Komisioni Europian diskuton sot planin e shpëtimit për krizën ekonomike
Komisioni Europian mblidhet ditën e sotme, në një takim urgjent për planin e shpëtimit të vendeve që rrezikohen nga kriza ekonomike. Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso ka vlerësuar se gjendja paraqitet shumë kritike dhe ndihma e ofruar kap shifrën 70 miliardë euro, shumë kjo që ndryshe nga rasti i Greqisë, do të administrohet nga komuniteti europian. Më herët, liderët e BE-së vendosën krijimin e një mekanizmi që do të ruajë stabilitetin financiar në të gjithë bllokun, e në veçanti për ato shtete që janë më të rrezikuara të preken nga kriza greke. Po kështu, u ra dakord që të merren masa ndëshkuese për ato qeveri që nuk respektojnë limitet për borxhin, difiçitin buxhetor e konkurrencën. Marrëveshja u arrit në momentin që fuqitë europiane aprovuan paketën 3-vjeçare të shpëtimit për Greqinë në vlerë 110 miliardë euro. Kreu i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso dhe liderët e tjerë u shprehën të gatshëm të bënin gjithçka për të shpëtuar Eurozonën. Ekspertët vlerësojnë se Eurozona po përballet me situatën më të vështirë që nga krijimi i saj. Si pasojë, euro është zhvlerësuar ndjeshëm kundrejt monedhave të tjera. Po kështu, spekulimet e mëdha për përhapjen e krizës në vende të tjera, ka sjellë humbje të mëdha në tregjet financiare.
Rreziku
Ditët e fundit kanë pasur probleme edhe vende të tjera europiane. Po ashtu, bursat kanë patur rënie të dukshme jo vetëm në Europë por në gjithë botën. Madje SHBA, Japonia dhe Australia kërkuan nga Europa të marrë masa të tjera. Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, tregoi qartë sa dramatike do të bëhet gjendja pas pak kohe. “Të gjithë kryetarët e shteteve dhe të qeverive të zonës së euros janë të vetëdijshëm se ndodhemi para një situate serioze. Kërkohet përgjegjësi dhe solidaritet. Ne do ta përballojmë këtë situatë së bashku”. Kancelarja gjermane Angela Merkel e përmblodhi kështu situatën: “Ne kemi parë se kundër euros janë bërë shumë spekulime, prandaj konfirmuam edhe një herë se jemi të detyruar të veprojmë. Për këtë e domosdoshme është nga njëra anë që të përshpejtojmë konsolidimin e buxheteve në vendet anëtare, dhe nga ana tjetër të përdorim instrumente të përbashkëta për t’u mbrojtur nga spekulime të tilla, dhe së treti të nxjerrim dhe zbatojmë ligje të reja për kufizimin e spekullimeve dhe të tregjeve financiare”.
Mekanizmat
Detajet e planit pritet të përpunohen sot nga ministrat e financave të 27 vendeve, jo vetëm të atyre të zonës të euros. Junker beson se kjo krijon mundësinë e krijimit të mekanizmave të reja për mposhtjen e krizës, brenda pakteve ekzistuese. Komisioni ka përgatitur propozimet për krijimin e një fondi emergjence për vende të tjera që mund të bien në nevojë. Bëhet fjalë për 70 miliardë euro.
Kosovë, Haradinaj akuza ndaj Thaçit për korrupsion
Korrupsioni nuk mund të ndodhë pa përfshirjen e kryeministrit. Kështu është shprehur gjatë një konference kryetari i AAK-së, duke akuzuar kryeministrin Hashim Thaçi. “Korrupsioni në një qeveri nuk mund të ndodhë pa përfshirjen e kryeministrit. Në njëqind ditë të qeverisjes sime nuk mundi të ndodhte korrupsion në rast se nuk përfshihej shefi i qeverisë”, ka thënë Haradinaj, ku ndër të tjera ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të planit qeverisës dhe krijimin e një plani improvizues pa plan veprimi. Kjo sipas tij, ka bërë që të gjitha njësitë qeverisëse të mos kenë asnjë ide se çfarë punësh duhet të kryejnë. “Brenda strukturës organizative me anë të lidhjeve të shkurta është krijuar një strukturë paralele e rrjetit të korrupsionit të organizuar nga klubi i kryeministrit me orientim të qartë në abuzim të buxhetit të shtetit”, ka theksuar ai.
Hiri vullkanik mbërrin në Itali, në kaos Spanja dhe Portugalia
Hiri i vullkanit të Islandës, mbërrin në Itali. Rreth 5.000 udhëtime janë anuluar dje në Europë, kryesisht në Spanjë dhe Portugali. Hiri në Itali vjen si pasojë e rrymave të ajrit, të cilat po drejtohen nga Islanda në Spanjë, duke rrezikuar edhe vende të tjera. Në Spanjë janë mbyllur 15 aeroporte për shkak se vullkani që shpërtheu, ndërpreu trafikun ajror europian për më shume se një javë. Agjencia e trafikut ajror europian tha se fluturimet transatlantike mund të ndryshojnë drejtim për të mos fluturuar përmes hirit. Muajin e shkuar, mijëra udhëtues u bllokuan pasi hiri shkaktoi mbylljen e hapësirës ajrore të mjaft vendeve. Imazhe të reja tregojnë se në vullkani Eyjafjallajokull ka aktivitet të ri. Ekspertë të Zyrës Meteorologjike të Britanisë thonë se vullkani po çliron hi, në lartësi prej 9,100 metrash.
SHBA
Ekonomia shënon rritje të vendeve të vendeve të punës
Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama ka deklaruar se ekonomia amerikane ka njohur rritje që nga koha kur ai erdhi në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit të kaluar. Ndërkohë që prilli ishte muaji i katër që ekonomia kishte njohur rritje të vendeve të punës, papunësia u shtua nga 9.7 për qind në 9.9 për qind në muajin mars. epartamenti i Punës thotë se më shumë se 800 mijë njerëz që patën humbur shpresat për të gjetur punë kanë filluar përsëri të kërkojnë punë dhe presidenti Obama thotë se kjo është një shenjë e mirë. Rreth 15.3 milion amerikan ishin të papunë në muajin prill.
Pakistan
Testohen me sukses raketa të reja bërthamore
Pakistani bëri të ditur se ka testuar me sukses dy raketa me rreze të shkurtër veprimi, që janë të afta të mbajnë koka bërthamore. Kryeministri Jusuf Reza Giliani dhe zyrtarë të lartë të ushtrisë e ndoqën testimin e raketës balistike Ghaznavi, e cila mund të shkojnë deri 300 km, dhe raketës Shaheen-I, me rreze 650 km. Armata e Pakistanit e quajti testin pjesë e përpjekjeve për ta forcuar aftësinë mbrojtëse të vendit. Të dy rivalët në rajon, Pakistani dhe India, kanë bomba bërthamore.
10 Maj 2010