Komisioni "Rama 2", Kuvendi letër Prokurorisë
Kuvendi i dërgoi dje një letër Prokurorisë së Përgjithshme ku i kërkon informacion deri ku kanë vajtur hetimet për raportin e Komisionit hetimor Parlamentar, "Rama2". Ky komision hetimor ka hartuar një konkluzion të miratuar nga Kuvendi ku kërkon fillimin e procedimit penal; ndaj zyrtarëve të lartë të Bashkisë së Tiranës për kryerjen e disa veprave penale. Nëpërmjet kësaj letre zyrtarët e lartë të Kuvendit, të përfaqësuar nga sekretari i Përgjithshëm, i kujtojnë organit të akuzës përmbajtjen e raportit të komisionit hetimor në të cilin sipas tyre janë evidentuar shkeljet të larta, të cilat përbëjnë vepra penale, të cilat duhen të hetohen nga Prokuroria e Përgjithshme. Në letrën e Kuvendit drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se "në këtë Raport të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit në Bashkinë Tiranë janë vënë në dukje rastet flagrante të konfliktit të interesit të vërejtura prej të paktën dy anëtarëve të KRRT - caktuar nga Kryetari i Bashkisë - që edhe votojnë haptazi në konflikt interesi me dijeninë e Kryetarit të Bashkisë, edhe kanë monopolizuar lejet e ndërtimit në Bashkinë Tiranë, duke përbërë haptazi elementet bazë të veprave penale". Kuvendi i kujton Prokurorisë së Përgjithshme se kanë kaluar më shumë se tri javë nga depozitimi i këtij raporti dhe ende nuk ka asnjë reagim dhe informim të Kuvendit. Duke i kërkuar hetim të këtij raporti, drejtuesit e Kuvendit i kanë kujtuar Prokurorisë së Përgjithshme vetëm një nga rastet e shumta që ajo duhet të kishte hetuar tashmë siç është dhënia e lejes së ndërtimit mbi një truall publik që është një rruge lagjeje nga Bashkia e Tiranës një mikut të ngushtë të kryebashkiakut. Duke marrë në konsideratë interesin e madh publik që kanë çështjet e mësipërme, thuhet në letrën e Kuvendit drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme "ju kërkojmë, bazuar në nenin 22 të Ligjit nr.8891 datë 2.5.2002, "Për Komisionet Hetimore Parlamentare", si dhe nenin 52 të ligjit 8737 datë 12.2.2001 "Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë", i ndryshuar, të na informoni në një kohë sa më të shpejtë mbi veprimet hetimore të kryera nga ana Juaj".