E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Shtetëror diskuton për veprimtaritë festive në 100 - vjetorin e pavarësisë

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e parë e Komisionit Shtetëror për organizimin e veprimtarive festive për “Vitin e 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”.

Kryeministri Berisha kërkoi nga anëtarët e këtij Komisioni që të vendoset sa më shpejtë dhe të ndërmerren vendimet e duhura në mënyrë që Shqipëria në 100 vjetorin e saj të paraqitet në lartësinë më të madhe të kësaj ngjarje.

Gjithashtu, Kryeministri theksoi se duhet të bëhet një përpjekje e re dhe e fuqishme drejt të vërtetave të pavarësisë dhe historisë sonë. “Është shumë e rëndësishme, - tha Kryeministri, - që ne të mbështesim fuqishëm institucionet tona kërkimore shkencore në përpjekjen e tyre për një shqyrtim të ndershëm, serioz, të një shekulli Shqipëri e pavarur”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Thirra këtë mbledhje të Komitetit Shtetëror për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit, të cilat duhet të jenë, në të gjitha rrafshet, në lartësinë më të madhe të kësaj ngjarje. Me një koncert ne hapëm në datën 28 nëntor vitin kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë, por duhet të bëjmë gjithçka që ky vit të jetë një motiv i madh për një horizont të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne kemi shumë nevojë që këtë 100 vjetor ta shndërrojmë njëkohësisht në pikënisjen e 100 viteve të ardhshme. Ne vijmë në këtë 100 vjetor pas një shekulli mundimesh të mëdha, pas një shekulli dhimbjesh e sakrificash, por e vërteta është edhe arritjesh, ndoshta ndër më të mëdhatë në historinë shekullore të kombit. Ne vijmë si një komb i lirë, i cili një proces që nisi i gjysmuar në vitin 1912 e përfundoi në vitin 2008-të, me pavarësinë e Kosovës. Një shekull që kaloi në copëtime, në diktatura, në mjerim, në varfëri, por që u mbyll me vendosjen e një sistemi të ri në Shqipëri.

Mendoj se ne duhet të bëjmë një përpjekje të re dhe të fuqishme drejt të vërtetave të pavarësisë sonë, të vërtetave të historisë sonë që, pavarësisht nga dritëhijet, është një histori e madhe qëndrese e mbijetese, një histori e madhe luftërash dhe përpjekjesh, e cila u kurorëzua me pavarësinë e Kosovës. Ne nuk kemi dhe nuk kemi se përse të kemi asnjë kompleks. Mendoj se institucionet tona kërkimore shkencore kanë një detyrë të madhe që të mund tu paraqesin shqiptarëve të gjitha përpjekjet e tyre, të gjithë sakrificat e tyre, të gjitha arritjet, por edhe gabimet e tyre, sepse ne, - e thotë Churchill - , “sa më kthjellët të shohim historinë e shkuar, aq më mirë do mund të projektojmë të ardhmen”. Është shumë e gabuar të mendohet se studimet, qëndrimet, vlerësimet do të synojnë lartësimin e njërit apo zvogëlimin e tjetrit personalitet në histori. Ata kanë pasur probleme me njeri – tjetrin, kanë pasur dhe kundërshti, kanë pasur dhe armiqësi, por kanë qenë atdhetarë të flaktë. Ata në mënyrën e tyre janë përpjekur të bëjnë Shqipërinë, përveç rasteve të caktuara që kanë kaluar vijën e kuqe dhe në çdo kohë ata që kalojnë vijën e kuqe nuk i nderon, por i dënon. Presidenti i Francës, François Mitterrand, dha shembullin me Dantonin kur i dolën dokumentet që nuk diheshin. Kështu që historia do të ndërtohet mbi të vërtetat.

Zotërinj ministra, është shumë e rëndësishme që ne të mbështesim fuqishëm institucionet tona kërkimore shkencore në përpjekjen e tyre për një shqyrtim të ndershëm, serioz, të një shekulli Shqipëri e pavarur. Nuk mund të thuhet se qëndrimet e njëanshme në histori nuk kanë ndikuar në qëndrime të njëanshme në tërësi. Kështu që është e domosdoshme të ridimensionohen figurat kryesore të këtyre 100 vjetëve të pavarësisë së Shqipërisë. Unë besoj se disa prej tyre, si Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Hasan Prishtina, duhet të kenë praninë e tyre në kryeqytetin e vendit. Pavarësia vërtetë u shpall në Vlorë, por ai ishte një akt madhor dhe pavarësisht problemeve kundrathënëse, kontributi i tyre është i pamohueshëm në këtë shekull, është një kontribut i madh. Aty ku është dhe epiqendra në Shqipëri, aty duhet të jenë ata, mundet të jenë edhe të tjerë. Ju takon juve, Komisionit Shtetëror, t’i shqyrtojë dhe t'i përcaktojë.

Ky vit është viti i flamurit. Në të tërë trashëgiminë tonë, në të gjitha artet pamore, ne nuk kemi asgjë më të bukur se këtë flamur. E kemi dhe është flamuri më i bukur i botës. Është jashtëzakonisht interesante, sepse ne edhe ditën e pavarësisë e quajmë ditën e flamurit, himnin e kombit e kemi himnin e flamurit. Ne ndoshta kemi më shumë një përqendrim shpirtëror me flamurin. Është një magnet që të përthith sytë, pamjen, shpirtin, sapo e sheh. Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që ky flamur në 100 vjetorin e pavarësisë të valëvitet në çdo ballkon shqiptarësh, kudo që janë, në Shqipëri dhe në botë, në diasporë dhe kudo. Kjo për të nderuar të rënët e kombit, që nga kryengritjet e mëdha që sollën pavarësinë e deri në luftën çlirimtare në Kosovë e Maqedoni. Shqiptarët kanë vdekur me këtë flamur. Është fakt shumë interesant që ky flamur ka një gjallesë, ka një shqiponjë simbol të gjallë të tij dhe ka në çdo qelizë shpirtra të rënësh. Kështu që në shkolla, në familje, në qendra punë e kudo ky vit do të jetë viti i flamurit tonë kombëtar.

Zoti ministër i Kulturës, së bashku me specialistët, do të bëhet edhe logoja e 100 vjetorit dhe do të prodhohen një tërësi objektesh të lidhura më 100 vjetorin, natyrisht mbi bazën e rregullave, konkurseve dhe mendimit të specializuar. Por duhet të bëjmë gjithçka që Shqipëria 100 vjeçare të ketë atë pamje të bukur që nuk e ka pasur kurrë më parë. T’i japim një pamje të re, një pamje të merituar. T’i kushtohet një rëndësi e jashtëzakonshme nderimit të çdo ngjarje, e cila bëri të mundur që Shqipëria të udhëtojë 100 vjet si vend i pavarur. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mblidhen sa më shumë mendime dhe propozime të qytetarëve, të specialistëve, të ekspertëve dhe ta bëjmë këtë festën e festave. 100 vjetori vjen një herë, të mos e harrojmë këtë. Ne duhet të jemi në lartësinë e tij. Ne me shumë përulësi, me shumë  dashuri, me shumë vendosmëri duhet të bëjmë gjithçka që Shqipëria në 100 vjetorin e saj të nderohet siç e meriton. Të gjitha veprimtaritë duhet të nxiten dhe inkurajohen. Veçanërisht veprimtaritë kulturore do të kenë një domethënie të veçantë në kuadrin e 100 vjetorit. 100 vjetorin duhet ta prekin të gjitha qytetet, fshatrat dhe komunat ku janë zhvilluar ngjarjet e mëdha të historisë së Shqipërisë. Do të bashkëpunoni me qeverinë e Kosovës, me autoritetet e Maqedonisë dhe Malit të Zi, në mënyrë që të nderojmë si komb këtë ngjarje që pavarësisht se ishte e përgjysmuar, pavarësisht se ishte konjukturore, qëndron në origjinën të gjitha ngjarjeve dhe zhvillimeve të tjera të mëdha të kombit këto 100 vjet. E vërteta është se shpallja e saj, edhe në ato rrethana, dëshmon për mençurinë, urtësinë e një burri vizionar të madh të kombit shqiptar, Ismail Qemali. Është e lehtë sot të thuash se pavarësia u shpall vetëm në një pjesë të vendit. Problemi është se shqiptarët jo vetëm që ishin jetim në fillimshekullin e kaluar, por ishin edhe një komb i ndëshkuar. Fuqitë e Mëdha fituese nuk mund të pranonin bashkimin e trojeve shqiptare pasi kishin deklaruar se nuk duam një Turqi tjetër në Ballkan. Historia duhet t’i thotë gjërat siç janë. Dhe kundërshtarët e egër ishin po shqiptarë në Portën e Lartë. Këto t’ua lëmë historianëve, sepse e sigurt është që gabojmë po të shkojmë më tutje. Fakti është fakt se pa pavarësinë e Shqipërisë, shqiptarët nuk do të ishin këta që janë sot. Ajo është ngjarja e të gjitha ngjarjeve.

Zotërinj anëtarë të Komitetit Shtetëror,unë jam i bindur se ju keni menduar gjerësisht për veprimtaritë e këtij viti, por tani koha është që duhet të vendosim sa më shpejtë, të ndërmarrim veprime dhe të gjitha vendimet e duhura, në mënyrë që Shqipëria në 100 vjetorin e saj të paraqitet siç e meriton.

Faleminderit!”


12/12/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›