Komisioni Antidiskriminim dhe MP, marrëveshje kundër diskriminimit

Brenda 1 viti, vetëm 20 persona kanë trokitur në zyrën e komisionerit të antidiskriminimit për të kërkuar zgjidhje për problemin e tyre. Kjo shifër mbetet e ulët edhe pse numri i atyre që paragjykohen në punë, në shkollë dhe në shoqëri është shumë herë më i lartë. Njerëzit të cilët shihen me sy tjetër në momentin kur kërkojnë punë janë personat me aftësi të kufizuar, romët dhe në mjaft raste edhe femrat.
Për këtë komisionerja kundër diskriminimit, Irma Bajraku thotë se këtë institucion duhet ta njohin qytetarët që të denoncojnë rastet kur paragjykohen dhe përbuzen.
Për një zbatim më të mirë të ligjit, Komisioni Antidiskriminim dhe Ministria e Punës firmosën një marrëveshje bashkëpunimi. Ministri i
Punës Spiro Ksera duke folur për komunitetin rom, të cilët ndeshen në të tilla peripeci, tha se romëve të Babrrusë u është gjendur një tjetër vend për të jetuar.
Sipas marrëveshjes, Ministria e Punës dhe Komisioni kundër diskriminimit do të punojnë së bashku për evidentimin e rasteve dhe gjetjen e zgjidhjeve ku ka diskriminim të hapur dhe në anën tjetër zbatimin e ligjit, kryesisht në institucionet publike për të pasur sa më pak persona të paragjykuar.