E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Evropian: Po e përgatisim Kosovën për në Evropë

27-12-2011 / Gazeta 55

Ushtrues i detyrës së shefit të Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë

Që nga viti 1999 Bashkimi Evropian (BE) ka qenë një ndër forcat udhëheqëse ndërkombëtare për ndërtimin e një të ardhmeje të re për Kosovën. Aktualisht BE-ja është donatori më i madh ndërkombëtar në Kosovë, pasi që vendi ka marrë mbi 2 miliardë euro ndihmë nga BE-ja që nga viti 1999. Sipas Khaldoun Sinno, ushtrues i detyrës së shefi të Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, ajo që BE-ja është duke bërë është përgatitja e Kosovës për në Evropë. Sipas tij, kjo bëhet nga modernizimi i Kosovës, përcaktimi dhe fuqizimi i institucioneve të saj dhe krejt kjo me një qëllim të vetëm për të ndihmuar vendin në rrugën e tij drejt Evropës. Asistenca e BE-së në fillim ishte e përqendruar në emergjencë dhe rindërtim. Tani ajo fokusohet kryesisht në ndërtimin e institucioneve moderne dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik për të siguruar të ardhmen evropiane. “Kosova është me fat. Ajo gjendet në një regjion për zgjerim evropian dhe së bashku me vendet tjera konsiderohet për inkuadrim në BE, që do të thotë se juve ju takon një fond i madh për asistencë, prej 70 milionë euro në vit, që krahasuar me madhësinë e vendit është shumë mjaft e madhe”, ka potencuar Sinno. Viti 2011 ishte vit i investimeve të shumta të BE-së në infrastrukturën kosovare, duke filluar nga rrugët, urat, shkollat dhe deri te investimet madhore në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë dhe burgun e sigurisë së lartë në Podujevë. Këto projekte, sipas Sinno, janë fundamentale për fuqizimin e pushtetit të ligjit në Kosovë, sepse ndërlidhen edhe me modernizimin e institucioneve përkatëse vendore sipas standardeve evropiane. “Nga ky kënd investimet në infrastrukturë përbëjnë manifestimin e vullnetit tonë për të lëvizur Kosovën drejt Evropës”, ka thënë ai. Ushtruesi i detyrës së shefi t të Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian, në Prishtinë, thonë se BE-ja tashmë e ka bërë të qartë se Kosova ka një perspektivë të sigurt evropiane së bashku me të gjitha shtetet e Ballkanit. BE-ja po ashtu mbetet e vendosur që ta luajë rolin udhëheqës në sigurimin e stabilitetit në Kosovë dhe përmes misionit për sundimin e ligjit, të njohur si EULEX. Por, procesi i reformave të gjëra shoqërore dhe institucionale në Kosovë mbështetur nga Beja nuk është proces unilateral. Shumë pritet edhe nga institucionet vendore që nga reformimi i tyre konform standardeve evropiane e deri te ballafaqimi me sfidat kryesore të vendit. Kosova në këtë rrugëtim evropian nuk do të mbetet e vetmuar, porosit Khaldoun Sinno. “Ne jemi duke bërë përpjekje që ta lëvizim Kosovën drejt Evropës”, ka përfunduar ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›