton dy komisione. Ky vendim do të shënojë dhe përfundimin e bojkotit të PS ndaj Parlamentit, bojkot që zgjati rreth 10 muaj dhe u thye vetëm gjatë debatit për djegien e mandateve të deputetëve nga Kryetarja e Kuvendit. Madje, kthimi i deputetëve socialistë në Parlament do të rikthejë në normalitet dhe zhvillimin e seancave parlamentare, pasi nga java që vjen Parlamenti do të mbledhë edhe seancën e ditës së hënë. Që nga nisja e sesionit parlamentar, për shkak të mungesës së opozitës, seanca e kuvendit është mbledhur vetëm ditën e enjte, për t'i lënë më shumë kohë komisioneve parlamentare për të punuar, ndërkohë që në këtë veprimtari është ndjerë mungesa e opozitës. Angazhimi i marrë në Strasburg do të shënojë dhe hapin e parë të hyrjes në normalitet të Parlamentit, i cili që nga nisja e këtij legjislacioni ka funksionuar pa pjesëmarrjen e opozitës.
Darka
Duket se darka e "Crocodile" në Strasburg po nis të zbulojë një nga një atë çfarë është vendosur aty, ku futja e parlamentit në normalitet është hapi i parë që vjen si rezultat i një angazhimi të marrë aty prej palëve. Nëse PS thyen një vendim të saj të marrë që prej 10 muajsh, me kushtin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit, mbetet të shohim lëshimet që do të vijojnë nga PD për të arritur në fund, në një zgjidhje të krizës politike në vend. Megjithatë, fakti që kryeministri i vendit Sali Berisha ka pranuar hetimin e kutive të materialeve zgjedhore, tregon se edhe nga maxhoranca është bërë një lëshim. Por thembra e Akilit mbeten fletët e votimit. Ndërsa kryeministri Berisha kërkon që me marrjen e materialeve zgjedhore, fletët e votimit të digjen sipas kodit zgjedhor. Rama, për të ndihmuar transparencën, kërkon që fletët e votimit të mos digjen deri në mbarimin e transparencës nga komisioni hetimor parlamentar. Sipas socialistëve, fletët e votimit mund të verifikohen nëse Gjykata Kushtetuese do t'i lejojë ato pas opinionit që do të japë Komisioni i Venecias.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›