Komisioni Evropian, 61 milionë euro asistencë, për tranzicionin dhe institucionet në Shqipëri
Programi përbëhet nga 24 projekte të cilat mbështesin procesin e reformave politike dhe ekonomike
TIRANE - Komisioni Evropian ka miratuar Programin Kombëtar për Shqipërinë në kuadër të Komponentit të Asistencës për Tranzicionin dhe Ndërtimin e Institucioneve të IPA për vitin 2008. Ky program i miratuar pak ditë më parë do të sigurojë një financim maksimal prej 60.917.000 euro për të mbështetur vendin në progresin e tij në reformat kyçe.
Burime zyrtare nga përfaqësia e Komisionit Evropian në Tiranë, sqarojnë se, programi përbëhet nga 24 projekte të cilat mbështesin procesin e reformave politike dhe ekonomike të Shqipërisë si edhe përafrimin e vendit me standardet e BE-së.
Projektet në fushën politike përfshijnë fuqizimin e kapacitetit administrativ të Shqipërisë, ndërtimin e institucioneve të përmirësuara penitenciare dhe paraburgimi, modernizimin e procedurave doganore, si edhe luftën kundër korrupsionit. Në fushën ekonomike, programi mbështet sistemin e arsimit dhe trajnimit profesional, përmirësimin e rrugëve dytësore dhe lokale, si edhe nxitjen e rajonit kufitar të Kukësit. Për më tepër, projekti parashikon financim edhe në mbështetje të sektorit bregdetar të Shqipërisë, për përmirësimin e mbrojtjes publike nga sëmundjet e transmetueshme nga kafshët, për një sistem metrologjik kombëtar të përforcuar, një sistem monitorimi mjedisi të përmirësuar si edhe për një projekt që synon përmirësimin e rrjetit të autostradave në Shqipëri. Gjithashtu, programi financon pjesëmarrjen e Shqipërisë në Programet e Komunitetit.
Kontributi i Komunitetit Evropian nën IPA përfaqëson 90.6 për qind të buxhetit total (afërsisht 67.2 milion euro) që është përcaktuar për këtë program. Dhurues të tjerë si edhe Shqipëria vetë do të bashkëfinancojnë 9 nga 24 projekte.