STUDIMI, vetëvrasjet, fenomeni në rritje dhe mosndërhyrja e shtetit
Artan CENA
TIRANË - Në jetën e përditshme në familje, komunitet ka shpesh raste të përplasjeve e konflikteve që jo gjithmonë zgjidhen në mënyrën e duhur. Njerëzit që janë me gjendje të dobët emocionale shpeshherë zgjedhin rrugën më të shkurtër, atë të vetëflijimit në mënyra ta ndryshme. Treguesit e vetëvrasjeve kanë shënuar rritje nga viti në vit, duke filluar nga 2000-shi e deri tani, ndërkohë që duhej të kishte ndodhur e kundërta. Shifrat e muajit të fundit janë tepër alarmante dhe të frikshme, që nuk janë regjistruar në periudhat e mëparshme. “Vetëm ditët e fundit në vendin tonë kanë ndodhur më shumë se dhjetë raste ku persona të sekseve të ndryshme i kanë dhënë fund jetës. Rastet më të fundit kanë ndodhur në Korçë, Elbasan, Shkodër dhe qytete të tjera të vendit. Rritja e numri të vetëvrasjeve theksohet më tepër pasi muajt prill dhe maj nuk konsiderohen si kohë e pikut të vetëvrasjeve. I tillë rezulton muaji korrik, ku treguesit priten të rriten edhe më tepër”, - thotë për gazetën “Albania” studiuesi Sofokli Duka.
Shkaqet
Vetëvrasjet janë të shtrira në të gjithë territorin e vendit, sidomos në zonat rurale, me nivel të ulët ekonomik. Gjatë kohëve të fundit janë evidentuar disa vetëvrasje protestuese dhe publike, që shpreh shkallën më të lartë të dhimbjes dhe dëshpërimit të këtij fenomeni. Mund të përmendim rastin e tentativës së një prindi më dy fëmijë, rastin e spërkatjes së trupit me benzinë dhe vënies së flakës, hedhja nga kati i tetë i një vajze të re pak ditë para ceremonisë së dasmës, hedhja nga një shkëmb 100 metra në Librazhd dhe vetëvrasja me granatë në oborrin e banesës të një 32-vjeçari. Numri i rasteve është shumë i madh dhe nuk mund të përfshihen në një artikull. Sipas studiuesit Sofokli Duka, shumica e viktimave kanë qenë kryefamiljarë dhe persona përgjegjës, duke e lënë të ardhmen e fëmijëve në mëshirë të fatit. “Si faktorët më kryesorë të vetëvrasjeve evidencohen: varfëria e tejskajshme, papunësia, mungesa e të ardhurave, mosplotësimi i detyrimeve familjare etj. Del në pah imitimi i modelit të vetëvrasjes, sidomos në aspektin e mënyrës së realizimit të vetëvrasjes: hedhja nga lartësitë, nga katet e larta të ndërtesave të qytet, ose nga shkëmbinjtë në fshat. Po kështu edhe përsa i përket shkakut apo faktorëve të vetëvrasjeve”, - thotë Duka.
Parandalimi
Veç vetëvrasjeve, në Shqipëri nuk ekziston një strategji që të parashikojë uljen e numrit të tyre. Studiuesi Sofokli Duka thotë se shteti po tregohet më indiferent se kurrë në vlerësimin dhe parandalimin e këtij fenomeni. Mungesë totale e prononcimeve, politikave dhe iniciativave. Jo vetëm kaq, por shteti, në disa raste, evidencohet edhe si faktor i shtimit të vetëvrasjeve. Përmendim rastet e vetëvrasjeve si shkak i pushimit nga puna apo humbjes së vendit të punës, konflikteve të krijuara nga administrata shtetërore, moszgjidhjeve të ankesave dhe problemeve nga organet shtetërore etjm”. Sipas tij, tani edhe shteti është një faktor i shtimit të vetëvrasjeve në Shqipëri. Ende nuk ka një institucion që të jetë përgjegjës për parandalimin e vetëvrasjeve. Opinioni publik është i painformuar dhe i paorientuar për parandalimin e këtij fenomeni, që nuk është vetëm objekt i medias. Shifrat e vetëvrasjeve po u afrohen gjithnjë e më tepër atyre të aksidenteve automobilistike.
Shifrat në rritje
Duke iu referuar statistikave zyrtare, në tetë vitet e fundit në Shqipëri kanë ndodhur 1500 vetëvrasje. Vetëm gjatë vitit 2008 janë regjistruar 331 të tilla, ndërsa gjatë vitit 2009 numri ka qenë rreth 360. Në muajt e parë të këtij viti shifrat kanë qenë alarmante, pasi numri i vetëflijimeve është rritur shumë. Më problematike, sipas statistikave zyrtare që jep Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Brendshme, janë rrethet e Tiranës, të Elbasanit, Fierit e Korçës. Duke bërë krahasimin me një vit më parë, gjatë muajve të parë të 2010-s janë regjistruar më shumë raste.
Disa nga arsyet
Mjaft vetëvrasje ndodhin për shkak të sëmundjeve të pashërueshme dhe të degraduara, jashtë asistencës spitalore. Nga familjarët nuk raportohen si vetëvrasje, por si vdekje nga sëmundjet e pashërueshme.
Shumë vetëvrasje të kryera nga të moshuarit, për arsye njerëzore nuk raportohen si vetëvrasje, por si vdekje nga pleqëria. Këtu mund të shtojmë edhe rastet e prerjes me vullnet të lirë të medikamenteve apo të ushqimit. Praktikisht këto lloj vdekjesh plotësojnë të gjitha kushtet për t’u konsideruar si vetëvrasje, pavarësisht nga mosha e viktimës.
Mjaft persona të zhdukur, të larguar për arsye të ndryshme dhe me vullnetin e tyre nga familja, kur gjenden të rënë nga lartësitë, apo edhe të vdekur pa shenja vetëvrasjeje, nuk mund të përcaktohen ekzakt nëse e kanë kryer këtë akt apo kanë pësuar vdekje aksidentale.
Mjaft vetëvrasje të zakonshme nga familjarët simulohen si vetëvrasje nga pakujdesia apo vdekje aksidentale, duke krijuar prova dhe alibi. Për disa vdekje të shkaktuara nga fostoksina, sidomos në radhët e të rejave, prindërit kanë këmbëngulur se ato e kanë pirë helmin pa dashje. Gati të gjithë të vetëhelmuarit e kanë gjetur vdekjen në prezencë të mjekut.
Për vetëvrasjet e emigrantëve shqiptarë, rezidentë të përkohshëm apo të përhershëm jashtë shtetit, mungojnë statistikat, megjithëse, sipas shtypit dhe informacioneve vetjake, edhe në radhët e tyre ndodhin shpesh vetëvrasje.
Harta e vetëvrasjeve në Shqipëri
“Fenomeni i vetëvrasjes është i shtrirë pothuajse në të gjithë territorin e vendit, nga jugu në veri e nga lindja në perëndim”, - thotë studiuesi Sofokli Duka. Përqindja më e madhe e rasteve të vetëvrasjeve rezulton të jetë në rrethet me popullsi më të madhe. Renditja e popullsisë së dhjetë rretheve të para të tabelës përputhet pak a shumë edhe me renditjen e numrit të popullsisë, duke përjashtuar rrethet e Elbasanit dhe Kurbinit, që e prishin deri diku këtë rregull. Grafiku i shtrirjes territoriale të vetëvrasjeve tregon përafërsisht të njëjtën konstante. Në nivele të tilla qëndrojnë rrethet e Tiranës, Korçës, Shkodrës, Durrësit, Beratit e Vlorës. Në Has, Devoll, Mat, Kolonjë dhe Bulqizë janë shënuar raste të pakta vetëvrasjesh. Vetëm në dy prefekturat, atë të Fierit dhe Tiranës, kanë ndodhur 42.6 për qind të vrasjeve në shkallë vendi. Në Peshkopi dhe Kukës rezulton se janë vetëvrarë vetëm meshkuj, ndërsa në Tropojë vetëm femra.
Vetëvrasjet sipas moshës
Sipas moshës, shkalla më e lartë e vetëvrasjeve u përket të miturave. Për moshën e adoleshencës nivelin më të lartë të vetëvrasjeve e kanë meshkujt. Sipas studimit ka rezultuar se kulmi i shkallës së vetëvrasjeve arrin në moshën mbi 60 vjeç, duke shënuar shifra të larta, që tregojnë dyfishin e meshkujve që vetëvriten në krahasim me femrat. Studiuesi Sofokli Duka shpjegon se një nga shkaqet kryesore të vetëvrasjeve për këtë moshë është “euthanasia”, e cila është e përhapur jo vetëm në vendet e zhvilluara, por edhe në vendet në zhvillim apo të prapambetura.
Orari kur ndodhin
Sipas studimit, vetëvrasje ka pasur pothuajse përditë. Në ditët e shtuna dhe të diela janë shënuar më pak akte të tilla, gjë që argumentohet me bashkimin familjar gjatë fundjavës. Shumica e vetëvrasjeve janë kryer gjatë orëve të ditës, më pak në ato të natës dhe fare pak pas mesnate. Sipas studiuesit, zgjedhja e orës së vetëvrasjes ka si element parësor gjetjen e kohës së përshtatshme ku sigurohet vetmia ose prania e bashkëpunëtorëve, kur ata ekzistojnë, si dhe gjetja e viktimës nga të afërmit pasi akti i vetëvrasjes të ketë dhënë efektin.
Metoda e vetëvrasjeve
Helmimi është metoda kryesore e realizimit të aktit të vetëvrasjes. Gjatë vitit 2005 janë kryer rreth 80 vetëhelmime, të cilat përfaqësojnë 37 për qind të vetëvrasjeve në tërësi. Helmi konsiderohet si vdekje e “butë” dhe lënda mund të sigurohet lehtë. E dyta vjen vetëvarja. Në përgjithësi vetëvarjet janë realizuar ose në banesat ku jetojnë, ose në vende pranë këtyre banesave. E veçanta rezulton vetëvarja e disa të miturve dhe të rinjve në kasollet e bagëtive. Përveç metodave më tipike janë realizuar edhe metoda të tjera, si: djegie, përplasje me mjete lëvizëse etj.
10 Maj 2010