E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama sfidon Berishën: Në Shkodër do të kalojmë PD

Partia socialiste çeli dje zyrtarisht fushatën elektorale në qytetin e Shkodrës në një tubim spektakolar ku merrte pjesë lideri i opozitës, Edi Rama. Nën tingujt e këngës "Çohu", Rama ka bërë prezantimin zyrtar të kandidatëve të kësaj force politike në Qarkun e Shkodrës. Kanë qenë fillimisht, 11 kandidatët e PS-së të cilët kanë përshëndetur të pranishmit të cilët kishin mbushur sheshin "Luigj Gurakuqi", si dhe u kanë kërkuar shkodranëve votën. Rama paraqiti para shkodranëve, programin e tij, në të cilin fjala kryesore i takon, punësimit, arsimit, shëndetësisë dhe uljes së nivelit të varfërisë, e cila mbetet plaga kryesore e këtyre 18 viteve në Shqipëri. Kreu i Partisë Socialiste nuk ka lënë pa shigjetuar nga qyteti i Shkodrës dhe Kryeministrin aktual, Sali Berisha. Liberalizimi i vizave ka qenë një tjetër pikë të cilën, Rama e citoi gjatë takimit, duke u premtuar shkodranëve se është i përkushtuar në shndërrimin në realitet të kësaj ëndrre të të gjithë shqiptarëve. Rama ka theksuar se ky nuk është një miting elektoral, por është manifestimi i mirënjohjes dhe detyrimit ndaj Shkodrës. "Ju jam mirënjohës lutjeve të gjyshes sime që i parapriu gjumit tim të fëmijërisë, i jam mirënjohës Shkodrës për lirikat e Mjedës e Shirokës, për lahutën e ndaluar të Fishtës dhe patriotizmin pa rrena të At Zef Pllumbit", u shpreh ai. Duke iu referuar thënieve të Hilë Mosit, Rama ka tha "sot është lufta për Shqipërinë si gjithë Evropa". Më tej, Rama ka përmendur të tjera figura të ndritura të Shkodrës si Marubi, fotot e të cilit ka thënë Rama dhe pse bardhezi kanë më shumë ngjyra dhe aromë evropiane se fotot e aktualitetit politik shqiptar. "Të gjithë qytetarëve të Shkodrës, u them sot se errësira që diktatura e Enver Hoxhës kalli në shpirtin e shqiptarëve është sot e gjithë ditën ushqimi i ndasisë e sherrit që politika e vjetër mban gjallë mes nesh. Ta ndash e ta mbash në konflikt Shqipërinë në emër të së shkuarës komuniste, siç bën enveristi i djeshëm dhe demokratikasi i sotëm, Sali Berisha, do të thotë të mbash gjallë botëkuptimin e errët të Enver Hoxhës", nënvizoi Rama. Për mua, vijoi ai, politika nuk është mjet për të përfituar dhe as luftë për pushtet personal siç është për Sali Berishën, dhe nuk do jem Kryeministri i një qeverie që ndan pasuritë e vendit e bën biznes për llogaritë e një familjeje, por do jem Kryeministri i juaj. "E di fort mirë se çfarë do të thotë t‘i thuash sot Shkodrës të votojë për PS. Rama ka përmendur me radhë kandidatët e Shkodrës, ndërsa ka folur dhe për rëndësinë e votës që sot ka fuqi të veçantë, pasi me një votë mund të çoni 6 deputetë në Parlamentin e Shqipërisë", u shpreh Rama. Ai u bëri thirrje të gjithë shkodranëve, të bëhen pjesë e ndryshimit, pa dallim kahesh politike, nën sloganin përtej të majtës dhe të djathtës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›