E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni, PD gati të tërheqë dy anëtarët

Nëse opozita thyen bojkotin, PD tërheq 2 nga 7 komisionerët, për tia lënë PS-së shumicën me 9 komisionerë, si dhe drejtimin e hetimit të 28 qershorit

Në rast se opozita vendos të bëhet pjesë e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, siç ka kërkuar dhe vetë, mazhoranca është e gatshme të tërheqë dy nga anëtarët e saj. Kjo, me qëllim që opozitës ti lihet shumica në komision, pavarësisht se nuk i takon. Burime pranë grupit parlamentar të PD-së bëjnë të ditur se sapo opozita të thyejë bojkotin, 2 prej 7 anëtarëve të mazhorancës do të tërhiqen, ndërkohë që përveç shumicës, PS-së i është lënë edhe drejtimi i komisionit që në bazë të rregullores është i mandatuar përgjatë 3 muajve që të hetojë procesin zgjedhor të 28 qershorit. Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e fundit me 73 vota "pro" ngritjen e Komisionit Hetimor për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Sipas mazhorancës, Kuvendi e mori këtë vendim me përgjegjshmëri të thellë dhe me vendosmërinë se të gjitha të vërtetat lidhur me procesin zgjedhor më të mirë, më të lirë, më të ndershëm që shqiptarët kanë zhvilluar ndonjëherë, duhet të dalin në dritën e diellit. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste refuzoi në seancën e së premtes, t'i qëndronte këtij angazhimi dhe kësaj vendosmërie për transparencë. Grupi parlamentar i PS-së u përpoq të pengonte ngritjen e komisionit nëpërmjet përdorimit të trukeve procedurale. Pretendimi i kryetarit të grupit të PS-së për tërheqje nga nisma për ngritjen e komisionit u përgënjeshtrua nga vetë deputetët e tij. Sipas Rregullores së Kuvendit, nisma mund të tërhiqet deri përpara votimit në parim të saj. Një ditë më pas, Kuvendi konfirmoi zyrtarisht se asnjë nga deputetët nismëtarë nuk kishte depozituar kërkesë për tërheqje nga nisma. Në këto kushte, kryetarja e Kuvendit, në zbatim të detyrës dhe të rregullores, u kërkoi deputetëve nismëtarë të deklaronin nominalisht vullnetin e tyre për tërheqje nga nisma. Me përjashtim të zotit Taulant Balla, asnjë nga kolegët e Gramoz Ruçit nuk u bashkua me atë. Sipas Kuvendit, mungesa e deklarimit me shkrim dhe mungesa e deklarimit në seancë për tërheqje nga nisma, janë fakte që përgënjeshtrojnë çdo lloj pretendimi për shkelje të procedurave. Me votimin, Kuvendi jo vetëm ka respektuar të drejtën kushtetuese të 35 deputetëve nismëtarë për të ngritur komision hetimor, por edhe ka zbatuar me fanatizëm dhe korrektesë absolute ligjore, Rregulloren e Kuvendit. Në kushte të tilla, PD-ja edhe sot vazhdon ti bëjë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të lejojë deputetët e tij të marrin pjesë në jetën parlamentare, që të lejojë grupin parlamentar të sjellë emrat e anëtarëve në komision, i kërkon që të lejojë deputetët e tij që të bëhen pjesë e transparencës dhe respektimit të Kushtetutës së vendit. Por opozita ka refuzuar pjesëmarrjen në komision, i cili në bazë të vendimit të Kuvendit merr 9 anëtarë dhe drejtimin e hetimit të zgjedhjeve. Komisioni hetimor kuvendor përbëhet nga 15 anëtarë, 7 nga mazhoranca dhe 7 nga opozita, ndërkohë që PD-ja është në pritje të thyerjes së bojkotit të opozitës dhe hyrjen në komision, moment i cili do të shoqërohej me tërheqjen e dy anëtarëve të demokratëve dhe krijimin e të gjitha hapësirave opozitës së majtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›