Rusia i ofron azil politik presidentit sirian, kushti: Cedimi i pushtetit tek zv/presidenti
Mediat izraelite raportojnë se Rusia i ka ofruar azil politik presidentit të Sirisë Bashar al-Assad, nëse ai pranon t’i dorëzojë kompetencat zëvendëspresidentit. Sipas tyre, Rusia i ka propozuar zv/presidentit sirian Farouk al-Shara që të marrë kompetencat e kreut të shtetit për një periudhë tranzitore, deri në organizimin e zgjedhjeve, në këmbim të azilit politik në Moskë, për Assad dhe familjen e tij. Po sipas mediave izraelite, al-Shara zhvilloi një vizitë sekrete në kryeqytetin rus në 16 dhjetor, ku u takua me ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Kremlin. Mësohet se edhe SHBA ka rënë dakord për ketë propozim. Ndërkohë, ka nisur dje misioni i vëzhguesve të Ligës Arabe në qytetin rebel të Homs-it, ndërsa dhuna në vend ende vazhdon. Sipas raportimeve të fundit, në bastionin e revoltës, Homs, të paktën 13 civilë janë vrarë gjatë orëve të fundit si pasojë e bombave të lëshuara nga trupat besnike të Bashar al- Assad.
...