E Diel, 1 Nëntor 2026

Visar Zhiti, një hero i shpirtit të shenjtë të njeriut



Laurian STANCHESCU*
Përpos vdekjes dhe jetës sonë, ekziston dhe një përmasë e lëndës që e përmban vetëm njeriu. Ajo është mirazhi për vetveten. Jeta jonë zhvillohet në brendësi të këtij mirazhi që është vetizoluar nën shenjën e një shifre, kjo shifër jemi ne,vetvetja. Në mënyrë paradoksale ky mirazh i vetvetes shpërthen jashtë tij, sikur do t’i japë jetë një krijese tjetër. Për fat të keq, kjo ndodh në çdo moment që jetojmë, ndërsa muret e mirazhit rrëzohen vetëm pas vdekjes sonë, por nuk do të ishte e habitshme që dhe ajo të ketë një mirazh në vetvete. Romani “Funeral i pafundmë” i Visar Zhiti-t, përkthyer mjeshtërisht në rumanisht nga Luan Topçiu, përshkon këtë mirazh në vetvete, por duke e nxjerrë jashtë tij, duke i dhënë një identitet të dukshëm dhe duke i dhënë atij një emër të përshtatshëm. Bishë. Të jetë njeriu biblik bishë? Duke lexuar këtë libër, jam drithëruar përsëri në të gjithë thelbin e qenies time hyjnore (sepse jemi krijuar nga Perëndia) nga egërsia e qenies sonë, e cila rreket të bëhet gjithë e më shumë lavd perëndie. Gabimet e kryera nga disa të tjerë, njerëz si dhe ne, nuk mund të mos mbulohen, madje as nga pëlhura e Shpëtimtarit. Ulërimat e atyre të masakruarve dhe të vrarëve me brutalitet nga njerëz si ne do të ndihen deri në momentin e ringjalljes, ndërsa fantazmat e tyre do të shkëlqejnë edhe në ditën më të ndritshme. Në këtë libër të vdekurit thellojnë vetë gropat, nga frika se nuk do të mbërrijnë, në vdekje, nga ata që i vranë dhe u çnderuan jetën, madje dhe vdekjen. Që të shkruash një libër të tillë duhet të kesh një fuqi mbinjerëzore, ta pasqyrosh vdekjen sikur ndodh para syve të tu, të flasësh me një gjuhë rrënuese për shpirtrat e njerëzve të ekzekutuar kafshërisht, duhet të kesh përjetuar mjaft në shpirtin tënd dhe të kesh parë atë humnerë e errët së bashku me vrasësit e tij. I gjithë ky libër një poemë orfike në të cilin parajsa dhe ferri, jeta dhe vdekja, dashuria dhe urrejtja, frika dhe guximi, profecitë dhe realizimet ndërthuren në një halucinacion të ekzistencës, të rrethuar dhe të ruajtur nga rojet e sigurisë së çmendur. Aq e fortë është përshtypja që jep leximi i këtij libri sa që mund të plotësojë një bibliotekë dhe i vetëm mund të qëndrojë si një dëshmi për Gjyqin e Fundit. I konsideruar një nga shkrimtarët më të rëndësishëm
bashkëkohorë, Visar Zhiti më ka impresionuar përmes besimit dhe dashurisë ndaj njerëzve dhe mendon për shpirtin e njeriut se është gjëja më e shenjtë nga krijimet e Zotit. Ky është një libër nga përvoja e hidhur e Visar Zhiti-t, ai ka qenë i burgosur dhe I është nënshtruar disa vuajtjeve të pabesueshme në burgjet e komunizmit. Dënohet me dhjetë vjet burg, lirohet pas tetë viteve të kampit, duke vazhduar për të luftuar në lëvizjen demokratike në Shqipëri. Përpos faktit se është një nga poetët më të mëdhenj të Shqipërisë, i njohur, i respektuar dhe i përkthyer jashtë, Visar Zhiti është dhe një hero i Shqipërisë, një hero për vendin idealet dhe besimin në shpirtin e shenjtë të njeriut të cilat janë më të epërme se zbrazëtia e mirazhit në vetvete. I lumtur është është vendi me heronj të tillë dhe mendimtarë që madhësia e të cilëve plotëson shortin e një kombi si Shqipëria.
*Autori i këtij artikulli të botuar në revistën letrare rumune “Oglinda Literara është shkrimtar. Përktheu nga rumanishtja në shqip: Renata MELONASHI

29 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›