E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Amerikan i Helsinkit, seancë dëgjimore për zgjedhjet e 28 qershorit



Komisioni Amerikan i Helsinkit pritet të mbajë një seancë dëgjimore në fillim të muajit qershor për zgjedhjet që pritet të zhvillohen pas katër javësh. Burimet zyrtare të kësaj organizate bëjnë të ditur se më datë 4 qershor do të bëhet një seancë, në bashkërendim të dy kryetarëve të Komisionit, senatorit Benjamin Kardin dhe kongresistit Alsi Hasting, të titulluar “Zgjedhjet e Shqipërisë dhe sfida e tranzicionit demokratik”.
“Seanca do të shqyrtojë progresin demokratik që është bërë në Shqipëri në prag të zgjedhjeve parlamentare që mbahen më 28 qershor”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Sipas tij, në këtë takim do të vlerësohen në tërësi përgatitjet e Shqipërisë për integrimin europian, tani që ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE dhe që u bë anëtare e Aleancës së NATO-s”. “Panelistët do të shqyrtojnë perspektivat e zgjedhjeve të ardhme parlamentare nëse ato do të mbahen në pajtim me standardet e OSBE-së, e cila do të vëzhgojë zgjedhjet”, - thotë njoftimi i Komisionit të Helsinkit. Në ndryshim nga seancat e këtij lloji, që janë zhvilluar vitet e kaluara, këtë radhë nuk do të ketë asnjë të ftuar nga Shqipëria. Panelistët e takimit janë: lobisti i njohur shqiptaro-amerikan, kongresisti republikan Eliot Engëll, i cili para pak ditësh ishte në Tiranë. Ai u takua në Shqipëri me përfaqësues të partive kryesore politike në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. Po ashtu, në panel do të jetë edhe Elez Biberaj, drejtor i Divizionit të Euro-Azisë pranë Zërit të Amerikës. Gazetari me origjinë shqiptare ka mbuluar për shumë vite informacionet nga Shqipëria. Madje ai ka shkruar edhe një libër për tranzicionin dhe Shqipërinë postkomuniste. Po ashtu, Komisioni Amerikan i Helsinkit ka ftuar edhe përfaqësues nga organizata të ndryshme amerikane që kanë aktivitete në vendin tonë. Jonas Rolet, drejtoreshë Rajonale për Europën Juglindore pranë Institutit të Shoqërisë së Hapur dhe Robert Benjamin, drejtor Rajonal për Europën Qendrore dhe Lindore në Institutin Demokratik Kombëtar, janë dy panelistë të tjerë që do të diskutojnë për përgatitjet e Shqipërisë në prag të zgjedhjeve dhe reformat që ka realizuar në kuadër të integrimit euroatlantik.
Vitet e kaluara, Komisioni Amerikan i Helsinkit ka bërë disa seanca dëgjimore për Shqipërinë, ku ka ftuar edhe përfaqësues të rëndësishëm të politikës dhe shoqërisë civile në vendin tonë. Kjo strukturë përbëhet nga politikanë, senatorë dhe kongresistë të njohur amerikanë, të cilët informohen për zhvillimet demokratike në vende të ndryshme të botës.

Albert Gjoka

30 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›